TIRANË
Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori iu ka bërë thirrje pensionistëve të vazhdojnë protestat e tyre duke frymëzuar gjithë shoqërinë. Nga protesta para Kryeministrisë, Qori tha se mund të duket paradoksale, por sot pensionistët janë shpresa më e madhe e vendit.
Ai mori disa shembuj nga rajoni për pensionet, teksa më tej tha se në Itali paga e deputetit është sa 10-fishi i pensionit minimal, ndërsa në Shqipëri paga e deputetit është 41-herë më e lartë.
“Qeveria e Edi Ramës justifikohet se për ju pensionistët nuk ka para. E njëjta qeveri një ditë tjetër mburret se PBB është dyfishuar në këto 11 vjet. Atëherë do duhej që pensionet tuaja të ishin dyfishuar, por ata kujtohen vetëm për indeksimin mjeran. Mburren se Shqipëria ka fituar 4 mld euro nga turizmi. Do të mjaftonin më pak se 1 mld euro nga turizmi që pensioni të rritej. E njëjta qeveri që justifikohet se nuk ka para, një vit të parë me konsensus të plotë dyfishoi rrogat e deputetëve, ministrave, kryeministrit, Presidentit.
Në Italinë e zhvilluar, rroga e deputetit është sa 10-fishi i pensionit minimal. A e dini sa është në Shqipëri 41 herë më e lartë se pensioni minimal. Ne kemi një qeveri që thotë se nuk kemi para e s’jemi Gjermania e Zvicra, ne nuk mund të bëheshim nesër si Gjermania e Zvicra, por si vendet e rajonit. Kosova e ka 228 euro pensionin, 340 bosnja, 405 euro Maqedonia, 440 euro Serbia, Mali i zi 450 euro. Si ka mundësi fqinjët tanë kanë pensione disa herë më të larta se ne. Sepse ne kemi një nga qeveritë më të korruptuara dhe të paafta të rajonit dhe të gjithë botës”, deklaroi Qori.
Ai tha se protesta e pensionistëve e ka vënë në vështirësi kryeministrin Edi Rama.
“Ju me këtë protestë e keni gozhduar Edi Ramën. Edi Rama nuk ka qenë kurrë kaq në vështirësi që nga protesta e studentëve. Përditë flet për pensionet, ka lëshuar ministra, deputetë, patronazhistë. Atë që arritën 30 mijë studentë, e keni arritur ju këtu. Ta shqetësoni Edi Ramën. Mos u ndalni motra e vëllezër. Migjeni thotë o si nuk kam një grusht të fuqishëm t’i bi mu n’zemër malit që s’bëzan. Ne nuk jemi vetëm si poeti në 1930, ne jemi bashkë, jemi grushti i fuqishëm që do t’i bjerë malit të korrupsionit dhe të padrejtësive. Mos u ndalni, vazhdoni frymëzoni një popull të tërë. Është e rrallë në historinë e njerëzimit që pensionistët të bëhen lokomotiva e shoqërisë. Mund të duket paradoksale, por ju jeni shpresa më e madhe që ka Shqipëria sot”, tha Qori.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb