“I dashur Krajl! Vramë 22 veta në Buzëmadh dhe 4 në fshatin tënd, por…”/ Ngjitja dhe rënia nga kupola e pushtetit, kush ishte Rrahman Parllaku! Çfarë thuhej në letrën e Shefqet Peçit

2 weeks ago 37
Reklamë

HALIL RAMA & SAKIP CAMI
* PJESA E PARË

Në kohën tonë moderne të globalizmit nuk bëhet fjalë për legjenda. Megjithatë, ato ekzistojnë, pavarësisht heshtjes dhe indiferencës së opinionit publik. Një protagonist i historisë sonë të 100 viteve të fundit është gjeneral Rrahman Parllaku – “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”.

Teodor Laço do ta cilësonte atë si personazhin, jeta e të cilit nuk është thjesht një biografi tërheqëse, që për një shkrimtar do të qe një grishje për fantazinë. Është më shumë se kaq. Është një dëshmi për kohën që kemi lënë pas, për një kohë tepër të gjatë, si dhe vetë heroi, që i mbylli 100 vitet e jetës së tij, si rrallëkush, me freskinë fizike, me mprehtësinë e gjykimit, me fjalën që nuk i binte përdhè, me gjallërinë dhe energjinë e një burri shteti…

Por pikërisht këtij burri legjendar që pasi u diplomua në Akademinë Ushtarake Sovjetike dha kontribut maksimal në konsolidimin e ushtrisë shqiptare dhe për meritat si strateg e patriot iu besuan detyra të rëndësishme, deri zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm e Zëvendësministër i Mbrojtjes, u dënua padrejtësisht me të ashtuquajturin “grupi puçist në ushtri”, ku vuajti 17 vjet në burgun famëkeq të Burrelit.

“Nga jeta e një Matuzalemi si Ai, na ulet këmbëkryq historia. Nga lufta dhe përkushtimi i tij atdhetar na vjen një model për t’u ndjekur. Nga një çerek shekulli i dënimit të tij padrejtësisht, nga plumbi dhe vdekjet në qelitë e burgut, mund të njohim një nga pamjet më makabre të dhunës së diktaturës. Nga veprimtaria e tij si veteran në këtë çerek shekulli të demokracisë bashkë me të tjerë ish-të dënuar si L.Belishova, E.Ohri, H.Ramohito, etj., mund të mësojmë se kurrë nuk është vonë për njeriun që të bëhet mbështetës aktiv i proceseve demokratizuese të shoqërisë”,-shkruan Teodor Laço.

Nga fletorja e kujtimeve që na la në dorëshkrim, po nxjerrim disa aspekte nga veprimtaria e tij patriotike.

“KRAJLI”, PSEUDONIMI I LUFTËS

Ja si i rrëfente kujtimet e luftës guerrile heroi, fillimisht si guerrilas i thjeshtë e më pas nga marsi 1942 e deri në dhjetor 1943 si udhëheqës i njësiteve guerrile të qytetit të Vlorës.

