Kaos në Kuvend. Demokratët ndezin flakadanë, PS voton ligjet në këmbë

10 months ago 16
Reklamë
15:40 02/11/2023

E enjtja risolli në Parlament një nga shfaqet më kaotike. Të vendosur për të bllokuar edhe seancën plenare të kësaj të enjteje, demokratët të mbërritur 30 minuta përpara nisjes së Parlamentit, gjetën një formë kreative për të mos lejuar socialistët të vijonin shqyrtimin dhe miratimin e projektligjeve.

Ata kishin hequr të gjitha karriget e kahut të majtë, ndërsa Garda i pengoi që të bënin të njëjtën gjë me ulëset e ministrave dhe kryeparlamentares.

Kishte mes socialistëve që e morën me sportivitet qëndrimin në këmbë, por nuk munguan dhe ata si Xhemal Qefaliaj që e ktheu në një sfidë personale marrjen e karriges nga ana e kolegëve demokratë, çka arriti ta fitojë pasi u përplas fizikisht me disa prej tyre.

Sali Berisha, i cili ishte shumë aktiv në zbatimin e kësaj strategjie të re të opozitës, jepte propozime konkrete për të mbajtur të palëvizur socialistët.

“Që t’ja u hedhim atyre në karrige dhe ne, zam, që po u ule ngele i gozhduar”.

Në mesin e këtij kaosi, kryeparlamentarja nisi seancën duke injoruar kërkesat e opozitës, ajo lexoi rendin e ditës dhe hodhi në votim të gjitha projektligjet, përfshirë dhe aktin normativ për ndryshimet në buxhetin e këtij viti.

Kryeparlamentarja Nikolla: Ne vazhdojmë në këmbë, në nderim të qytetarëve.

Ministri i Financave: Akti synon reflektimin e një rritje prej 7.5 miliardë Lekë të të ardhurave si rezultat i performancës.

Ervin Salianji, i cili në mungesë të Gazment Bardhit i përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit, kishte marrë rolin e drejtuesit të grupit parlamentar duke bllokuar foltoren dhe ndezur dhe një flakadan blu, i cili përveç se shkaktoi mjegullim të pamjes dhe kollitje të lehta të disa prej ligjvënësve, nuk e pengoi vrullin e socialistëve për të ngritur kartonat jeshilë për të miratuar çdo projektligj pa u zhvilluar asnjë debat.

Seanca u mbyll në pak minuta.

Sali Berisha, në dalje, e cilësoi të realizuar qëllimin e kësaj forme të mosbindjes civile.

 “Kjo ishte grevë dhe ata nuk respektojnë grevën”.

Ai e cilëson të turpshme mënyrën e votimit.

“Mazhoranca tregoi fytyrën e vetë që nuk ndalet para asnjë turpi”.

Por shfaqja e sotme e Parlamentit ka shqetësuar drejtuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Oficerë të kësaj strukture si dhe vetë drejtuesi i Policisë së Shtetit erdhën në Parlament pak minuta pas përfundimit të seancës.

Siç mësohet nga burime nga policia, ata kanë nisur një hetim për futjen e flakadanit në ambientet e Parlamentit si dhe për hedhjen e karriges në drejtim të punonjesit të Gardës nga Ervin Salianji.

Tv Klan








Read Entire Article