“I rekrutuar nga Serbia”, Haradinajt i vjen ‘goditja’ e rëndë pas akuzave ndaj Kurtit – i përmenden këto gjëra nga e kaluara!

1 month ago 6
Reklamë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njihet si një nga kundërshtarët më kritikë të kryeministrit Albin Kurti, kur jo rrallëherë ka hedhura akuza dhe kritika të rënda ndaj tij.

Së fundi, Haradinaj vazhdoi të befasoi me deklaratat e tij, ku tha se kryeministri Albin Kurti është i rekrutuar nga Serbia, teksa e cilësoi edhe përçarës të shqiptarëve në Luginë.

Kreu i AAK-së ka akuzuar Qeverinë edhe për mos përfshirje të veteranëve në Pagën Minimale.

Kritika kishte edhe për përfshirje në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut dhe për kundërshtitë që sipas tij i ka shpërfaqur ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë.

Ka thënë se Kurti ka përkrahur një Qeveri që policia maqedonase patrullon me ata të Serbisë.

“Të gjitha këto janë agjendë e Kurtit, ai nuk punon për Kosovën për interesat e Kosovës, kam deklaruar se ai është i rekrutuar nga Serbia, ai e kamuflon me një lloj patriotizmi të fitoreve ditore, por ia hup Kosovës fitoret strategjike. Ju e shihi se nuk jemi afër NATO-s, kanë kaluar katër vite dhe nuk kemi asnjë njohje, se kemi forcuar statusin tonë ndërkombëtar, por jo vetëm kaq sot ne jemi të dënuar me sanksione nga BE-ja në vend që të ishte Serbia edhe pas sulmit në Banjskë. Serbia nuk është e dënuar vetëm për faktin e sjelljeve të Kurtit. Ai nuk i shërben shqiptarëve është i rekrutuar prej Serbisë. Po i jap disa shembuj i ka përçarë shqiptarët e Preshevës në mënyrën më të keqe, i ka bë pikë e pesë, është dalë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë të bartësve të saj, Ali Ahmeti. Ai as nuk e di se kënd e ka përkrah në Maqedoni por ka dalë publikisht kundër bartësve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Sot në Maqedoni qeveria e re ka marrëveshje për të patrulluar me policinë serbe. Pra Policia e Serbisë patrullon me Policinë e Maqedonisë, këtë qeveri e ka përkrah Kurti”, ka thënë Haradinaj.

Pretendimi e Haradinajt se Kurti është i rekrutuar nga Serbia, është i rëndë, dhe nuk do duhej të kalohej aq lehtë.

E për këtë çështje, folën analistët politikë, të cilët dhanë vlerësimet mbi qasjen dhe akuzat e Haradinajt ndaj Kurtit.

Preqi: Nëse Albin Kurti është i rekrutuar nga Serbia, atëherë duhet të bëhet një hulumtimi edhe më i thellë…

Fillimisht, opinionisti Dedë Preqi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se këto janë disa akuza të pabaza të Haradinajt ndaj Kurtit, pasi dihet historia dhe vuajtjet e këtij të fundit të burgjet e Serbisë.

“Sipas kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i rekrutuar nga Serbia, të cilin e quan edhe përçarës në mes shqiptarëve, dhe ai kamuflon me një lloj patriotizmi të fitoreve ditore, duke ia humbur Kosovës, fitoret strategjike.

Në ecurinë e mëtejme të një akuze të rëndë dhe të pa bazë mbi kryeministrin e Kosovës, duke i dhënë një epitet të pa qenë, si një person i rekrutuar nga Serbia, për deri sa ishte në burg të këtij regjimi të egër në Serbi, të cilit nuk iu hoqën hekurat në këmbë dhe duar deri në ditën e fundit që ndërhyri bashkësia ndërkombëtare, dhe para mediave serbe dhe ndërkombëtare, nuk i ndali intervistat dhe akuzat ndaj regjimit të egër të Millosheviqit”.

Krahas kësaj, Preqi pyeti se nëse Kurti do ishte i rekrutuar nga shteti serb, atëherë si do kishte bashkëpunuar Demaçi me të?

Image

Dedë Preqi

Sipas tij, vëllezërit Haradinaj janë të respektuar për luftën, por që tani Ramushi ia ka “huqur” me këtë deklaratë.

“Nëse Albin Kurti, do të ishte i rekrutuar nga Serbia, atëherë duhet të bëhet një hulumtim edhe më i thellë, sepse Albini ishte sekretar politik i Adem Demaçit, kur ky ishte përfaqësues politik i UÇK-së, në vitin 1998, dhe Adem Demaçin e njeh tërë bota demokratike dhe civilizuese, si një udhërrëfyes për lirinë e shqiptarëve, ishte Nelson Mandela i shqiptarëve, simboli i rezistencës së shqiptarëve.

Atëherë, si është e mundur që Adem Demaçi, të bashkëpunojë me Albin Kurtin, si njeri i rekrutuari i Serbisë, që i bie edhe Adem Demaçi, për deri sa ishte në burgun e regjimit të Serbisë, për 28 vite, do të ishte i rekrutuar nga Serbia, dhe tani njëri e tjetri, paskan qenë tradhtarë të Kosovës dhe kombit shqiptarë, sipas Ramush Haradinaj?

