Ilir Daja pas çmimit si “Trajneri i vitit 2023”: Ndihem i vlerësuar, suksesi është i përbashkët

10 months ago 21

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, është ndjerë i vlerësuar pas marrjes së çmimit si “Trajneri i vitit 2023” nga portali Telegrafi, duke thënë se ky është një sukses i përbashkët.

Daja në sezonin e tij të dytë si trajner i Ballkanit solli titullin e dytë kampion në histori të klubit, teksa ata u kualifikuan gjithashtu në grupet e Ligës së Konferencës, po ashtu për herë të dytë.

Ai e mposhti konkurrencën e ashpër të Dritës për titullin e kampionit në Superligë edicionin që lamë pas, ndërsa këtë sezon përkundër të gjitha parashikimeve, e dërgoi Ballkanin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke mposhtur në Prishtinë gjigantin kroat, Dinamo Zagreb.

“Sot ndihem i vlerësuar që ndodhem këtu në portalin tuaj dhe është një sukses që  ka shumëtoren e përbashkët, ka emëruesin e përbashkët, ka punën në grup”, ka thënë fillimisht Daja pas marrjes së çmimit nga Telegrafi.

Daja nuk la pa përmendur edhe presidentin bashkë me drejtuesit e klubit dhe lojtarët, duke thënë se ata janë aktorët kryesorë në sukseset e Ballkanit.

“Presidenti, bashkë me drejtuesit e klubit, lojtarët që janë aktorët kryesorë, edhe stafi që unë drejtoj ka pasur një dyvjeçar plot suksese, jo vetëm në fitimin e titullit të Kosovës, qoftë për herë të parë dhe qoftë përsëritjes për këtë edicion, por edhe dy herë kalimet në grupet e Konferencë Ligës”.

“Kjo do të thotë kemi pasur jo vetëm një rast të shkëputur, por që kemi vazhduar në dy vite sukseset qoftë në kampionatin e Kosovës, qoftë edhe ajo pastaj që është çështje ambitor që nuk e ka arritur asnjë ekip në Kosovë, prezantimi dy herë në grupet e Konferencë Ligës”, përfundoi trajneri i Ballkanit./Telegrafi/

Read Entire Article