Inagurohet gjimnazi “Partizani”, Manastirliu: Investojmë në 60 shkolla në të gjithë vendin

11 months ago 17
Reklamë

“Ministria e Arsimit dhe Sportit është duke financuar 60 shkolla në të gjithë vendin, së bashku me bashkitë dhe partnerët. Nuk do të ndalemi së investuari për dijen. 30 shkolla përfundojnë këtë vit, dhe duke filluar nga viti tjetër, hapen kantieret në 30 shkolla të tjera”,- tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu gjatë inagurimit të Gjimnazit “Partizani”, ku ishte e pranishme së bashku me kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku.

Gjatë fjalës së saj Ministrja Manastirliu, nënvizoi rëndësinë e një pakete të re të unifikuar për bazën e materialeve didaktike në të gjitha shkollat. “Për ne është shumë e rëndësihme që të gjithë të kenë standardin njësoj, nga kryeqyteti, qyteti, fshati, çdo nxënës, çdo fëmijë duhet të ketë të njëjtin standard, duhet ta fillojmë këtë më unifikimin e mjeteve didaktike”, – tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka konsideruar investimin në gjimnazin “Partizani” si një nga investimet më të rëndësishme. “Unë them që është padyshim një nga shkollat më të bukura në Tiranë, është bërë me dashuri, është bërë me pasion dhe tani mezi presim të jemi tifozët tuaj më të mëdhenj, për çunat dhe gocat që do të studiojnë këtu, që do rriten dhe që do na bëjnë krenarë, dua të them që filloi një periudhë e re”,- u shpreh Veliaj në fjalën e tij.

Gjimnazi “Partizani” është rikonstruktuar dhe zgjeruar, duke garantuar kushtet bashkëkohore për 546 nxënës dhe 39 mësues që japin mësim në këtë shkollë. Ky investim ka sjellë edhe shtimin e tre klasave, palestër të re, si dhe janë shtuar hapësirat për psikologun, mjekun, dentistin dhe ambiente të tjera. Gjatë periudhës 2019-2023 janë investuar nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit 68 objekte arsimore dhe nga programi i rindërtimit janë financuar 184 objekte të reja shkollore.

Read Entire Article