Imuniteti i Berishës votohet sot në Kuvend, PD në protestë (Zhvillimet minutë pas minute)

9 months ago 10
09:50 21/12/2023

Lajm i përditësuar në orën 09:49

Përmbledhje

-Zhvillohet sot seanca e radhës parlamentare. Në rendin e ditës është parashikuar që të votohet në lidhje me kërkesën e SPAK për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

-Sali Berisha ndodhet në seancën plenare. Deputetët e PD-së kanë vijuar me atë që ata e cilësojnë si mosbindje civile ku sërish kanë bllokuar foltoren me karrige. Një pjesë tjetër e deputetëve qëndron jashtë pasi janë përjashtuar nga seanca.

-Jashtë Kuvendit, opozita ka thirrur një protestë. Atje janë mbledhur dhjetëra qytetarë ndërkohë që është ngritur edhe një podium. Policia e Shtetit ka marrë masat e saj për të shmangur çdo incident të mundshëm.

-Më poshtë mund të ndiqni të gjitha zhvillimet minutë pas minute nga Kuvendi dhe protesta.

Zhvillimet minutë pas minute

09:47 – Deputetët e opozitës bllokojnë me karrige foltoren e Kuvendit


Teksa jashtë Kuvendit ka nisur protesta e paralajmëruar nga kryedemokrati Sali Berisha, brenda në Kuvend situata është e njëjtë me atë të javëve të fundit. Garda është mbledhur rreth foltores, ndërsa deputetët e opozitës kanë grumbulluar aq karrige sa kanë mundur deri më tani.

Teksa seanca pritet të nisë në orën 10:00, ‘gardhi’ i punonjësve të Gardës është jashtë e brenda. Edhe policia ndodhet jashtë përballë protestuesve të mbledhur para Kuvendit.

Nuk munguan tensionet as në hyrje të Kuvendit. Deputetët e opozitës të përjashtuar me 10 ditë, nuk u lanë të futen brenda.

Në seancën e kësaj të hëne pritet të votohet për kërkesën e SPAK për imunitetin e Berishës.

Ish-kryeministri ndodhet aktualisht në sallën e Kuvendit.

09:43 – Vokshi përplaset me gardistët: Hapu mo, kush je ti që thua do të të kontrolloj


Brenda ambienteve të Kuvendit ka pasur përplasje mes efektiëve të Gardës dhe deputetëve të Partisë Demokratike.

Deputetja Albana Vokshi nuk është lejuar që të hyjë në sallë për shkak se sipas efektivëve të Gardës nuk ka kaluar skanerin.

Kjo gjë ka shkaktuar reagimin e fortë të saj.

Albana Vokshi: Ik, kë të mbyllësh ti mo? Hapu mo.

Gardisti: Pa kontrolluar jo, kalo te skaneri.

Albana Vokshi: Kalova mo, je në terezi ti. Kujt i thua ti mo? Kalova te skaneri. Kush je ti që thua do të të kontrolloj. Kush je ti more? Hape, hape.

09:40 – 10 deputetë të PD nuk lejohen në sallën e Kuvendit, Dogjani: Skandal, vendimi është deri me 21

10 deputetë të opozitës nuk janë lejuar nga punonjësit e Gardës të futen brenda sallës së Kuvendit pasi rezultojnë të përjashtuar.

Këtë vendim e kundërshtoi deputeti i PD Asllan Dogjani i cili tha se bazuar në shkresën e Kuvendit, përjashtimit i mbaron afati më 21 Dhjetor, pra ditën e sotme. Ai hodhi akuza ndaj qeverisë, duke theksuar se pushteti është në duart e kriminelëve.

Vendimi i Parlamentit thotë deri më datë 21 dhe ua lënë gardistëve për ta interpretuar. Por këta kanë frikë nga opozita, ka një pasiguri të madhe. Sot krimineli të mban punë, qeveriset nga mafia. Presin të rrinë shqiptarët këtu, ndalohen deputetët e opozitës të hyjnë brenda. Kanë kaluar 15 ditë që unë jam përjashtuar, me 21 thotë. Ça vendimi të apelosh?! Këtu urdhëron Edi Rama. Edhe vetë deputetët e mazhorancës na thonë jemi nën presionin e Edi Ramës. Nuk ka ndodhur kurrë që fut mik një drejtor policie për të takuar një kriminel. Jemi 10 deputetë.”, u shpreh Dogjani.

09:24 – Deputeti Dashnor Sula shkon me përparëse dhe një tufë me qepë në parlament


Ditën e sotme zhvillohet seanca e radhës parlamentare. Deputeti i PD-së, Dashnor Sula kishte zgjedhur që të paraqitej ndryshe në këtë seancë.

Ai kishte veshur një përparëse të bardhë ku në të shkruhej sterilizim. Përveç kësaj kishte marrë një fletë formati me mbishkrimin AZHBR dhe një tufë me qepë. Për gazetarët, ai u shpreh se do të vijojë aksioni opozitar.

“Sot kam ardhur në mënyrë simbolike për t’i treguar mazhorancës, PS, që të gjithëve, që aksioni jonë parlamentar, i kolegëve të mi nuk është për interesa personale, absolutisht kush e gjykon dhe e bën pis për zotin Berisha, por aksioni jonë ka filluar më 5 Tetor dhe do vijojë derisa të vihet në vend e drejta jonë kushtetuese”, tha Sula.

Sipas tij, mazhoranca pengon me forcën e kartonit ngritjen e komisioneve hetimore.   

“Të gjithë qytetarët shqiptarë e dinë që opozita ka që nga data 5 tetor e cila proteston, ka një aksion opozitar sa i përket ngritjes së komisioneve hetimore, që kjo mazhorancë i pengon me forcën e kartonit dhe nuk lejon të bëhen hetime për të parë çfarë ka ndodhur me koncesionet e sterilizimit, AZHBR, të gjithë i dimë abuzimet nga kjo mazhorancë”, tha ai.

REDAKSIA TVKLAN.AL



Read Entire Article