“Shpeshherë kam pyetur veten se kush janë heronjtë e vërtetë të luftës, jemi ne të rinjtë e asaj kohe që vumë jetën në moshën më të re në shërbim të popullit e të atdheut apo ata prindër që u bashkuan me ne e nisën fëmijët e tyre në luftë, me ndërgjegje e bindje se edhe mund të mos i shihnin më. Kishte edhe prindër që dërguan në luftë edhe fëmijën e vetëm, duke mos kursyer as jetën e tyre. Kishte nga ata që vunë në shërbim të luftës shtëpitë e tyre, edhe pse në murin e jashtëm të banesës ishte vendosur shpallja e fashistëve se kushdo që strehon ilegalë pushkatohet dhe i digjet shtëpia. Ja, këta prindër patriotë meritojnë nderimin, respektin dhe mirënjohjen e kombit. Të tillë prindër e familje Vlora ka pasur shumë. Unë që nuk isha nga Vlora, ndoshta e kam ndjerë më shumë se vlonjatët kanë jo vetëm bujarinë e mikpritjen, por edhe guximin dhe vendosmërinë e tyre për t´u shkrirë me tërë familjen për lirinë e popullit dhe të atdheut. Çdo lagje e Vlorës kishte familje e baza të luftës. Këta njerëz u bënë për mua shumë të dashur, aq sa mund të them se i konsideroja si prindër e familje. Unë nuk kisha një familje, por një pjesë e mirë e familjeve vlonjate u bënë edhe familja ime. Baza të njësitit ishin të gjitha shtëpitë e patriotëve në Vlorë. Në Lagjen e Re kishim shumë baza të përshtatshme për veprimtarinë tonë guerrile e një nga këto ishte shtëpia e Rexhep Nuri Arapit, familje me dy breza luftëtarësh. Në shtëpinë e Arapajve nuk kishim vetëm një bazë, por tri, pasi edhe dhoma ku banonte Sali Ymeri, ishte baza jonë, kurse në pjesën përdhese kishim teknikën, ku shtypeshin komunikatat. Duke u ndalur në lagjen e re dua të theksoj mbështetjen që na ka dhënë familja e shoqes sonë Bule Imami. Në atë shtëpi, ne kemi strehuar njerëzit më të rëndësishëm të luftës që vinin nga qarku e qendra. Dua të përmend edhe një tjetër nga fisi i Imamve, shoku dhe miku i të gjithëve Qazim Imami, që, megjithëse ishte hoxhë me çallmë, ishte një luftëtar i flaktë dhe shtëpinë e kishte vënë në shërbimin tonë, ashtu si edhe vëllezërit e tij. Aty i kemi bërë edhe disa mbledhje dhe kur të tjerët largoheshin, unë qëndroja. Më ka ndodhur të fle në mes të hoxhës dhe priftit, të Qazimit dhe të të atit të Amali Pjerros (Dishnicës) dhe të dëgjoja me ëndje bisedat e tyre. Dihet që pjesëmarrja e klerikëve në luftën antifashiste tregon se sa të drejta ishin vendimet e Konferencës së Pezës, e sidomos “bashkimi i popullit në luftë pa dallim feje, krahine e ideje”.

ORGANIZIMI I NJËSITEVE GUERRILE

Në grup njësitin guerril duhej të zbatoheshin rregulla shumë të përpikta si: Të ishin rigorozë në kryerjen e detyrës që u ngarkohej, pa marrë parasysh sakrificat që do të kërkoheshin në zbatimin e saj; Të mos flisnin me askënd për lidhjet, për shokët, për bazat dhe nëse binin në dorë të armikut, ta ruanin sekretin deri në vetëflijim; Në kryerjen e detyrave të para ishin në provë, ndonëse detyrat e ngarkuara ishin fillimisht të lehta si: shpërndarje e materialeve propagandistike, rrëmbim armësh, materiale e mjete për shtypin, medikamente, etj., dhe në çdo rast ishin të shoqëruar e mbikëqyrur nga shokë më me eksperiencë. Rregullat ishin të forta dhe zbatimi i tyre kërkonte përgjegjësi e sakrificë, prandaj para se të pranoheshe në grup njësitin guerril qartësoheshe për gjithçka, pyeteshe për pjesëmarrjen dhe a ishe i aftë të përballoje vështirësitë, si edhe të jepej kohë për t’u menduar. “Krajli” punonte në lokal e ndoshta askush s’dyshonte se merrej me veprimtari guerrilase. Kryente detyrat që i ngarkonin si dërgim armësh, materialesh, komunikatash nga një bazë në tjetrën, etj. Lokalit ku punonte “Parllaku”, iu bë kontroll tri herë rresht. Pas kësaj, u detyruan ta mbyllnin dhe “Krajli” ndonëse kërkohej nga organet represive fashiste, vepronte si ilegal ditën për diell nëpër qytet pa iu shmangur takimit ballë për ballë me detektivët. Ky ishte guximi që ai e ftoi me punë e veprim.

