Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë John Kirby i tha Zërit të Amerikës, se qasja e Uashingtonit ndaj Evropës e rajonit të Ballkanit nuk ka ndryshuar.
Këto komente, Kirky i bëri në përgjigje të një pyetje si reagim, mbi një artikull redaksional të gazetës ‘Washington Post’, ku thuhet se Presidenti Biden ndoqi politikën e “mbështetjes së Presidentit autoritar serb Aleksandar Vuçiç në përpjekje për ta larguar atë nga Rusia”.
“Ky qëndrim duket gjithnjë e më shumë si një dështim”, thotë “Washington Post”.
Zoti Kirby nuk bëri komente të mëtejshme.
Kohët e fundit, pas zgjedhjeve të parakohshme, Serbia është përfshirë nga një valë protestash të opozitës, e cila akuzon qeverinë për parregullsi masive dhe manipulime në procesin e 17 dhjetorit.
Në artikullin redaksional të ‘Washington Post-it” thuhet se zoti Vuçiç dhe Kryeministrja Ana Brnabiq “akuzuan perëndimin për protestat” dhe i quajtën ato “një përpjekje për të rrëzuar qeverinë” .
“Duke nxitur pakënaqësi kundër Perëndimit e duke u rreshtuar me Moskën, zoti Vuçiç fiton pikë para grupeve nacionaliste, ndërsa kundërshtarët e tij demokratë, i etiketon si shërbëtorë të interesave të huaja”, vazhdon më tej editoriali.
‘Washingtoni Post’ thotë se zoti Vuçiç në takimeve private i siguron vazhdimisht zyrtarët perëndimorë se ai “po bën përpjekjet më të mira të mundshme që kombi i tij ‘i pabindur’ të jetë pjesë e Bashkimin Evropian dhe se ai është partneri i tyre, i vetëm dhe i besueshëm”.
Sipas ‘Washington Post-it’ administrata Biden e bazoi politikën e saj paqtuese, tek garancitë që zoti Vuçiç u ka dhënë privatisht.
“Edhe pse disa kriza të rrezikshme gjatë vitit të kaluar në Kosovën fqinje kanë pasur gjurmë gishtash serbe, Shtetet e Bashkuara kanë shmangur fajësimin e qartë të njërës palë, duke preferuar të bëjnë thirrje për qetësi”, thekson artikulli./ VOA
Top Channel