Jeni të respektuar për luftën e UÇK-së, së bashku me vëllezër dhe familjen Haradinaj, por sikur ia keni huqur edhe këtë herë, sepse më saktësisht se populli nuk të peshon dhe vlerëson askush dhe sikur të kishte qenë Albin Kurti, njeri i rekrutuar nga Serbia, nuk do ta kishte votuar populli mbi 50% për ta zgjedhur në udhëheqje të këtij vendi”, shpjegoi ai.

Kryeministri Kurti, sipas Ramush Haradinaj, si një njeri i rekrutuar nga Serbia, po ashtu kryeministri Kurti, edhe një përçarës në mes shqiptarëve, si në Preshevë, në Maqedoninë Veriore dhe në Shqipëri, me siguri se do ta dënonte me votën e vet populli shqiptarë në zgjedhjet e kaluara, apo në zgjedhjet e ardhshme, në të kundërtën do ta shpërblenin për shantazhe dhe propagada të rrejshme, që po ia bëjnë kundërshtarët politik.

Një qëndrim dhe një egoizëm i tillë për pushtet, shqiptarët do t’i dërgojë larg apo shumë mbrapa, dhe asgjë nuk e bënë sot më problematike udhëheqjen tonë shqiptare, se urrejtja ndër partiake dhe klanore, që po e shkatërron çdo gjë dhe atë pikë fisnikërie e kombëtare, që na ka mbetur shumë pak, që po shkatërron lakmia për pushtet.

Do të ishte e pakuptimtë të flasim për njëri-tjetrin apo të vjellim keq e më keq, kur secili mund të ketë gabime të mëdha dhe të vogla, por ata pushtetarë që janë në gjendje të marrin vendime, të zbatojnë ligje dhe të shkaktojnë efekte pozitive, të krijojnë kushte dhe të ushtrojnë një zotërim korrekt në këtë shtet, duhet të përkrahen edhe nga opozita dhe i gjithë populli i këtij vendi, sepse e kemi «ujkun» që po i mpreh dhëmbët, duke na pritë te dera”, nënvizoi Preqi.

Ndër të tjera, ai ia rikujtoi Haradinajt faktin se ishte, pikërisht ai që bashkëpunoi me Radoiçiqin, madje edhe e formoi qeverinë me të.

Për këtë, kërkoi që të mos bëj akuza pa fakte, pasi të gjithë e dinë të kaluarën e tij politike.

“Duhet secili që jep kritika të tilla, t’ia përkujton gafat edhe vetvetes, sepse populli është vrojtuesi dhe vlerësuesi i secilit pushtet, dhe kur ishe vet kryeministër i Kosovës, kontaktet me kriminelin Milan Radoiçiq, nuk mund të përjashtohen, apo të anashkalohen, dhe për ta formuar qeverinë dhe për të ardhur në pushtet, prite me orë të tëra Listën Serbe nga Beogradi, që ta merrte miratimin e Vuçiqit, për ta formuar qeverinë.

Dhe dihet fare mirë se kush e nënshkroi Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke i dhënë edhe 800 hektarë tokë të Kosovës, të cilin vet Ramush Haradinaj, më parë e kishte kundërshtuar dhe kishte protestuar për një çështje të tillë bashkë me Albinin Kurtin dhe të tjerë.

Kritikat e bazuara në fakte, janë kritika të shëndosha, të cilat duhet domosdo t’i pranojë secila shoqëri dhe demokraci, secili personalitet dhe pushtet, por kritikat që kanë fundamente të krisura dhe të shëmtuara, e dëshmojnë pozitën fyese për çdo shoqëri, po ashtu edhe për shqiptarët dhe në interes të një politike të tillë do të përfitojnë vetëm armiqtë e këtij vendi dhe këtij kombi”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Mehmeti: Ramushi do duhej të thirrej nga prokurori i përgjithshëm, për të dhënë llogari nga e ka një informacion të tillë

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti tha se ato çka deklaron Haradinaj janë marrëzira, dhe se po të kishte drejtësi, ai do thirrej nga prokurori për të sqaruar një akuzë kaq të rëndë.

Image

Faton Mehmeti

Ai në prononcimin e tij, tha se kreu i AAK-së nuk ka fakte, ai vetëm po bën propagandë kundër Kurtit.

“Marrëzira të njeriut të humbur nga arsyeja e shëndosh, dëshmi se mjerimi e ka kapluar kreun e AAK-së. Nuk ia vlen as me komentua marrëzira të tilla, e po të kishte drejtësi siç duhet, Ramushi do duhej të thirrej nga prokurori i përgjithshëm, për të dhënë llogari nga e ka një informacion të tillë. Fakt që s’ka asnjë argument përveç propagandës, për këtë duhet të japë llogari sepse është akuzë e rëndë, edhe pse të gjithë e dimë se është marrëzi”.

Po ashtu, ai tha se përmes këtyre deklaratave, Haradinaj po dëshiron të fitojë vëmendje, por në të kundërtën, vetëm sa po e forcon Kurtin.

“Gjithsesi, drejtësia duhet me marrë në pyetje, derisa Kurti bën mirë që injoron. Me qëllim Ramushi bën akuza të tilla, për të qenë në qendër të vëmendjes në kohën kur askush më nuk e merr seriozisht çfarë thotë. Në mungesë të aferave korruptive nga kryeministri, Haradinaj lëshohet në akuza krejtësisht të pabaza dhe veç sa e forcon pozitën e Kurtit karshi tij”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Read Entire Article