ISIS merr përgjegjësinë për shpërthimet vdekjeprurëse në Iran

10 months ago 16
08:54 05/01/2024

Shteti Islamik (IS) e ka marrë përgjegjësinë për dy shpërthimet në Iran, ku u vranë së paku 84 njerëz gjatë shënimit të përvjetorit të një ish-komandanti iranian, i cili ishte vrarë para katër vjetëve nga një sulm ajror amerikan.

Në një komunikatë në Telegram të enjten, grupi militant tha se dy prej anëtarëve të tij “i aktivizuan jelekët e mbushur me eksplozivë” në tubimin ku po shënohej përvjetori i vrasjes së Qasem Soleimanit, ish-komandantit të forcës elitare, Quds, të mërkurën në qytetin Kerman.

Shpërthimet e së mërkurës kanë nxitur frikën se mund të zgjerohet konflikti në rajon, pasi Izraeli po e vazhdon luftën kundër grupit të cilësuar organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, Hamas, në Rripin e Gazës, dhe grupi rebel Huthi nga Jemeni, i cili është i lidhur me Iranin, po i vazhdon sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Rreth 284 janë plagosur nga këto dy shpërthime, sipas tij.

Autoritetet iraniane e shpallën 4 janarin ditë zie për viktimat e shpërthimeve.

Komandanti i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit i hodhi poshtë raportimet në mediet iraniane se kishte të shtëna me armë në Kerman të enjten.

Më herët të enjten, një ndihmës i presidentit të Iranit i fajësoi Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për shpërthimet.

Shtetet e Bashkuara i kanë hedhur poshtë pretendimet se Izraeli apo Uashingtoni ishin përgjegjës për shpërthimet.

Presidenti i Iranit, Ibrahim Raisi u zotua se “padyshim, autorët e këtij akti frikacak do të identifikohen dhe për aktin e tyre do të ndëshkohen së shpejti nga forcat e sigurisë dhe rendit”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, gjithashtu i dënoi shpërthimet, ndërsa zëvendësi i të dërguarit special për Iranin i SHBA-së tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara po ndjekin nga afër zhvillimet.

Dhe ndërsa informacionet po vijnë ende, ne si kudo, pikëllohemi për çdo humbje të jetës së civilëve. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën”, Abram Paley.

Përvjetorët e vdekjes së Soleimanit edhe më parë kanë tërhequr turma të mëdha.

Në funeralin e Soleimanit më 2020 mijëra njerëz morën pjesë dhe shtypën njëri-tjetrin, duke lënë të vdekur 56 persona dhe të plagosur më shumë se 200 të tjerë.

Soleimani ishte arkitekt i aktiviteteve ushtarake rajonale të Iranit dhe konsiderohej si ikonë kombëtare në mesin e mbështetësve të teokracisë në Iran.  /REL


Read Entire Article