“Kanë investuar shumë mund në dialogun dhe tani situata...”, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare: Ja pse janë “hidhëruar” ndërkombëtarët

1 week ago 16
Reklamë

Asociacioni i komunave me shumicë serbe është tema që po zvarritet për më shumë se një dekadë. Që nga viti 2013, por edhe në ditët e sotme, asociacioni vazhdon të jetë çështja që ende nuk ka pajtime mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe mes Kosovës dhe ndërkombëtarëve. Palët kanë arritur në të kaluarën marrëveshje për formimin e tij, për të janë hartuar drafte e propozime prej palëve të ndryshme, por Asociacioni nuk është formuar kurrë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, beson se Serbia është tërhequr nga marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, dhe konsideron që nëse vendi i saj duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, aleatët ndërkombëtarë duhet të ofrojnë garanci të sigurisë. “Zbatimi i marrëveshjes pa garanci të sigurisë, pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare, nuk ka asnjë kuptim”, ka thënë Osmani.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 21 gusht, pas një takimi me senatorin Chris Murphy në SHBA, ka thënë se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes, por për t’u zbatuar, ajo duhet të pranohet edhe nga Serbia. Në dhjetor të vitit të kaluar, ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, u dërgoi një letër zyrtarëve evropianë, në të cilën konfirmoi se Serbia ka vija të kuqe kur bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim.

Ndërsa, rikujtojmë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar disa herë që Serbia as nuk do ta njohë shtetësinë e Kosovës, e as nuk do të lejojë anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve e Bashkuara.

Asociacioni nuk është çështja e vetme që ndërkombëtarët dhe qeveria e Kosovës kanë mos pajtime, përmendim këtu çështjen e hapjes apo mos hapjes së urës së Ibrit, por edhe vendimet tjera në pjesën veriore të vendit.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ardian Shtuni, thotë se asociacioni nuk është çështja që i ka “hidhëruar” ndërkombëtarët.

Sipas tij, BE ashtu edhe SHBA kanë investuar shumë mund në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve dhe duket se në vend se situata të normalizohej ajo është përkeqësuar

“Nuk mendoj se është një çështje e vetme, por qasja jo konstruktive që është në thelb të ngërçit të krijuar. Si BE ashtu edhe SHBA kane investuar shumë mund në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve dhe duket se në vend se situata të normalizohej ajo është përkeqësuar. Shumë nga marrëveshjet e arritura nuk janë zbatuar. Kjo sigurisht është shqetësuese pasi vë në pikëpyetje seriozitetin, sinqeritetin, dhe vullnetin e palëve për të bërë atë që janë dakorduar se do të bëjnë. Askujt nuk i pëlqen të humbasë kohë me marrëveshje që palët s’kanë ndërmend t’i zbatojnë”, shprehet Shtuni.

Eksperti thotë se i njeh shqetësimet e ngritura për asociacionin, por edhe përgjigjet nga partnerët që garantojnë sigurinë e Kosovës.

Sipas tij, mos dërgimi për shqyrtim i draft statutit cenon besueshmërinë e qeverisë.

“Asociacioni është vetëm njëri prej premtimeve të pa mbajtura, por duket se është kthyer në simbolin e problemit dhe aktualisht topi i ka mbetur në fushë Kosovës. Unë i njoh shqetësimet e ngritura për asociacionin, por i njoh edhe përgjigjet që i kanë dhënë partnerët që jo vetëm garantojnë sigurinë e Kosovës prej 25 vjetësh me anë të pranisë së KFOR-it por edhe janë shprehur qartë se nuk ka pritshmëri që asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe se çfarëdo asociacioni të ngrihet duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën e Kosovës. Personalisht mendoj se së paku duhet që draftstatuti i përgatitur nga partnerët t’i dërgohet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse është në përputhje me kushtetutën apo jo. Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion kompetent ligjor që mund ta bëjë një vlerësim të tillë. Mos dërgimi për shqyrtim cenon besueshmërinë e qeverisë. Kjo nuk i shkon në favor vendit”, thekson eksperti.

Tutje, ai këshillon rikthimin e cilësisë së partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së, por edhe BE-së dhe vendeve të QUINT-it.

“Këshilla ime për rikthimin e cilësisë së partneritetit midis Kosovës dhe SHBA, por edhe BE-së dhe vendeve të Quint-it është që qeveria e Kosovës t’i kthehet me maturi dhe seriozitet bashkëpunimit me ta, jo thjesht me fjalime të bukura por me vepra konkrete. Këtë duhet ta bëjë për hir të interesave të Kosovës. Përndryshe do ta ketë shumë të vështirë të marrë ndihmën që i duhet nëse insiston me veprime të njëanshme kundër këshillave të partnerëve. Duhet shumë kujdes, pasi ka fitore të vogla që e kanë çmimin shumë më të lartë nga sa e kanë vlerën”, përfundon Shtuni.

Read Entire Article