Izraelit i kanë mbetur vetëm pak javë në dispozicion në luftën ndaj Hamasit

9 months ago 26
Reklamë

Nga The Economist 

Kanë kaluar nëntë javë që kur Izraeli filloi bombardimin e Rripit të Gazës dhe gjashtë që kur dërgoi forcat tokësore. Të dhënat tregojnë se rreth 18 mijë palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelit, pjesa më e madhe civilë të pafajshëm.

Ndonëse numri i civilëve të vrarë është tejet i lartë, Izraeli ende nuk ka arritur objektivin e tij, që është shkatërrimi i grupit terrorist të Hamasit.

Hamasi njihet si lëvizje islamike që udhëheq Gazën, ndërsa konfliktet mes dy vendeve u ringjallën nga sulmi që ky grup, shpallur terrorist nga shumë superfuqi të botës, zhvilloi ndaj Izraelit më 7 tetor. Si pasojë mbetën të vrarë 1200 izraelitë, ndërsa u morën peng 240 njerëz.

Teksa “pengjet” janë garancia e vetme e Hamasit për negociata, Izraeli ka ashpërsuar ofensivën në ditët e fundit. Sulmet që kanë prekur zona të banuara dhe vrarë civilë të pafajshëm, më së shumti gra dhe fëmijë, kanë marrë kritika nga shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në nisje të kësaj ofensive shprehën mbështetjen e plotë ndaj Izraelit, përmes vizitës të sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.

Ky i fundit në një deklaratë me kryeministrin izraelit u shpreh se Amerika është krahu i djathë i Izraelit dhe terrorizmi duhet luftuar. Por mbështetja e SHBA ndaj Izraelit ka dhënë shenjat e para të ‘tkurrjes’. E gjendur përpara ‘presionit’ të botës, SHBA ka kërkuar vazhdimisht nga Izraeli që të kujdeset më shumë për civilët.

Nga ana tjetër, Izraeli pretendon se ka goditur vetëm zona për të cilat ka informacion se janë “strofulla” për terroristët.

Forcat izraelite kanë vendosur një divizion të tërë ajror rreth qytetit jugor të Khan Younis, ku beson se liderët e lartë të Hamasit tani janë të ngujuar. Tre divizione të blinduara janë ende duke operuar në sektorin verior, në qytetin e shkatërruar të Gazës. Po ashtu, luftime të ashpra janë zhvilluar edhe në zonat Shujaiya dhe Jabalia të qytetit.

Izraeli po shkatërron tunele, ku pretendohet se strehohen luftëtarët e Hamasit, si dhe infrastrukturën, ushtarake e civile, në qytet dhe në periferi të tij.

Ndonëse rruga drejt arritjes së objektivit të Izraeli duket e vështirë, sërish në deklaratat e fundit theksohet se rezistenca e Hamasit është shembur. Pamjet në rrjete sociale tregojnë për burra palestinezë të zhveshur e të shtrirë në tokë, të cilat Izraeli i përshkroi si dorëzim apo kapje peng të terroristëve që luftojnë për Hamasin.

Forcat Izraelite kanë ngritur flamurin izraelit në sheshin e Palestinës në qytetin e Gazës dhe kanë ndezur qirinj në disa vende të fushëbetejës.

Megjithatë, triumfi duket i largët, në një kohë ku presioni rritet nga “sytë e botës”, por edhe nga vendasit, të cilët kërkojnë rikthimin e pengjeve në shtëpi.

IDF mund të ketë shkatërruar deri në gjysmën e forcës së Hamasit prej ndoshta 30,000 luftëtarësh. Por Hamasi ka ende mijëra që dalin nga tunelet në pritë kundër ushtarëve izraelitë. Sipas një përditësimi të forcave izraelit, rreth 100 ushtarë u vranë gjatë luftës tokësore.

Hamasi mban ende të paktën 130 pengje, të cilët nuk u liruan kur të dyja palët shpallën armëpushimin dhe shkëmbyen robër në nëntor.

