“Kishte informacione për një korridor në...”, eksperti zbulon detaje të reja për vrasjen e Faton Hajrizit dhe “lëvizjen” e re të Serbisë

1 month ago 12
Reklamë

Eksperti i çështjeve të sigurisë Bedri Elezi, ka folur për vrasjen e të arratisurit nga Kosova Faton Hajrizi në Serbi.

Ministria e Brendshme e Serbisë, ka konfirmuar vrasjen e Faton Hajrizit të premten, nga forcat e policisë serbe pasi kaloi rreth 36 orë në arrati.

Në komunikatën e lëshuar për media, MPB serbe ka përmendur Faton Hajrizin me emër e mbiemër si person që është eliminuar nga forcat serbe pas vrasjes së një polici serb dhe plagosjes së një tjetri, derisa gjendej në arrati.

Sipas ekspertit Elezi, Serbia e cilësoi këtë rast si një “sulm terrorist”, vetëm pse Hajrizi kishte qëlluar me armë policët serbë.

Ai konsideron se Hajrizi u arratis nga Kosova, pasi nuk kishte gatishmëri për të vazhduar tutje vuajtjen e dënimit me burg.

Image

Bedri Elezi

Jemi dëshmitarë të një ngjarjeje të rëndë, që ka ndodhur këto ditët e fundit, ku është vrarë një qytetar i Republikës së Kosovës nag autoritetet e sigurisë së Serbisë, në një zonë afër kufirit me Bosnjën, me ç’rast policia dhe autoritetet e Serbisë, veçanërisht zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, e cilësoi si një sulm terrorist vrasjen e policit dhe plagosjen e një polici tjetër, të cilët ishin pjesë e stacionit policor të qytetit të Lloznicës, në kufi me Bosnjën.

Ky rast u cilësua si sulm terrost nga serbët, ngaqë qytetari i Republikës së Kosovës Faton Hajrizi, kishte drejtuar armën, duke hapur zjarr në drejtim të policit, ku u vra njëri dhe një tjetër u plagos. Siç u kuptua deri më tani, Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës në Kosovë dhe i njëjti nuk kishte gatishmëri që të vazhdonte tutje vuajtjen e dënimit, që kishte diku 7 vjet. Ai kishte vendosur të arratisej dhe më pas i njëjti të largohej nga Kosova në vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Elezi për gazetën “Bota sot”.

Eksperti më tej ka vlerësuar se Hajziri kishte informata për një korridor që përdoret për trafikimin e refugjatëve. Sipas tij, gjatë përleshjes me policët serbë, i njëjti ka rrëmbyer revolen e njërit polic dhe ka qëlluar në drejtim të tyre.

“Duke pasur informacione se është një korridor në Serbi, që përdoret për trafikimin e refugjatëve, ai kishte shkuar fillimisht në Preshevë, e më pas nga aty u nis për në Bosnje, e pastaj në Kroaci dhe kështu të vazhdojë tutje në shtetet evropiane. Por, gjatë rrugës policia e trafikut të Lloznicës, e kishte ndaluar veturën, me të cilën ishte duke udhëtuar Faton Hajrizi dhe gjatë përpjekjeve të tyre për ta legjitimuar, i njëjti kishte refuzuar dhe kështu që u krijua një situatë përleshjeje, me ç’rast edhe Faton Hajrizi kishte rrëmbyer revolen e njërit nga pjesëtarëve të policisë së Serbisë dhe kishte vrarë të njëjtin dhe kishte plagosur kolegun e tij. I vetëm ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ku policia dhe qeveria serbe e cilësuan si një “sulm terrorist”, madje duke e lidhur me veprime terrorizmi dhe duke cilësuar se Kosova ka kryer akte terrorizmi brenda territorit të Serbisë”, është shprehur Bedri Elezi.

Ai ka kritikuar ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, për deklaratën e tij se arrestimi i Hajzirit do të ishte çështje orësh ose ditësh. Sipas ekspertit, Serbia e ka shfrytëzuar këtë deklaratë, për të thënë se Hajrizi kishte ndërlidhje për kryerje të veprave terrorizmi në Serbi.

“Ne jemi dëshmitarë të asaj se Faton Hajrizi ishte një person me precedent penal, kishte vepra tjera penale në Kosovë dhe poashtu ishte në kërkim të autoriteve të Kosovës, por që ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla kishte bërë një deklaratë, i cili kishte thënë se është çështje orësh apo ditësh arrestimi i tij dhe kjo nuk kishte ndodhur.

