Katër shqiptarë, ende të burgosur padrejtësisht në Serbi – kërkohet ndërhyrja e BE-së!

2 months ago 14
Reklamë

Serbia çdo shqiptar që ka luftuar në UÇK dhe që po kalon kufirin përmes saj po e arreston.

Kështu ndodhi edhe me katër shtetas të Kosovës, që aktualisht, ndodhen në paraburgim në Serbi nën akuzat për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa.

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha të hënën se i ka kërkuar përmes një letre javën e kaluar homologes së saj serbe transferimin e shtetasve të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgime në Serbi.

“Siç e dini, pretendimet e këtilla dhe çdo veprim pasues ligjor lidhet ekskluzivisht me juridiksionin e vendit ku këto vepra të pretenduara kanë ndodhur. Në këtë drejtim, Nezhir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa, duhet t’iu kthehen Republikës së Kosovës për t’u gjykuar drejt, në mënyrë të paanshme, nga autoriteti që është pajisur me juridiksionin e njohur nga e drejta ndërkombëtare publike”, thuhet në letrën e Haxhiut drejtuar ministres serbe të Drejtësisë, Maja Popoviq, më 28 qershor 2024.

Një gjë të tillë e mbështeti edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ky veprim është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe po ashtu edhe sipas Marrëveshjes Bazike për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, sipas Marrëveshjes Bazike për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të shpallur ligjërisht të obligueshme nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ministrja jonë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i është drejtuar ministres së Drejtësisë së Serbisë për transferimin në Republikën e Kosovës të katër të burgosurve shqiptarë në Serbi.

Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa, gjenden në burgjet e Serbisë mbi pretendimet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Republika e Kosovës ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj. Si shtet demokratik që mbron dhe siguron të drejtat e njeriut përtej standardeve evropiane, republika jonë do sigurojë trajtim të pavarur e të paanshëm ndaj çdo pretendimi që ngritet ndaj qytetarëve të saj”.

Curri: Serbia nuk do t’i transferojnë qytetarët sipas kërkesës së ministres

Image

Agron Curri

Avokati Agron Curri në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se ministrja ka të drejtë në këtë kërkesë, por që Serbia është ajo e cila nuk ka bashkëpunuar asnjëherë dhe nuk do të bashkëpunojë as edhe në këtë rast.

“Ministrja është plotësisht në të drejtën e saj si ministre të kërkojë transferimin e shtetasve të Kosovës, të cilët janë ndalë në vende tjera për dyshime të kryerjes së ndonjë vepre penale.

Serbia edhe në raste tjera për arsye politike nuk bashkëpunon me Republikën e Kosovës e as nuk ofron ndihmë juridike ndërkombëtare.

Mendoj që edhe në këtë rast ata nuk do të bashkëpunojnë dhe nuk do t’i transferojnë qytetarët sipas kërkesës së ministres”, deklaron ai.

Bujrani: Palët edhe në luftë po të jenë i ruajnë disa forma komunikimi

Image

Blerim Burjani

Si avokati Curri, edhe juristi Blerim Burjani, për këtë çështje thotë se Serbia është e pa-interesuar, dhe se nuk do të ketë ndonjë marrëveshje për transfer.

Ai shton, se Serbia nuk komunikon me Kosovën pa BE-në, duke nënvizuar se kjo që po ndodhë është jo normale.

Nuk besoj se do të ndodhë ndonjë marrëveshje për transfer, nëse kjo ndodhë do të kishte ndodhë, atëherë do të cilësohet si hap pozitiv, edhe pse për disa çështje që nuk ndërlidhen me politikën mund të ketë bashkëpunim.

Serbia nuk besoj se komunikon me institucionet e Kosovës pa ndërhyrje të BE-së, pra nuk e trajton në mënyrë të barabartë në komunikim institucionet e Kosovës.

Pra, mendoj se në një mënyrë duhet të ketë komunikim. Kjo mënyrë pa ndonjë interesim fare nuk është normale, palët edhe në luftë po të jenë i ruajnë disa forma komunikimi”, përmbylli ai për “Bota sot”.

Kujtojmë, se mbrëmë u njoftua se është arrestuar edhe një shtetas i Kosovës.

Për këtë njoftoi mërkurën ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Në një njoftim për media, Ministria serbe nuk tregoi se shtetas i cilit vend është i arrestuari, por e identifikoi atë me inicialet F.K., 56 vjeç.

Ai dyshohet se ka kryer “krime lufte kundër pjesëtarëve të ushtrisë Jugosllave në Koshare në maj të vitit 1999”, sipas Daçiqit.

Read Entire Article