ARDHJA E QEMAL STAFËS NË VLORË

Një ngjarje e rëndësishme në zgjerimin e luftës ishte edhe krijimi i Organizatës së Rinisë Komuniste të Qarkut. Për organizimin e saj kishte ardhur në Vlorë Qemal Stafa, një nga udhëheqësit më të shquar të luftës. Qemali, që kishte tronditur regjimin e Zogut me qëndrimin e mbajtur në gjyqin e 1939-ës ndaj të rinjve që gjykoheshin për idetë e tyre komuniste, përparimtare për kohën, ishte njëri nga të rinjtë e burgosur, të cilët në prag të 7 prillit i kërkonin Zogut që të liroheshin e të armatoseshin për të luftuar kundër pushtimit fashist nën komandën e tij, ndonëse ai i kishte dënuar. Sipas deklarimit të Sadik Bekteshit, ish-i burgosur në atë grup, për Qemalin dhe shokët e tij pavarësia e Atdheut ishte mbi gjithçka dhe kapërcente çdo ideologji. Ai ishte nga të parët që u përfshi në luftë dhe aftësitë e tij e nxorën në krye të saj. Ardhja e Qemalit në Vlorë, takimi me një grup të zgjeruar të rinjsh, fjala dhe këshillat e tij u komentuan gjatë nga të rinjtë. Në takim u zgjodh Komiteti i Rinisë Komuniste për Vlorën dhe sekretar i këtij komiteti u zgjodh “Ylli”, Imer Veshi, njëri nga të rinjtë më aktivë që në orët e para të luftës. Të rinjtë, që ishin forca kryesore e luftës, tani kishin krijuar organizatën e tyre.

PARLLAKU, DREJTUES I LANÇ

Largimi nga Vlora. zv.komisar në Brigadën e VIII dhe Komisar në Brigadën e XII Sulmuese.

Parllaku ose “Krajli” u largua nga Vlora pasi u emërua si Komisar Batalioni në Brigadën e V S. Pasi përballoi luftimet e ashpra të Operacionit të egër nazist të Dimrit 1943-1944, në mars të vitit 1944 u emërua zv/Komisar i grupit të Vlorës dhe pas dy muajsh mori detyrën e zv/Komisarit të Brigadës së VIII S, që po formohej në Zagori të Gjirokastrës. Po ndahej nga Qarku i Vlorës dhe krahina e Kurveleshit, të cilat e kalitën luftarakisht dhe ndjente dhimbje që po iu thoshte lamtumirë atyre trojeve, që i lagu gjaku i plagës së tij të parë. Dita e përurimit të brigadës, 25 prilli, u kthye në ditë feste jo vetëm për partizanët e për krahinën e Zagorisë, por edhe për të ardhurit e shumtë nga Gjirokastra e Përmeti, pasi shumica e partizanëve të brigadës ishin nga këto dy rrethe. Nga mesi i majit, Rrahmani u thirr në Përmet ku e priti Liri Gega dhe Ramadan Çitaku, që në atë kohë ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Ata e urdhëruan të nisej menjëherë për në Teqenë e Sukës, në Dëshnicë, ku do të priste partizanët që do të vinin nga Vlora, nga Mallakastra e nga Kurveleshi për të krijuar, me vendim të Shtabit të Përgjithshëm, Brigadën e XII, ku ai do të ishte zëvendëskomisar dhe më vonë komisar i kësaj brigade.

NË BRIGADËN E III-TË

Më 6 qershor 1944, për të bërë analizën e luftimeve dhe për të hartuar një raport të përbashkët për Shtabin e Përgjithshëm, u takuan në afërsi të fshatit Therepel me komandën e Brigadës së VII. Në atë takim erdhi një partizan i ri që u prezantua me emrin Vasil Nathanaili. Ai kërkonte shokun “Krajl”, pra Rrahmanin, për t’i dorëzuar Urdhrin e Komandës së Përgjithshme që e transferonte për herë të tretë brenda 3 muajve për në Brigadën e III, me të njëjtën detyrë si Zv.Komisar Brigade. Në brigadën ku ishte, Rrahmani e ndjente veten mjaft mirë. E gjithë komanda ishte nga Vlora. Ishin jo vetëm bashkëluftëtarë të një qarku, por me Refatin dhe Luftëtarin kishin qenë edhe bashkëdrejtues të një reparti. Veç kësaj, shumica e partizanëve ishin të njohur për të. Do të shkonte në një brigadë krejtësisht të panjohur, për të cilën kishte dëgjuar që, nga humbjet e shumta gjatë operacionit nazist të dimrit, ishte shpërndarë. Për momentin, Brigada e III ishte riformuar dhe po kompletohej. Nuk kishte rrugë tjetër, urdhri ishte urdhër dhe duhej zbatuar. “Krajli” e pranoi me kënaqësi propozimin e tyre, pasi e njihte mirë krahinën e Kurveleshit dhe kishte mundësi t’i komandonte në terrenin e panjohur për ta, duke i mbrojtur, për t’ua kthyer pa humbje reparteve të tyre. Nga pozicionet e tyre vrojtoheshin forcat naziste që kishin marshuar duke u vënë zjarrin fshatrave të Zagorisë, pasi nuk kishin hasur rezistencë. Ata kishin kaluar Çajupin dhe po zbrisnin në fshatrat e Lunxhërisë. Nisur nga situata në të cilën ndodheshin, së bashku me kuadrot e reparteve vendosën që gjatë natës të kalonin në prapavijat e gjermanëve. Rrahmani vendin e njihte mjaft mirë pasi më parë kishte kaluar në ato anë me forcat e Brigadës së VIII dhe kishte mundësi të siguronte ushqimin e nevojshëm për forcat që drejtonte, por kur po bëheshin gati të kalonin rrugën automobilistike dhe lumin Drino, rojet armike u shtuan shumë dhe një kolonë gjermane doli në Urën e Kardhiqit duke ua bërë të pamundur kalimin.

