Izraeli ka intensifikuar fushatën ajrore në Gaza, dhe fokusi kryesor i bombardimeve të tij është Khan Younisi në jug, ndërsa raportohet së fundi edhe për luftime në Rafah, pranë kufirit me Egjiptin.
Katër persona janë vrarë edhe në Jenin, në Bregun e pushtuar Perëndimor, të goditur sipas dëshmitarëve nga një sulm me dron. Shtetet e Bashkuara e nxitën qeverinë izraelite të ketë prioritet jetë e civilëve. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Nathaniel Tek u shpreh se nevojiten udhëzime më të qarta për t’i lejuar njerëzit të largohen nga konflikti, edhe pse siç thotë ai, Hamasi gjithashtu ka përgjegjësi për të mbrojtur civilët. I ngarkuari i BE-së për politikën e jashtmë, Joseph Borell u ankua megjithatë se Izraeli nuk po ua vë veshin apeleve të partnerëve.
“Në takimin e G7 ne thamë ndër të tjera, se Izraeli nuk duhet të përdorë në jug të Gazës të njëjtat taktika që përdori në veri. Ndërkohë, bombardimet tani po vazhdojnë me një intensitet të jashtëzakonshëm. Pra, është e njëjta situatë në mos më keq”, tha Borrell.
Borrell kritikoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara, të cilat së fundi vunë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju-Jork veton ndaj thirrjes për një armëpushim të ri humanitar për Rripin e Gazës. Kryediplomati i BE-së tha se ky vendim është për të të ardhur keq. Komentet e tij erdhën në kuadrin e një takimi të ministrave të jashtëm të bllokut, ku në takimin e ministrave të Jashtëm u diskutua edhe çështja, nëse kolonëve ekstremistë izraelitë duhet t’u ndalohet hyrja në BE.
Borrelli tha pas takimit se do t’u paraqisë një propozim shteteve të BE-së bazuar në modelin e SHBA-së. Shtetet e Bashkuara vendosën javën e kaluar sanksione për viza ndaj kolonëve hebrenj që kryejnë akte dhune kundër civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar. SHBA dëshiron t’i refuzojë hyrjen kujtdo që “minon paqen, sigurinë ose stabilitetin në Bregun Perëndimor”.
Marka e njohur e veshjeve sportive Puma sakaq ka vendosur t’i japë fund sponsorizimit të ekipit kombëtar të futbollit të Izraelit, sipas Financial Times. Megjithatë, burime të paidentifikuara i thanë gazetës së njohur se vendimi i kompanisë për të mos rinovuar kontratën me Federatën e Futbollit të Izraelit është marrë një vit më parë, duke insistuar se kjo lëvizje nuk lidhet me thirrjet për bojkot dhe është marrë për arsye financiare.
Top Channel