Koreja e Veriut do të deportojë ushtarin amerikan Travis King, i cili kaloi kufirin e armatosur rëndë koreano-verior gjatë një turneu në korrik.
Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut tha të mërkurën se autoritetet e Koresë së Veriut kanë përfunduar marrjen në pyetje të Travis King.
Me mbylljen e hetimeve “organi përkatës i DPRK-së vendosi të dëbojë Travis King, një ushtar i Ushtrisë Amerikane i cili hyri ilegalisht në territorin e DPRK-së, sipas ligjit të Republikës”- tha KCNA, duke përdorur emrin zyrtar të Veriut.
Agjencia nuk tha se kur autoritetet planifikojnë të dëbojnë Kingun.
Ushtari amerikan u fut në Korenë e Veriut në korrik, ndërsa ishte në një turne në anën jugore të një fshati armëpushimi ndër-korean. Ai po vuante gati dy muaj në një burg të Koresë së Jugut për sulm.
King u lirua më 10 korrik dhe po dërgohej në shtëpi në Fort Bliss, Teksas, ku mund të përballej me disiplinë shtesë ushtarake dhe shkarkim nga shërbimi.
Ai u shoqërua deri në doganë, por u largua nga aeroporti para se të hipte në aeroplan. Ishte e paqartë se si i kaloi orët derisa iu bashkua turneut në fshatin kufitar Panmunjom gjatë të cilit vrapoi përtej kufirit.
Kufiri midis dy Koreve është shumë i fortifikuar, por në Zonën e Përbashkët të Sigurisë, kufiri shënohet vetëm nga një ndarës betoni i ulët dhe është relativisht i lehtë për t’u kaluar, pavarësisht pranisë së ushtarëve nga të dyja anët.
Top Channel