Sipas zëdhënësit të qeverisë izraelite, Eylon Levy, sulmi ajror që vrau 86 njerëz në një kamp refugjatësh në Gazë, ishte një “gabim dhe se shpreh keqardhjen e tij”.
Incidenti në prag të Krishtlindjeve thuhet të ketë ndodhur për shkak të përdorimit të një “municioni të gabuar”.
Megjithatë, Levy nuk pranoi të kërkonte falje për humbjen e jetëve, për arsye se siç është theksuar shpesh nga izraelitët, kjo fushatë ushtarake ka për qëllim shkatërrimin e Hamasit dhe jo vrasjen e civilëve.
“Ne nuk do të kërkojmë falje për këtë fushatë, e cila po sjell para drejtësisë regjimin historik të Hamasit”, tha ai.
Pra, Levy konfirmoi se incidenti ndodhi për shkak se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kishin përdorur municione të gabuara, por ende nuk dihet se çfarë lloji.
“Vdekjet e civilëve janë për të ardhur keq, por në luftë është e pashmangshme që do të bëhen gabime”, theksoi zëdhënësi.
Lufta e Izraelit kundër Hamasit thuhet të vazhdojë derisa regjimi të dorëzohet dhe të lirojë pengjet e mbetura që militantët i morën gjatë sulmit të 7 tetorit, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Edhe pse numri i të vdekurve sa vjen e shtohet, sulmi në kampin e refugjatëve në Maghazi llogaritet të jetë më i rëndi, ku shumë prej të vdekurve përfshinin gra dhe fëmijë.
Izraeli ka akuzuar Hamasin për përdorimin e shkollave dhe spitaleve për t’u fshehur pas civilëve, duke i vënë ata në rrezik, por sulmi i Maghazit ka shtuar kritikat për sjelljen e Izraelit.
OKB-ja dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se civilët nuk po mbrohen, por Levy u shpreh se ata nuk duan që civilët të qëndrojnë brenda bastioneve të Hamasit, pasi nuk janë ata caku i izraelitëve.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë të Hamasit, deri më tani 21 mijë njerëz janë vrarë në Gazë. /Telegrafi/