PARLLAKU, FAKTOR I FUQISHËM NË ORGANIZIMIN E BRIGADËS SË III SULMUESE

Nga 17 deri më 19 shtator ‘’44 u zhvillua në fshatin Surrel të Tiranës, mbledhja e Aktivit të Organizatës të Partisë të Brigadës, në të cilën u analizua e u vlerësua veprimtaria luftarake vjetore. Parllaku, si Zv/Komisar Brigade raportoi për punën e Partisë në brigadë. Mbi situatën politike dhe detyrat referoi Komisari i Brigadës, Myzafer Spaho, kurse mbi rininë e brigadës referoi Piro Dodbiba, përgjegjës rinie i brigadës. Aktivi analizoi me hollësi veprimtarinë luftarake të një viti, duke u ndalur në veprimtarinë luftarake të brigadës gjatë operacionit të dimrit, ku për faj të udhëheqjes brigada kishte pasur shumë humbje dhe ishte shpërndarë. Gjithashtu, edhe për kohën pas riorganizimit të brigadës, Shtabi i Përgjithshëm bënte vërejtje për veprimet gjatë Operacionit të Qershorit. Krejt ndryshe paraqitej gjendja aktuale e brigadës, ku viheshin re arritjet e dukshme në veprimtarinë luftarake të saj. Këto suksese të efektivit të brigadës u shfaqën më qartë gjatë luftimeve të zhvilluara në muajt korrik–shtator në rrethet Tiranë dhe Elbasan.

MOS(MARRËVESHJA) ME MUHARREM BAJRAKTARIN

Kishte ardhur një urdhër urgjent nga komanda e Korparmatës që urdhëronte të niseshin menjëherë në drejtim të Lumës, pasi forcat e Muharrem Bajraktarit kishin goditur në befasi Brigadën e V-të, gjendja e së cilës, siç thuhej në urdhër, ishte tepër kritike. Por kishte ndodhur e kundërta. Akti i pabesisë, se kishin tradhtuar Muharrem Bajraktarin dhe se kishin dashur ta vrisnin, e kishte ngritur popullin e Lumës kundër partizanëve. Muharrem Bajraktari i kishte pritur partizanët në pozicionet ku ishin vendosur forcat e tij, para fshatit Gostil, afërsisht ku është sot qyteti i Kukësit dhe bashkë me komandën e batalionit të V-të të Brigadës së V-të ishin vendosur krah njëri-tjetrit në të njëjtin front kundër gjermanëve. Por qëndrimi mikpritës i M. Bajraktarit nuk i kishte pëlqyer Enver Hoxhës, prandaj iu kërkua Muharremit t’ia dorëzonte forcat e tij Brigadës së V-të dhe të paraqitej në Shtabin e Përgjithshëm, ku do t’i caktohej vendi në Këshillin e Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar. Përgjigjja e Muharremit ishte se do të luftonte kundër armikut, por nuk do t’i dorëzonte forcat e nuk do të merrte pjesë në front. Pas kësaj u urdhërua komanda e brigadës të përhapte një komunikatë në krahinën e Lumës, ku thuhej se Muharrem Bajraktari po sabotonte luftën, me qëllim për ta demaskuar dhe më pas për ta vrarë, pasi ky ishte urdhëri i Enver Hoxhës.

