Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjetet sociale, akuzon qeverinë se “po ha paratë e shqiptarëve”.
Duke reaguar pas deklaratave të ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, Basha shkruan se “ata që operojnë si bandë kriminale dhe me kode mafioze kërcënojnë njëri-tjetrin, duhet të japin llogari para drejtësisë”.
“Është e qartë se këta operojnë si bandë kriminale dhe me kode mafioze kërcënojnë njëri-tjetrin. Njëri del në dosje me krimin, tjetri në pazare korrupsioni, tjetri kanabizon Shqipërinë.
Tani e pranojnë vetë dhe të gjithë tregojnë me gisht Edi Ramën. Kudo tjetër kryeministri do të ishte dorëhequr, por në rastin e tij sa më i madh abuzimi aq më e madhe arroganca.
Se çfarë bëjnë me njëri-tjetrin, kokat hëngshin, por çfarë shqetëson shqiptarët është se ata të gjithë bashkë nuk kanë ngrënë kumbulla e dardha, por paratë e shqiptarëve, kanë abuzuar me pasuritë e tyre. Dhe për këtë duhet të japin llogari para drejtësisë, nga i pari tek i fundit”, shkruan demokrati.
Mbrëmjen e kaluar, nëpërmjet një interviste nga arresti, Ahmetaj akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se po e përdor si “kokë turku”, për të fshehur të vërtetën mbi inceneratorët.
Top Channel