“Katastrofike për Serbinë”, politikani serb alarmon Vuçiqin/ Këto janë vendet që mund ta mbështesin Kosovën

2 months ago 11
Reklamë

Edhe pak ditë kanë mbetur që nga 11 korriku, Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Kjo ditë do të shënohet pas miratimit nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, rezolutë kjo e bashkësponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda

Forcat serbe në këtë rajon lindor të Bosnje e Hercegovinës vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

Ajo konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.

Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.

Kjo rezolutë ka ‘nervozuar’ Serbinë, por edhe ka sjellë reagime se cilat shtete do të mund të merrnin përsipër ngritjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë.

Politikani serb, Nikola Sandulovic, thotë se Kosova me mbështetjen e Gjermanisë, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe mund të ngrejë padi kundër Serbisë.

“Unë jam absolutisht i mendimit se një tjetër dënim dhe njohje nga OKB-ja se Serbia kreu një gjenocid tjetër në Kosovë do të ishte katastrofik për të dhe një mesazh krejtësisht i kthjellët për popullin serb për atë lloj qeverisjeje që kishte atëherë dhe të njëjtin lloj qeverisjeje, ende e ka tani.

Jam i sigurt se Kosova me mbështetjen e Gjermanisë, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe do të ngrejë padi kundër Serbisë për gjenocid krimet që u kanë ndodhur civilëve të pafajshëm shqiptarë”, shprehet Sandulovic për “Bota sot”.

Image

Nikola Sandulovic

Ai politikën e gabuar në Serbi e konsideron fajtore pse nuk ka ndodhur falja dhe keqardhja për krimet e Millosheviqit.

Tutje, Sandulovic shton se populli shqiptar është popull me zemër të madhe.

“Politika e gabuar gjithmonë ka pasur dhe do të ketë pasojat e saj, për fat të keq, Serbia do ta kuptojë këtë në mënyrë të vështirë dhe me vonesë të madhe. Jam i sigurt se një proces i tillë nuk do të kishte ndodhur kurrë po të kisha qenë në pushtet në Serbi dhe të kisha kërkuar falje dhe keqardhje të sinqertë për krimet e kryera në Kosovë gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviqit. Populli shqiptar do ta njihte, do ta kuptonte dhe do ta falte këtë në emër të së ardhmes së fëmijëve tanë dhe paqes që të gjithë kemi nevojë. Unë jam i sigurt për këtë dhe e kam parë vetë! Populli shqiptar është një popull me zemër të madhe”, shton politikani.

Rezoluta për Srebrenicën u votua më 23 maj të këtij viti, ku përveç Serbisë, vendet e rajonit - Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia - votuan për.

Nga vendet e Bashkimit Evropian, Hungaria ishte kundër, ndërsa Greqia, Sllovakia dhe Qiproja abstenuan.

Kina, Rusia, Bjellorusia, Kuba dhe Nikaragua ishin në mesin e atyre që votuan kundër.

Read Entire Article