Gjithashtu, dyshohet se procedurat për përfitime për një të burgosur, që të fitojë ndryshimin e vendit të vuajtjes së burgut, nga një burg me siguri të lartë në një të hapur, si ai i Smrekonicës. Çështja e deklaratave të ministrit dyshoj se mund të shfrytëzohet nga autoritetet e Serbisë, për të thënë se ky person kishte ndërlidhje për kryerje të veprave terrorizmi në Serbi”, ka analizuar më tej analisti i sigurisë.

Ai ka hedhur edhe dyshimet se pse autoritetet serbe nuk ndërmorën veprime për të arrestuar Faton Hajrizin me fillim. Sipas tij, qëllimi ishte aryestimi i vrasjes së tij, duke u thirrur në rrezikshmërinë e të njëjtit.

“Në fakt, ajo që ne kemi parë, është se autoritetet e Serbisë, qëllimisht nuk kanë ndërmarr veprime për ta arrestuar Hajrizin, që eventualisht kishte vetëm një armë me vete, por fillimisht e neglizhuan arrestimin e tij, me qëllimin e vetëm për ta konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë dhe për ta glorifikuar si një person, i cili ka për detyrë të kryejë vepra terrorizmi, me ç’rast më pas për ta arsyetuar vrasjen e tij, duke u thirrur në rrezikshmërinë që ka si person ai.

Kështu edhe ndodhi pas diku rreth 24 orëve. Autoritetet serbe pa tentuar që ta arrestojnë, e ekzekutuan Hajrizin dhe kështu pamundësuan që të kemi një ballafaqim gjyqësor për të kuptuar se veprimi i tij kishte të bëjë me vepër penale, vrasje e rëndë, por assesi nuk ishte i përfshirë në vepër terroriste apo të kishte lidhje me institucionet e Kosovës, ndonjë invidid apo zyrtar të Kosovës”, ka pohuar Bedri Elezi për “Bota sot”.

Eksperti ka vlerësuar se Serbia tentoi të barazojë rastin e Hajrizit me atë të terroristit serb Milan Radoiçiq.

“Serbia tentoi të shfrytëzojë këtë rast për ta konsideruar se Kosova ka kryer vepër terrorizmi dhe njëkohësisht për të thënë se nuk është vetëm rasti i Radoiçiqit, i cili kishte kryer vepër terrorizmi vitin e kaluar në Kosovë, porse edhe Kosova ka bërë veprime të ngjashme, përmes një personi me rrezikshmëri të lartë, veteran lufte dhe me një profil të një personi me rrezikshmëri kombëtare dhe i njëjti kishte shkuar në drejtim të Serbisë, për të kryer veprën penale”.

Ai ka kërkuar kujdes në deklaratat e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, pasi të njëjtat mund të përdoren nga Serbia, për të konsideruar se Kosova ka kryer terrorizëm në territorin e saj.

“Ne duhet të kemi shumë kujdes në deklaratat që bëjmë, e sidomos përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, si ministri i Punëve të Brendshme apo përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu, duhet të kemi kujdes për të krijuar kushte dhe rrethana për persona me rrezikshmëri të lartë, të cilët mund të kalojnë nga një burg i sigurisë së lartë, në një të hapur, ngase të gjitha këto veprime joligjore në Kosovë, mund të shfrytëzohen nga një shtet armik për të konsideruar se Kosova ka kryer vepra terrorizmi brenda territorit të saj”.

Në fund, eksperti Bedri Elezi, ka kërkuar nga institucionet e sigurisë në Kosovë, që të bëjmë sa më parë një raport të specifikuar për rastin e të arratisurit Faton Hajrizi dhe të njëjtin t’ia dorëzojë ndërkombëtarëve.

“Urojmë dhe besojmë që faktori i sigurisë në Kosovë, do të bëjnë një raport të specifikuar në një kohë rekorde, për t’i ofruar në dispozicion faktorit ndërkombëtar, e sidomos EULEX-it, i cili ka një zyre ndërlidhëse në Beograd dhe ka një komunikim me autoritetet serbe, për të vërtetuar se Kosova ka bërë të gjitha veprimet për ta arrestuar të arratisurin, por që kishte dështuar për shkak të kapaciteteve të tij të njohura në arratisje dhe aftësisë së tij, për t’iu shmangur komunikimit me zyrtarë policorë dhe ashtu ndodhi.

Besojmë që sidomos miqtë ndërkombëtarë të Kosovës dhe të gjithë ata që janë palë të treta, e konsiderojnë një rast të izoluar kriminal dhe nuk mund ta ndërlidhin me çështje të terrorizmit siç po tenton Beogradi zyrtar”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Read Entire Article