Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, zhvilloi një takim zyrtar me Kryetarin e Komisionit të Çështjeve Europiane në Senatin Italian, Giulio Terzi, i cili po viziton Shqipërinë së bashku me anëtarët e tjerë të këtij komisioni. Në përfundim të takimit, Tabaku falënderoi homologun italian për mbështetjen që Italia ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe për ndihmën e ofruar në miratimin e marrëveshjes për pensionet mes dy vendeve.
Gjatë konferencës për shtyp, deputetja demokrate vuri theksin tek dy shqetësime kryesore: roli i pazëvendësueshëm i opozitës në procesin politik të vendit dhe rëndësia e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ajo theksoi se opozita duhet të ketë një hapësirë më të madhe në Parlament dhe të jetë një pjesëmarrëse aktive në balancimin e pushteteve.
” Roli i opozitës nuk mund të dublohet. Përfshirja e saj është kyçe për një demokraci funksionale dhe për të garantuar legjitimitetin e proceseve të rëndësishme, siç është integrimi europian. Italia ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fuqishme e Shqipërisë në këtë rrugëtim, dhe ne vlerësojmë rolin e saj të veçantë ,” u shpreh Tabaku.
Një tjetër çështje e rëndësishme që u trajtua ishte procesi zgjedhor i vitit të ardhshëm. Tabaku e quajti zgjedhjet “lakmuesin për qeverinë,” duke i kritikuar autoritetet për mungesën e reformës së plotë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR. ” Ne nuk mund të lejojmë që një vend që synon të hapë negociatat për anëtarësim në BE të ketë ende sfida me standardet zgjedhore, ” nënvizoi Tabaku.
Ajo përfundoi deklaratën duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, si Italia, dhe falënderoi senatorin Terzi për mbështetjen e tij të vazhdueshme për Shqipërinë, veçanërisht në çështjen e pensioneve.
Fjala e plotë në Konferencë nga deputetja demokrate Tabaku
Sot Shqipëria ecën në procesin e integrimit. Unë me zotin Terzi ngrita dy shqetësime kryesore të cilat edhe si kryetare e Komisionit të Cështjeve Europiane por njëkoëhsisht edhe si përfaqësuese e opozitës janë elementë të rëndësishëm dhe kyc në procesin e integrimit për Shqipërinë. Shqipëria nuk ka asnjë dyshim që i përket BE, që Shqipëria është gjeografikisht në Europë dhe në emër të opozitës e konfirmova që nuk ka asnjë të ardhme tjetër për Shqipërinë përvec këtij procesi por na takon ne që ta bëjmë Shqipërinë perëndim dhe për këtë arsye shqetësimet që unë ngrita me zotin Terzi lidhen me të gjitha kriteret e detyrimet që Shqipëria duhet të plotësojë në këtë proces duke u fokusuar tek dy elementë kryesorë. I pari, roli i opozitës në këtë proces, roli i opozitës në procesin politik në Shqipëri, rëndësia që ka përfshirja e opozitës dhe hapësira që duhet të ketë opozita në Parlament po dhe balanca e pushteteve me rolin që duhet të luajë Parlamentidhe së dyti, rëndësinë e procesit zgjedhor që ne kemi vitin e ardhshëm. Të gjithë jemi koshient dhe kemi qenë prezent kur Shqipëria në raport pas raporti,por dhe në cilësimet e Komisionit Europian dhe jo vetëm edhe në raportin e fundit të OSBE ODIHR,ka pasur shqetësim zhvillimin e zgjedhjeve. N enuk mund të lejojmë dhe nuk mund të pranojmë që një vend i cili pret që të hapë negociatat të ketë akoma sfida dhe standarde për zgjedhjet që sigurisht nuk i takojnë një vendi në këtë proces. Këto dy shqetësime unë i theksova duke pasur parasysh faktin që Italia është një nga mbështetëset më të mira të Shqipërisë, është avokatja më e mirë e Shqipërisë dhe nga ana tjetër këtë vit për herët ë parë ne do të kemi dhe shumë shqiptarë që jetojnë jashtë, pjesë e diasporës që do të votojnë në procesin elektoral. Për ta mbyllur këtë komunikim të shkurtër nga ana ime unë dua t’ja jap fjalën senatorit Terzi duke e falenderuar atë për rolin e vecantë që ai ka luajtur edhe gjatë firmosjes së marrëveshjes së pensioneve. Jo cdo gjë e bëjnë qeveritë, Senati italian dhe senatori Terzi kanë luajtur një rol të vecantë në këtë proces duke shtyrë atje përpara edhe në komunikim me ne për të gjithë proceduren ligjbërëse.Senator faleminderit dhe mirëseerdhët në Tiranë ju dhe dy zonajt e nderuara që janë pjesë e delegacionit tuaj!
Përgjigja e pyetjes nga gazetarët : Unë besoj që ka një shqetësim të ligjshëm që ka ardhur nga të gjithë qytetarët dhe jo vetëm për faktin që vendime të rëdnësishme për Shqipërinë dhe vendin tonë ne i marrim nga mediat ndërkombëtare . Ka shuëm shqetësime të cilat lidhen me procesin e integrimit europian dhe me zbatimin e Kushtetutës, por unë doja të përdorja një moment tjetër dhe fokusin dua ta mbaja tek diskutimi jonë këtu dhe që kemi një mik që po na ndihmon , po na mbështet dhe po jep hapësirën edhe për pyetje që lidhen me procesin e integrimit.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb