Izraeli bombardon Gazën dhe paralajmëron se Hamasi është afër “shpërbërjes”

10 months ago 26
08:16 12/12/2023

Izraeli ka vazhduar të bombardojë Rripin e Gazës edhe të martën, teksa ka thënë se fushata e tij për ta shkatërruar Hamasin, e ka lënë grupin palestinez “në prag të shpërbërjes”.

Hamasi, grup radikal që udhëheq Gazën me 2.4 milionë banorë, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Liderët për çështje humanitare frikësohen se Gaza mund të kthehet shpejt në zonë të sëmundjeve dhe urisë së madhe, andaj janë duke shtuar presionin diplomatik ndaj Izraelit që të bëjë më shumë përpjekje për t’i mbrojtur civilët.

Hamasi ka thënë të martën se përleshjet kanë ndodhur në qendër të Gazës, ndërsa dëshmitarët kanë raportuar për sulmeve vdekjeprurëse izraelite në jug të territorit.

Sulmet ajrore izraelite kanë lënë të vdekur të paktën 12 persona në qytetin jugor Rafah, afër kufirit me Egjiptin, ku dhjetëra mijëra njerëz tentojnë të strehohen, ka raportuar agjencia palestineze e lajmeve Wafa.

Sulmet e së hënës e kanë shënjestruar qytetin kryesor jugor Han Junis, i cili është kthyer në epiqendër të luftimeve.

“Hamasi është në prag të shpërbërjes – ushtria është duke marrë kontrollin e bastioneve të fundit”, ka thënë ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, të hënën.

Lufta ka nisur më 7 tetor, si pasojë e sulmeve të Hamasit në Izrael, duke lënë 1.200 njerëz të vrarë, dhe duke marrë rreth 240 pengje në Gazë.

Izreaeli është përgjigjur me ofensivë, e cila e ka shndërruar një pjesë të madhe të Gazës në gërmadhë, dhe ka lënë të vrarë të paktën 18.200 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 1.9 milion banorë në territorin me 2.4 milionë të tillë, janë zhvendosur nga lufta, pjesa më e madhe fëmijë.

Luftimet dhe bombardimet e ashpra në jug – ku Izraeli u ka kërkuar paraprakisht civilëve që të strehohen – i ka lënë njerëzit me pak mundësi se ku të shkojnë.

Umm Mohammed al-Jabri i ka humbur shtatë fëmijë si pasojë e sulmeve ajrore në Rafah, pasi është larguar prej veriut në jug të Gazës.

“Më kanë mbetur edhe katër fëmijë”, ka thënë Jabri, 56 vjeç.

“Natën e kaluar, ata bombarduan shtëpinë ku ishim dhe e shkatërruan. Ata na kanë thënë se Rafah do të jetë vend i sigurt. Nuk ka vend të sigurt”.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë të hënën se civilët në Gazë po përballen me situatë katastrofike, dhe e ka krahasuar shkatërrimin e territorit, me atë të Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në mungesë të furnizimeve dhe përkeqësim të kushteve higjienike, gratë dhe vajzat në Rafah kanë thënë se detyrohen të përdorin rroba gjatë ciklit menstrual në vend të pecetave.

“Shqyej rrobat e fëmijëve të mi, apo çfarëdo rrobe që gjej”, ka thënë 25-vjeçarja Hala Ataya për agjencinë e lajmeve AFP.

Organizatat ndërkombëtare për ndihmë përballen me shumë pengesa për të dërguar ndihmë te banorët e Gazës, pasi vetëm pika kufitare Rafah është e hapur për qarkullim. /REL


Read Entire Article