Ish-zyrtari i Clintonit dhe Obamës komenton deklaratat e Hovenierit dhe Hillit, jep një paralajmërim për ardhjen e “Zonjës së Hekurt”

2 months ago 7
Reklamë

Kaja Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, tashmë do të jetë shefja e re e dipomacisë në Bashkimin Evrian.

Ajo është quajtur shpesh “Zonja e re e Hekurt e Evropës”, për shkak të qasjes anti-ruse. Ajo ka theksuar vazhdimisht se i jep mbështetje të plotë Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.

Zgjedhjen e Kallas në këtë pozitë, e ka komentuar ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Charles Kupchan.

Ai ka thënë se pavarësisht se kush është në ekipin e ri, ata do të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj Kosovës dhe Serbisë, për dialogun mes të dyja vendeve.

“Ekipi drejtues në largim i BE-së, së bashku me homologët e tij në Uashington, i ka vënë prioritet avancimit të dialogut Beograd-Prishtinë. Pres që ekipi i ri, pavarësisht nëse është apo jo Kallas krerja e re e diplomacisë së BE-së, të vazhdojë të bëjë presion”, ka deklaruar Kupchan për gazetën “Bota sot”.

Profesori në Universitetin Georgetown, ka folur edhe lidhur me deklaratat “kundërthënëse” të ambasadorëve amerikanë në Kosovë e Serbi, për qëllimin përfundimtar të dialogut Kosovë-Serbi.

Derisa në Kosovë, ambasadori Jeffrey Hovenier thotë se qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja reciproke, në Serbi, ambasadori Christopher Hill thotë se njohja nuk është kusht i BE-së si pjesë e këtij procesi.

Sipas ekspertit amerikan, që shërbeu në kohën e sekretares amerikane Hillary Clinton dhe presidentit Barack Obama, “qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja reciproke dhe pranimi eventual i Serbisë i Kosovës si shtet i pavarur”.

“Ky qëllim vjen në fund të procesit që renditet. Plani aktual i BE-së kërkon normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, por ky është një hap në rrugën drejt njohjes përfundimtare. Pres që njohja e Kosovës nga Serbia të jetë parakusht për anëtarësimin eventual të Serbisë në BE”, ka theksuar Kupchan për gazetën “Bota sot”.

comment

Read Entire Article