Ata janë në rrezik nga bombardimet e vazhdueshme. Më 8 dhjetor, ushtarët izraelitë u plagosën në një përpjekje të dështuar për të shpëtuar një peng. Hamasi më vonë tregoi pamje të tmerrshme të një pengu të vdekur, një civil izraelit 25-vjeçar. Hamasi pretendon se izraelitët e vranë atë në përpjekjen e tyre të shpëtimit, teksa Izraeli pretendon se ishte Hamasi që kreu vrasjen.

Forcat izraelite kanë vrarë një numër komandantësh të lartë në terren, por Yahya Sinëar, shefi i përgjithshëm i grupit në Gaza, dhe Muhammad Deif dhe Marëan Issa, komandantët e forcës së tij luftarake, kanë mbijetuar deri më tani. Kjo është pjesërisht falë rrjetit të Hamasit prej qindra milje tunelesh, të cilat Izraeli nuk ka arritur t’i shkatërrojë pavarësisht bombardimeve dhe kërkimeve me dronë.

Gjeneralët izraelitë kanë thënë që nga fillimi i luftës se do të duheshin muaj të tërë operacionesh të mundimshme që përfshinin ushtarë në terren për të shkatërruar këtë rrjet. Më shumë se dy muaj më vonë ata ende po parashikojnë një vonesë disamujore në arritjen e objektivit, por koha po kthehet në rivalin potencial të Izraelit, teksa bota gjithnjë e më shumë po kërkon mbrojtjen e civilëve në Gazë.

Më 8 dhjetor, Arabia Saudite depozitoi një rezolutë ku kërkohej armëpushimi i menjëhershëm mes Hamasit e Izraelit, në Këshillin e Sigurimit të OKB. SHBA votoi kundër, si një shenjë që mbështetja ndaj Izraelit ende nuk ka shteruar, teksa Mbretëria e Bashkuar abstenoi dhe 13 vende të tjera të Këshillit të Sigurimit votuan pro.

Vota kundër e SHBA bëri që edhe njëherë Shtëpia e Bardhë të “kryqëzohet” gjerësisht nga bota, duke e akuzuar si përgjegjëse e vrasjes së grave, fëmijëve dhe civilëve të shumtë në Gaza.

Por, SHBA vendosi që mbështetjen ndaj Izraelit ta rikonfirmonte, duke dërguar  14,000 predha tankesh 120 mm, një nga municionet kryesore që IDF po përdor në operacionin e saj tokësor.

Në publik, të dyja qeveritë mohojnë që administrata e Presidentit, Joe Biden të ketë vendosur ndonjë lloj afati për izraelitët për të përfunduar ofensivën e tyre. Por disa burime të mediave ndërkombëtare kanë konfirmuar se gjatë vizitës së tij të fundit në Izrael, Antony Blinken, ka kërkuar që forcat izraelite të përmbyllin misionin e tyre brenda vitit 2023.

Ndërkohë, administrata po kërkon gjithashtu që Izraeli të bëjë shumë më tepër për të lehtësuar vuajtjet e palestinezëve, veçanërisht në Gazën jugore. Rreth 2 milionë njerëz, më shumë se tre të katërtat e zhvendosur nga shtëpitë e tyre nga luftimet, vuajnë mungesën e ujit dhe ushqimit, si dhe të medikamenteve.

Por as paqja dhe as kushtet e përballueshme të jetesës nuk ka gjasa të kthehen së shpejti. Bombardimet izraelite të Gazës mund të marrin fund, por Izraeli ka të ngjarë të vazhdojë një fushatë me intensitet më të ulët duke u mbështetur në forcat tokësore të lëvizshme. Në këtë skenar, Hamasi do të vazhdojë të kontrollojë disa pjesë të Gazës, duke “kapitulluar” sulmin e pëgjakshëm të Izraelit. Kështu Izraeli do të ketë dështuar në qëllimin e tij kryesor për të shkatërruar autorët e masakrës së 7 tetorit./vizionplus.tv/

Read Entire Article