Kathimerini: Greqia vazhdon të bllokojë Shqipërinë në BE, i thotë “Jo” marrëveshjes Bruksel-Tiranë

9 months ago 9
11:23 18/01/2024

Çështja e Fredi Belerit dhe insistimi i Greqisë për t’u lejuar të betohet si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, vijon të shkaktojë bllokime për Shqipërinë.

Së fundmi, Greqia ka bllokuar lidhjen e një marrëveshje mes BE-së dhe Shqipërisë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.

Pak ditë më parë në Bruksel u mbajt një takim në nivel teknik me synim lidhjen e disa marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë brenda BE-së por dhe me shtete të tjera jashtë unionit, përkatësisht me Kanadanë, Japoninë, Ganën, Moldavinë, Norvegjinë dhe Korenë e Jugut.

E përditshmja greke “Kathimerini” raporton se pala greke shprehur ka kundërshtime për Shqipërinë. Dhe për këtë, Greqia tha se së pari Shqipëria duhet të garantojë respektimin e shtetit të së drejtës.

Në këtë kontekst, Greqia kundërpropozoi që shteti më i përshtatshëm, që është dhe aspirant për të hyrë në BE, për të lidhur një marrëveshje në fushën e mbrojtjes me Bashkimin Europian, të jetë Maqedonia e Veriut.

“Ka treguar performancë më të mirë në fushën e sundimit të ligjit, ndërsa standarizimi i Forcave të Armatosura sipas standartit perëndimor ka përparuar me ritëm jashtëzakonisht të shpejtë”, shkruan Kathimerini duke pasqyruar qëndrimin e palës greke në takimin e Brukselit.

Megjithatë, propozimi i Greqisë për Maqedoninë e Veriut nuk u pranua. Por edhe çështja për Shqipërinë nuk u vazhdua më tej, edhe pse, sipas “Kathimerini”, Italia shprehu mbështetje shumë të fortë për Tiranën zyrtare.

Partneritetet e BE-së me vende të treta janë pjesë e një plani të Brukselit të quajtur strategjia e Europës 2030.

/tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article