Infrastruktura arsimore në fokus të Bashkisë së Tiranës

10 months ago 11
21:00 01/12/2023

Veliaj: Shkollat me të njëjtën cilësi si në qendër

Periferia e Tiranës do të jetë në fokus të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm. Teksa prezantoi draftin që pritet të kalojë në Këshill Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet infrastrukturës arsimore në këto zona.

“Do ndërtojmë nga e para shkollën 9-vjeçare ‘Ibrahim Lima’; shkollën 9-vjeçare në Arbanë, mes Vaqarrit dhe kthesës së Pezës; do ndërtojmë shkollën e mesme të bashkuar ‘Mersin Duqi’, që është në Pëllumbas, në Ibë; do ndërtojmë shkollën e re të bashkuar në Krrabë; do të rikonstruktojmë shkollën 9-vjeçare ‘Kol Jakova’; do krijojmë terrenet sportive dhe muret rrethuese për shkollat ‘Mustafa Gërblleshi’ dhe ‘Sandër Prosi’. Ambicia ime është që, me të mbaruar këtë mandat, të kemi zgjidhur përfundimisht shkollat në Njësinë 2, në zonën e Liqenit të Thatë dhe Njësinë 13”

Për kopshtet, krybashiaku propozoi një formulë te re, atë të marrjes më qira të hapësirave, ndërsa për çerdhet, ngritjen e tyre në kompanitë ku ka më shumë të punësuara gra, për t’i ardhur në ndihmë nënave.

“Në 2023 kemi përfunduar katër kopshte të reja dhe në vitin 2024 planifikojmë edhe 2 kopshte të tjera: Kopshti 37 dhe kopshti në Arbanë. Për 10 kopshte të tjera na duhet të gjejmë hapësirat dhe bashkia është gati të paguajë qiranë. Sa i përket çerdheve, kemi 9 çerdhe të reja dhe 22 të rikonstruktuara gjatë vitit 2023. Nëse kompanitë e mëdha kanë mundësi që në vendin e punës të krijojnë një hapësirë për çerdhe, është ndihmë e madhe sepse ulet volumi në çerdhet publike, dhe ne mund ta ofrojmë atë shërbim te vendi i punës.”

Për t’ju përgjigjur bumit turistik, Bashkia ka planifikuar të zgjerojë paketën turistike, me investime të reja në hoteleri dhe godina të reja kulturore. Muzeu etnografik i Tiranës, investimet për Teatrin e ri Kombëtar, ngritjen e muzeut të Artit Modern, Qendra Kulturore për Fëmijët janë projektet që zënë një pjesë të rëndësishme në këtë projektbuxhet.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article