LETRA E SHEFQET PEÇIT DHE E VËRTETA MBI VRASJET NË BUZËMADH

Mëngjesi i ditës së nesërme e gjeti efektivin e brigadës të përqendruar në Peshkopi. Gjatë kohës kur po hanin, erdhi një partizan që quhej Esat Ndreu. Sa pa Hulusiun iu hodh në qafë, pasi kishin qenë të dy shokë rinie dhe oficerë artilerie. Më pas u përshëndet dhe me ne, duke na dhënë lajmin se lëvizja e Muharrem Bajraktarit ishte shtypur dhe ishte vendosur qetësia. Pasi pyeti se kush ishte “Krajli”, pseudonimi i luftës i Rrahman Parllakut, i dha një letër nga Shefqet Peçi, ku shkruhej: “I dashur Krajl! Erdhëm në Lumën tënde ku populli na priti mirë, ndërkohë që Muharrem Bajraktari na goditi pas shpine. Patëm mbi 20 partizanë të vrarë, mes tyre Hysen Çinua, që ti e njeh se keni qenë të dy në një batalion në Brigadën e V-të, po edhe ne e tepruam, vramë 22 veta në Buzëmadh dhe 4 në fshatin tënd, por në luftë kur të vriten shokët nuk e përmban dot veten. Përqafime, Shefqeti”. Këtë të vërtetë e ka deklaruar Manush Myftiu, në Pleniumin e II-të të Komitetit Qendror në Berat, ku ka qenë i deleguar i Korparmatës pranë Brigadës së V-të, në Pleniumin e KQ të PKSH-së, fakt që është pranuar edhe nga Enver Hoxha. Të informuar se çështja me M.Bajraktarin ishte mbyllur, i lanë partizanët të pushonin dhe të nesërmen vazhduan marshimin për në Sllatinë – Kalaja e Dodës – Ura e Lapave – Ujmisht e Bicaj, ku ishte qendra e Nënprefekturës së Lumës. Gjatë rrugës u informuan se forcat e Muharrem Bajraktarit ndodheshin në Tejdrine, në fshatrat Surroj, Arrn, Mamëz dhe kishin marrë urdhër ta spastronin atë zonë. U kthyen në fshatin Skavicë, kaluan Drinin tek ura e Dodës dhe në të zbardhur të 30 shtatorit hynë në fshatin Arrn, por nuk hasën në forca që kryenin spastrime në atë zonë. E njëjta gjendje ishte edhe në fshatrat Surroj e deri në Mamës. Forcat e Muharrem Bajraktarit ishin tërhequr.

LUFTIMET NË KUKËS E TROPOJË

Më 9 tetor ‘’44 ishte përvjetori i parë i krijimit të Brigadës së III. Para efektivit të brigadës e popullit të Bicajt foli Komandanti i Brigadës, Hulusi Spahiu. Ai foli mbi rrugën njëvjeçare luftarake të brigadës, për sukseset e fitoret e arritura, pengesat e kapërcyera me sukses dhe sakrificat e shumta të partizanëve. Gjithashtu, në fjalën e tij u theksua krenaria e brigadës që po shkonte për të ndihmuar në çlirimin e popullit vëlla të Kosovës. Me këtë gëzim u bashkua edhe populli i Bicajt, që e shoqëroi festën me këngët e vallet karakteristike të lumjanëve.

