Italia kërkon sot kualifikimin, një pikë në Belgjikë i dërgon “Axurrët” në çerekfinalet e Ligës së Kombeve

9 hours ago 29

Italia ka mundësinë të kompletojë një ecuri thuajse perfekte deri më tani në ligën e kombeve, duke siguruar një biletë kualifikimi që sot në mbrëmje për në çerekfinalet e Play Off të këtij kompeticioni.

Axurret luajnë në Bruksel kundër Belgjikës dhe do t’i mjaftojnë një pikë për të realizuar këtë objektiv.

Me dy ndeshje ende të mbetura, Italia kryeson me 10 pikë, Franca 9 dhe Belgjika 4, ndaj skuadra e trajnerit Spaleti sot ka dy rezultate për kualifikimin matematikor, fitore ose barazim.

Natyrisht për Italinë, do të ishte mirë të shmangte vendin e dytë në grup duke qenë se në këtë rast në shortin e 22 nëntorit do të gjente përballë një mes Spanjës, Gjermanisë dhe Portugalisë.

Ndërsa në rast se e mbyll grupin e para, mbi Francën, për Axurrët në letër do të ishte një short ndjeshëm më i lehtë me Kroacinë ose Poloninë, Holandën ose Hungarinë, Danimarkën ose Serbinë.

Çerekfinalet e Play Off të ligës së kombeve do të zhvillohen në muajin mars 2025 dhe katër ekipet që do të fitojnë do të përballen me njëra tjetrën për trofeun e Ligës së Kombeve në qershorin e vitit të ardhshëm në një Final Four.

Duke marrë në konsideratë këtë rrugëtim të mundshëm, Italia shkon sonte në Belgjikë me synimin për të fituar.

Djajtë e Kuq janë të vetmit që kanë ndalur axurrët deri me tani në një barazim 2 me 2 në Olimpiko, ndeshje të cilën Italia edhe pse e udhëhoqi që në fillim 1 me 0 u detyra të pranojë një pikë pasi luajti që prej mesit të pjesës së parë me 10 lojtarë. Për ndeshjen sot në transfertë Spaleti nuk ka dilema.

Si zakonisht në portë do të jetë Donaruma, ndërsa në mbrojtjen me tre, Di Lorenco, Buoxhorno dhe Bastoni. Kambiazo dhe Dimarko nga krahët, ndërsa Rovela, Fratezi e Barela në mesfushë me Tonalin të shtyrë më përpara në mbështetje të Retegit./vizionplus.tv

Read Entire Article