“Jam mik personal i Serbisë”, presidenti Macron përfundon vizitën në Beograd

2 weeks ago 40
Reklamë

“Franca është mikja më besnike e Serbisë”. Është kjo fraza e shprehur nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron në krah të të cilit qëndronte Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Macron lavdëroi Beogradin, ecurinë ekonomike dhe të ardhmen evropiane, duke mos pasur asnjë ekuivok nga e kaluara historike midis Parisit dhe Beogradit. Në përfundim të vizitës dy ditore në Serbi, shefi i Elysee, e etiketoi veten e tij si mik personal i Serbisë.

“Faleminderit për këtë vizitë, Franca është mike e Serbisë dhe unë personalisht jam mik i Serbisë. Kemi bisedime në nivel strategjik në të gjithë sektorët, ekonomik dhe kulturor. Mendoj se kemi mundur të përmirësojmë marrëdhëniet mes Francës dhe Serbisë dhe dijeni se Franca është mik besnik i Serbisë”, tha Emmanuel Macron, raporton A2 CNN.

I pranishëm në ceremoninë e zbulimit të pllakës në aeroportin ‘Nikola Tesla’, Macron përgëzoi Beogradin për faktin se ka zgjedhur një konsorcium francez për përfundimin me sukses të punimeve për aeroportin e ri të Beogradit. Nga ana e tij, Presidenti i Serbisë, falënderoi Emmanuel Macron për investimet ekonomike në Serbi.

“Ne nuk mund ta kishim bërë këtë investim pa ndihmën e Francës, i falënderojmë pafund për këtë. Ky është një lajm i madh për qytetarët tanë. Edhe një herë President, i dashur mik, faleminderit pafund për këtë vizitë. Faleminderit për besimin që i keni treguar Serbisë dhe mikpritjen dhe nderin që i keni bërë vendit tonë të vogël”, u shpreh Vuçiç.

Serbia finalizoi marrëveshjen për blerjen e 12 avionëve të sofistikuar luftarak ‘Rafale’ me Francën. Kjo është marrëveshja më e madhe për armët e Serbisë që kur u nda me Malin e Zi në vitin 2006, dhe shënon një shkëputje nga aleati dhe furnizuesi kryesor me armatime, Rusia.

Read Entire Article