Gjatë ditëve të qëndrimit në krahinën e Lumës, partizanët me sjelljet e tyre korrekte u lidhën ngushtësisht me popullin, u zhvilluan biseda të ngrohta familjare dhe aktivitete të përbashkëta kulturore. Ato ditë bënë edhe një goditje kundër nazistëve në periferi të Kukësit, duke e tronditur gjendjen e tyre të qetësisë e duke iu shkaktuar mjaft humbje. Të nesërmen, ata u përgjigjën me demonstrim zjarri artilerie, po pa lëvizur nga pozicionet e tyre. Nga kjo nuk dolën pa humbje. Ranë dy dëshmorë, Dajlan Dervishi dhe Musa Demi. Natën e 11 tetorit brigada u vu në marshim drejt Hasit. Drinin do ta kalonin në fshatin Bardhoc. Nata ishte me shi dhe Drini ishte fryrë shumë. Pikat e kalimit i kishin caktuar zbuluesit me ndihmën e fshatarëve. Kalimi ishte tepër i vështirë. U zgjodhën notarët më të shëndoshë që pasi e kaluan lumin, hodhën litarët në trungjet e shelgjeve dhe shoqëruan kalimin e partizanëve në anën tjetër. Kalimi i lumit zgjati pothuajse gjatë gjithë natës dhe më e keqja ishte që nuk shpëtuan dot pa viktima. Fatkeqësisht, u mbyt partizania Adile Ali Spahiu. Po kalonin buzë rrugës Prizren-Kukës, prandaj për të thyer ndonjë sulm gjerman morën masa mbrojtëse në të dy drejtimet. Për fat erdhi vetëm një motoçikletë me dy nazistë, që nga prita e zënë u asgjësua pa vështirësi. Kullonin ujë, por duhet të marshonin pasi po zbardhte dhe ishin në terren të hapur, ku nga rruga artileria e rëndë gjermane mund t’i dëmtonte keqas. Gjatë marshimit, në ngjitje u ngrohën dhe me të mbërritur në fshatin Pogaj u pritën me dashamirësi nga banorët. Fshatarët u thanë rrobat në vatrat e zjarrit dhe u shtruan mëngjesin. Nën ndikimin edhe të patriotit Ismail Poga, e gjithë zona ishte me luftën. Në Krumë ishte krijuar një batalion partizan që nën komandën e Ismailit u radhit me Brigadën e XXV-të të Malësisë. Afër mesditës mbërritën në Krumë, qendra e Komunës së Hasit. Aty pushuan pesë ditë. Kjo kohë u shfrytëzua për punë politike dhe u dhanë udhëzime të veçanta për sjelljen e partizanëve ndaj popullit të Kosovës. Në Krumë bënë mbledhjen e dytë të aktivit të partisë për të zgjedhur komitetin e partisë në brigadë. Në aktiv mori pjesë edhe i deleguari i Korparmatës, Manush Myftiu. Nga aktivi u zgjodh përsëri Rrahman Parllaku sekretar i Komitetit, kurse anëtarë u zgjodhën Myzafer Spaho, Spiro Pano, Ibrahim Sina dhe Izmini Papajani. Në Krumë u zgjodhën edhe delegatët për në kongresin e gruas antifashiste. Nga 45 shoqet që kishin në efektivin e brigadës u zgjodhën 4 delegate, Taibe (Kafazi) Balluku, Xhemile Korbi, Ifi (Palloska) Jatru dhe Andromaqi Manushi. Megjithëse Shqipëria Verilindore ishte çliruar, përfshi edhe Malësinë e Gjakovës, qendra e rrethit, Tropoja, ende mbahej nga një fuqi e xhandarmerisë së qeverisë kuislinge, nga kapiten Tahir Hoxha. Vendosën ta sulmonin Tropojën për ta çliruar, në mëngjesin e 16 tetorit. U përpoqën të ruanin befasinë e sulmit, por nuk ia arritën; së pari, se Tahir Hoxha, duke qenë vendas, kishte informatorët e tij që i vëzhgonin në çdo lëvizje dhe së dyti, se batalioni i II-të nuk arriti të zinte në kohë pozicionin e nisjes për sulm. Kjo bëri që batalioni i IV-t të hidhej i vetëm në sulmin e parë. Humbjet në Tropojë kushtuan shtrenjtë. Brigada la atje tre të vrarë e tre të plagosur, mes të vrarëve komisari i batalionit Birçe Sinemati, që para dy ditësh kishte marrë emërimin si Komisar i Brigadës së XXV-të të Malësisë, e cila do të organizohej ato ditë. U plagosën komandanti i batalionit, Xhorxhi Zero, komandanti i kompanisë, Kosta Shallo, dhe partizani Stavri Kaja, që mbeti invalid përjetë.

Me çlirimin e Tropojës, Komanda e Përgjithshme i kishte ngarkuar si detyrë Brigadës së III që të organizonte krijimin e Brigadës së XXV-të të Malësisë me partizanë nga Tropoja dhe Hasi. Me plotësimin e kësaj detyre nga komanda e Brigadës së III u ngarkuan Komisari i Brigadës, Myzafer Spaho, dhe zv/ komandanti Hysni Manushi.

Read Entire Article