Kërcënimi bërthamor rus, Edi Rama: E drejtë të trembemi! Po aq e paimagjinueshme sa lufta në Ukrainë

1 year ago 25
Reklamë
18:31 20/09/2023

“Lufta e Ukrainës është një luftë e gjithëkujt që aspiron të jetojë në një botë ku kombet janë të lira e të barabarta, ku tërësia territoriale është e patjetërsueshme”. Kështu u shpreh kryeministri shqiptar Edi Rama, në fjalën e mbajtur në cilësinë e drejtuesit të debatit të Hapur të Nivelit të lartë, në Këshillin e Sigurimit në OKB. Përfaqësuesve të 50 vendeve anëtare Rama iu drejtua duke thënë se “do të ishte një fyerje për inteligjencën e kësaj organizate, nëse nuk pranojmë njëzëri dhe themi me zë të lartë kush është agresori dhe viktima e agresionit.”

Kryeministri po ashtu theksoi se një agresion në zemër të Europës nuk mund të jetë vetëm problem i Europës. “Ndërkohë që flasim më shumë se 26 mijë civilë kanë vdekur, nesër numri do të jetë më i lartë dhe do të rritet për çdo ditë që kalon aq kohë sa vazhdon kjo luftë”, shtoi ai.

Duke sjellë në vëmendje se për shumë ngjante e paimagjinueshme një luftë në shekullin e 21 në zemër të Europës, Rama tha: “Duke pasur parasysh vringëllimën e pajustifikuar bërthamore, që vjen hera herës nga nivele të ndryshme të Kremlinit, kemi të drejtë të trembemi që një ditë, larg qoftë, kjo çmenduri të shndërrohet në diçka edhe më të keqe. E mos harroni, që është po aq e paimagjinueshme sot sa ishte një luftë e tillë dje”.

Më poshtë një pjesë nga fjala:

Edi Rama: Shkëlqesi, ndërkohë që bota sot ka nevojë më shumë se kurrë për një ndjejnë të mprehtë përgjegjësie, prej të gjithëve ne, për t’u përballur me sfidat e kërcënimet që përballet planeti, konflikte, ndryshimi i klimës, përmbytjet e thatësirat etj. Ajo çfarë dëshmojmë ndërkohë, janë qëndrime gjithnjë e më shumë përçarëse, vepra shkatërrimtare dhe konfliktualitet në rritje midis e brenda shteteve. Në shumë pjesë të botës shembujt e forcës janë përhapur ndërkohë që forca e shembullit është kthyer në diçka të rrallë.

Kush mund ta përfytyronte, jo shumë kohë më parë, që në dekadën e 3 të shekullit të 21, një luftë shkatërrimtare e nisur nga një anëtar i përhershëm i këtij Këshilli, do ta vinte Europën në rrezik, duke minuar në mënyrë mizore të gjitha parimet që i dhanë jetë Kombeve të Bashkuara. Kush do të mund ta përfytyronte, vetëm pak vite më parë që një agresion i pajustifikuar dhe i padrejtë, e i pa provokuar ushtarak i një vendi të madh kundër një demokracie të re, nuk do të dënohej menjëherë, e botërisht nga të gjitha kombet që mblidhen këtu dhe ndajnë të njëjtat objektiva dhe parime.

Si ti kuptojmë, “po, por”, apo “ju bëjmë thirrje të dyja palëve”, që synojnë të shmangin që t’i thuhet bukës bukë, e që refuzojnë ta quajnë agresionin mizor me emrin e vet të vërtetë. Një tragjedi e bërë nga duart e njerëzve, që po shkakton vuajtje të pa rrëfyera, qytetarëve ukrainas, por që edhe po jehon përmes rajoneve të botës, duke cenuar rritjen dhe duke rritur çmimet dhe duke kërcënuar me uri qindra miliona njerëz.

Një agresion në zemër të Europës nuk mund të jetë vetëm problem i Europës, siç disa mendojnë, thonë apo pëshpërisin. Cinikët mund të mendojnë se ky është një problem që i ka rënë për hise perëndimit demokratik, që të merret me të, madje dhe mërmërisin se në fakt, çfarë ka bërë do të të bëhet, duke nënkuptuar se është një lloj haku i natyrshëm për diçka që mund të ketë ndodhur diku më parë në kohë të tjera. Kështu është vërtetë? Ju ftoj të gjithëve të mendoheni dy herë. Kjo luftë, agresioni, duhet të jetë një punë për të gjithë e më lini t’ju kujtoj me një parafrazim, rrëfimin tragjik të Martin Imalaran: “Së pari erdhën të merrnin Gjeorgjinë e nuk bëra zë. Më pas erdhën për Krimenë, nuk ishte vendi im, kështu që nuk fola. Më pas erdhën për të gjithë Ukrainën, por nuk isha ukrainas e kësisoj nuk thashë asnjë fjalë. Pastaj erdhën për të më marrë mua, por askush nuk kish mbetur për të më ndihmuar dhe për të më mbrojtur”.

Ndërkohë që flasim më shumë se 26 mijë civilë kanë vdekur, nesër numri do të jetë më i lartë dhe do të rritet për çdo ditë ë kalon aq kohë sa vazhdon kjo luftë. Duke pasur parasysh vringëllimën e pajustifikuar bërthamore, që vjen hera herës nga nivele të ndryshme të Kremlinit, kemi të drejtë të trembemi që një ditë, larg qoftë, kjo çmenduri të shndërrohet në diçka edhe më të keqe. E mos harroni, që është po aq e imagjinueshme sot sa ishte një luftë e tillë dje.

Shkëlqesi kemi detyrën të ndihmojmë ata që janë në nevojë, në këtë drejtim, Ukrainën dhe ukrainasit. Mund të kemi dallime, sigurisht për mënyrën sesi ta mbështesin Ukrainën për luftën e vet për liri dhe dinjitet, mund të kemi pikëpamje të ndryshme për mënyrën sesi duhet të përfundojë kjo luftë, le t’i diskutojmë. Por do të ishte një fyerje për inteligjencën e kësaj organizate, nëse nuk pranojmë njëzëri dhe themi me zë të lartë kush është agresori dhe viktima e agresionit. Është i njëjti dallim i prehtë midis Luftës e Paqes siç do t’ju kujtonte Tolstoi. Nëse nuk pranojmë këtë të vërtetë, të qartë si kristali jo vetëm që po zhgënjejmë Ukrainën dhe popullin e saj po e lemë në baltë, por gjithashtu edhe nuk po përmbushim përgjegjësinë tonë, po kompromentojmë të ardhmen, po tradhtojmë të gjithë fëmijët tanë. Lufta e Ukrainës është një luftë e gjithëkujt që aspiron të jetojë në një botë ku kombet janë të lira e të barabarta, ku tërësia territoriale është e pa tjetërsueshme./tvklan.al


Read Entire Article