Kërkohet mbështetje masive për Kurtin dhe këtë ‘mision’ të tij, publicisti me kritika të ashpra ndaj ndërkombëtarëve!

1 month ago 13
Reklamë

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka potencuar se qeveria e tij synon hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, dhe që ai veprim nuk është kundër askujt.

“Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

E kundër hapjes së urës së Ibrit kanë dalë ndërkombëtarët, përfshir SHBA dhe BE-në.

E në lidhje me këtë ngjarje, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Si fillim, ai u shpreh se Kurti dhe qeveria e tij duhet të kenë kujdes të shtuar në hapjen e urës së Ibrit, derisa tha se kryeministri duhet të ketë mbështetje masive të shqiptarëve botërorë, në misionin e tij

“Populli ka një shprehje të lashtë: "Zullumi këputet prej së trashi", pra, kur teprohet, edhe pëlcet. Edhe pse durimi, pritshmëria duhet të këtë cak, kufi. Edhe pse provokimi ndërkombëtar është i rëndë, megjithatë problemi i stisur dhe i shpifur i mbylljes së Urës të Ibrit, ndryshon nga çështjet tjera sovraniste, që ka ndërmarrë Qeveria aktuale e Kosovës. Pavarësisht se është një bllokadë banale, madje skajshëm kontradiktore e hipokrite, me atë çka proklamon, natë e ditë, Evropa dhe bota demokratike, siç janë: -Të Drejtat e Njeriut dhe Lëvizja e Lirë e njerëzve-, Qeveria e Kosovës dhe personalisht kryeministri Albin Kurti, në hapjen e Urës së Ibrit, duhet kujdes i shtuar, mençuri dhe maturi prej lideri, me një mbështetje masive të shqiptarëve botërorë, në misionin e tij sa të shenjtë, aq edhe të drejtë, në mbrojtjen e sovranitetit të atdheut”.

Image

Idriz Zeqiraj.

Krahas kësaj, Zeqiraj përmendi vështirësit në hapjen e urës së Ibrit, përfshirë konfrontimin me NATO-n.

Në këtë pikë, tha se Kosova ka shumë argumente për t’i bindur ndëkombëtarët që ta hapin urën, ku tha se nuk duhet të hiqet dorë nga ky qëllim.

“Nëse veprimet e deritanishme, për kthimin e sovranitetit të dhuruar Serbisë, në veriun e Kosovës, nga qeveritarët e tmerruar nga shantazhimi e kërcënimi, për ndjekje penale, për krimet faktike, kryesisht, vrasjet politike dhe hajnia zyrtare, kanë pasur natyrë procedurale, me qasje administrative të shkallëzuara. Ndërsa heqja e gurëve të betonit mbi Urën e Ibrit, është e drejtëpërdrejtë fizike, madje me praninë e përhershme të KFOR-it, përkatësisht të NATO-s, çliruese faktike të Kosovës dhe të popullit të saj, të pushtuar përtej një shekulli nga Serbia me sllavët e saj.

Dhe, çdo tentativë, për hapje të dhunshme të Urës, nënkupton konfrontimin me rojet mbrojtëse ndërkombëtare. Kosova ka njëmijë e një arsye dhe argumente faktike, për ta bindur QUINT-in dhe botën demokratike, se të drejtën e saj për sovranitet të Kosovës, në kufijtë e Shpalljes të Pavarësisë, e ka konfirmuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Prandaj nuk duhet të pushohet, për ta realizuar këtë të drejtë supwr-legjitime”, shpjegoi ai.

Më tej, publicisti shpërtheu me kritika ndaj ndërkombëtarëve, duke thënë se janë bërë palë me krimin dhe kriminelët e Serbisë.

Madje, tha se BE po shton dozën e provokimeve me disa vendime të tij.

“Paradoksalisht, janë BE-ja-QUINT-i, KFOR-i, pra, ndërkombëtarët që kanë bërë getoizimin e veriut të Kosovës, qoftë me ndarjen e Kosovës, pikërisht, me bllokimin anakronik e primitiv mesjetar të Urës së Ibrit, si dhe kufizimin e bërë Kosovës, për ta mbrojtur popullin multi-etnik të atij rajoni, nga bandat e dirigjuara dhe të financuara nga Qeveria fashizoide e Aleksander Vuçiqit. Rrjedhimisht, ndërkombëtarët janë bërë palë me krimin dhe kriminelët e Beogradit!

BE-ja shtoi dozën e provokimit ndaj Kosovës sovrane, me aprovimin e pasaportave ilegale të lëshuara nga Serbia, për 18 mijë serbët e Kosovës. Krerët shtetërorë e qeveritarë kanë reaguar për këtë shkelje të rëndë të sovranitetit të shtetit të Kosovës. Shteti dhe Qeveria e Kosovës, duke qenë të autorizuar nga populli i Kosovës, për mbrojtjen e kushtetushmërisë të vendit, duhet të deklarohen, madje botërisht, se kurrë nuk do t`i njohin dhe as t`i pranojnë pasaportat ilegale të Serbisë, pavarësisht se Evropa u vetë turpëruar me njohjen e tyre zyrtare. Me ato pashaporta dhe kartën e tyre të identitetit, nuk mund as të votojnë dhe as të shërbehen në asnjë institucion zyrtar të Kosovës, pavarësisht të pranimit të tyre nga BE-ja”, nënvizoi Zeqiraj për “Bota sot”.

Read Entire Article