Kërkesa e 47 deputetëve për “Zgjedhoren”, Gjiknuri: Po zihen për 1 karrige. Nuk e vendos PS kujt i takon përfaqësimi

8 months ago 24
13:06 26/01/2024

47 deputetë të PD-së, të grupimit Berisha-Bardhi, kanë kërkuar ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri u pyet nga gazetarët këtë të premte se pse dëgjohet vullneti i 7 deputetëve të PD që janë pjesë e grupimit Basha dhe jo i pjesës tjetër.

Gjiknuri u shpreh se PS nuk mund të bëhet gjykatësi se kujt i takon e drejta e përfaqësimit. Ai theksoi se mazhoranca garanton gjithëpërfshirje.


“Po të shikoni vendimin për krijimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përgjegjësitë, të gjitha vendimet, aty flitet për parti politike dhe jo për grupe parlamentare. Unë e kuptoj që kjo ka krijuar një lloj konfuzioni, por PS nuk mund të bëhet gjykatësi se kujt i takon e drejta e përfaqësimit. Një gjë ia garantoj, ia garantoj personalisht, që të gjitha palët të trajtohen njësoj. Çfarë do të thotë? Jo se kam unë më shumë peshë mbi të tjerët për të trajtuar gjithë njësoj, atë çka unë mund të mundësoj është gjithëpërfshirje. Çdo propozim i kujtdo anëtari sepse aty keni anëtarë nga grupimi i Gazment Bardhit, ka anëtarë nga grupimi i Berishës, foltores, ka anëtarë nga grupimi i Alibeajt apo Lulzim Bashës, ka Partia Republikane, Partia e Lirisë, PDIU-ja. Të gjithë janë të përfshirë aty. Një gjë e garantoj. Të gjitha propozimet e tyre, të hapura brenda një diskutimi normal të komisionit me mbështetjen e ekspertizës së ODIHR-t për ato çështje që kam thënë”, u shpreh ai.

Sipas Gjiknurit në komision ka përbërje të të gjitha grupimeve të PD-së dhe partive të tjera. Sipas tij, nuk është e nevojshme të humbet kohë, por të diskutohet mbi produktin që duhet të dalë dhe që duhet të jetë konsensual.

“Pse të humbim kohë, kur unë po e them sinqerisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Hajde të diskutojmë mbi produktin. Ai produkt gjithsesi konsensual duhet të dalë. Nëse s’del konsensual është çështje tjetër. Hajde të diskutojmë mbi çështjet që ju interesojnë atyre. Fatkeqësisht këta po zihen për një karrige ndërkohë koha ikën dhe nevoja e tyre fillon dhe zbehet sepse nevoja mbi të gjitha thashë është e opozitës, siç edhe ne si mazhorancë. Nuk dua të  them se nevoja është vetëm e tyre dhe ne nuk kemi interes. Është afërmendsh dhe unë e di sepse e kam bërë këtë punë edhe në opozita. Opozita është ajo që shtyn për ndryshime në Kodin Zgjedhor për ato çështje që ajo mendon do të sigurojë apo të kurojë ato frikërat e tyre apo shqetësimet që ata përgjithësisht i ngrenë”.


Duke komentuar sërish shkresën e 47 deputetëve Gjiknuri tha se garanton barazi të plotë sa i përket komunikimit, zhvillimit të mbledhjeve. Sipas tij, ajo që ka në dorë është t’i trajtojë njësoj të gjithë.

“Proporcioni është sa i përket partisë. Nuk e marr përsipër të komentoj kujt i takon përfaqësimi, unë garantoj barazi të plotë sa i përket komunikimit, zhvillimit të mbledhjeve. Bashkëkryetari ka vlerë vetëm për veto. Nuk e zgjidh dot këtë çështje, e vetmja gjë është t’i trajtoj njësoj, për mua janë të gjithë bashkëkryetarë”, tha ai./tvklan.al


Read Entire Article