“Ka vetëm një mënyrë për ta bërë”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon si mund të bëhet Kosova pjesë e NATO-s, BE-së dhe KiE-së

2 weeks ago 32
Reklamë

Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë dhe serbët në atë pjesë presin pothuajse një veprim qoftë edhe të vogël, që të reagojnë dhe të protestojnë.

Të enjten në veri të Kosovës është hapur dega e Postës së Kosovës, përkatësisht në Mitrovicën e veriut te sheshi “Car Lllazar”. Një veprim i tillë është duke iu penguar serbëve lokalë, të cilët me pankarta në duar një grup i vogël njerëzisht kanë zhvilluar aksion atje.

Shefi i operativës rajonale në Mitrovicë veriore, Petrit Fejza, ka thënë se puna në zyrën e Postës së Kosovës, të hapur sot është duke vazhduar pa ndonjë problem.

Ai ka theksuar se çdo gjë është në rregull aty dhe se sheshi është gjatë tërë kohës nën kontroll policore.

Situatë e qetë vazhdon të jetë edhe mbi lumin Ibër, me këmbësorë që po kalojnë nga një anë e urës në tjetrën.

Hapja e degës së postës së Kosovës vjen pas mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, pas informacionit të siguruar nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) se ato degë kanë vepruar jashtëligjshëm në territorin e Kosovës.

Mbyllja e këtyre degëve të Postës së Serbisë është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe është vlerësuar si hap i njëanshëm prej autoriteteve të Kosovës.

Në degët e kësaj Poste, qytetarët kanë marrë ndihmat që ndan shteti i Serbisë për ta – pensionet dhe shtesat për fëmijë – si dhe të kryejnë shërbime tjera postare.

Për kritikat e ndërkombëtarëve kundrejt Kosovës për mbylljen e nëntë pikave të postës serbe, ka folur edhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ardian Shtuni.

I pyetur nëse bashkësia ndërkombëtare ka filluar të kundërshtojë qeverinë pothuajse në të gjitha vendimet në veri të Kosovës, Shtuni, thotë se kjo e fundit nuk i përfill këshillat dhe udhëzimet e bashkësisë ndërkombëtare.

Sipas tij, koordinimi dhe bashkëpunimi me partnerët dhe me KFOR-in nuk janë alternativa, por domosdoshmëri.

“Faktikisht është qeveria e Kosovës ajo që nuk po përfill këshillat dhe udhëzimet e bashkësisë ndërkombëtare. Veprimet e njëanshme, e të pakoordinuara me partnerët nga qeveria e Kosovës nuk janë raste të izoluara apo aksidentale por të qëllimshme dhe të vazhdueshme. Janë pjesë e një qasje sfiduese e përplasëse me partnerët jetësorë të Kosovës, që fatkeqësisht është kthyer në normë. Ta themi qartë, koordinimi dhe bashkëpunimi me partnerët dhe me KFOR-in nuk janë alternativa por domosdoshmëri. Kjo jo vetëm për garantimin e sigurisë së Kosovës dhe stabilitetin e rajonit, por edhe për arritjen e synimeve strategjike afatgjata për Kosovën”, deklaron Shtuni.

Kosova vazhdimisht ka shprehur interesimin e saj për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian, sikur për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të përparuar në rrugën e anëtarësimit në BE.

Aktualisht, të dyja ato janë në vendndalim: Kosova nuk ka marrë asnjë përgjigje për aplikimin për anëtarësim, të bërë qysh në fund të vitit 2022, ndërsa Serbia, nga viti 2021, nuk ka hapur asnjë kapitull të negociatave për pranim.

Ndërsa, shpërthimi i luftës në Ukrainë ka bërë që autoritetet në Kosovë të kërkojnë përshpejtim të anëtarësimin në NATO, por, marrë parasysh se në radhët e saj janë katër shtete që nuk e njohin Kosovën - Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia - dhe vendimi për zgjerimin duhet të merret në mënyrë unanime, ajo kërkesë nuk ka shkuar përpara.

Por, në qershor të këtij viti, Asambleja Parlamentare e aleancës miratoi, avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

Synimet e Kosovës për t’u bërë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, e Këshillit të Evropës etj, arrihen përmes bashkëpunimit dhe jo sfidimit me partnerët, thotë eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adrian Shtuni.

Sipas tij, anëtarësim në organizata ndërkombëtar është shumë më i rëndësishëm për konsolidimin e shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës se sa hapja simbolike e një ure apo mbyllja e disa pikave postare në veri.

“Nëse Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, etj., ka vetëm një mënyrë për ta bërë. Nëpërmjet bashkëpunimit me partnerët dhe mbështetjes së tyre, dhe assesi duke i sfiduar ata që të gjithë e vazhdimisht. Bashkëpunimi me partnerët për te arritur njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtar është shumë më i rëndësishëm për konsolidimin e shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës se sa hapja simbolike e një ure apo mbyllja e disa pikave postare në veri.

Prandaj duhet një qasje pragmatike e bazuar në logjikën e ftohtë që i jep përparësi synimeve strategjike afatgjata të vendit dhe të popullit dhe jo një qasje përplasëse me sponsorët e gjithçkaje që Kosova ka arritur dhe synon të arrijë”, përfundon Shtuni.

Read Entire Article