“Kjo është brutale”, vjen mbështetja ndaj Kurtit pas ‘kushtit tendencioz’ të Francës, Gjermanisë e Italisë!

4 months ago 8

Çështja e Asociacionit e penalizoi Kosovën, pasi e la jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, kur edhe do të vendosej për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.

Kusht i disa vendeve anëtare të saj, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, ishte që Kosova ta çonte së paku për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të diplomatëve perëndimorë për Asociacionin.

Ky kushtëzim ndaj Kosovës u kritikua mjaft shumë, derisa edhe u vlerësua i padrejtë.

Për këtë temë më gjerësisht, në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Fillimisht, ai tha se në momentet e fundit, pak para mbajtjes së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Punëve të Jashtëm, Kosova u kushtëzua në mënyrë brutale me themelimin e Asociacionit.

Sipas tij, është e papranueshme qasja e Francës, Gjermanisë dhe Italisë ndaj Kosovës.

“Edhe pse Kosova i plotësoi të gjitha kushtet dhe kriteret formalo-juridike dhe ka një infrastrukturë  më të avancuar ligjore në Ballkanin Perëndimor, vetëm disa ditë para mbajtjes së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Punëve të Jashtëm të KiE, Kosova në mënyrë brutale dhe të padrejtë u kushtëzua, sidomos nga Franca, Gjermania dhe Italia, duke e « lidhur » anëtarësimin me ndërmarrjen e hapave serioze për formimin e Asociacionit, duke aluduar që draft-statuti i BE-së t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për vlerërsim!

Konsideroj se, është e papranueshme që shtetet që e kanë pranuar pavarsinë e Kosovës, madje që kanë kontribuar në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, tani të jenë neutral ndaj statusit të saj. Është për t’u habitur se si DASH po alinjohet me kërkesat e Serbisë lidhur me Asociacionin, sikurse Gabriel Escobar, James C. O’Brien si dhe Liz Allen, nënsekretarja amerikane e Shtetit për Diplomaci dhe çështje Publike, të cilët kërkojnë një hap thelbësor për formimin e Asociacionit. Mendoj se SHBA-ja nuk mësoi nga përvoja e hidhur me republikën serbe me marrëveshjen e Dejtonit, e cila kishte filluar si Asociacion dhe tani kërkon ndarjen nga BeH”, deklaroi juristi.

Musliu mbështeti vendimin e Kurtit për të mos e dërguar draft-statutin në Kushtetuese, pasi Asocaicioni është çështje e dialogut, derisa anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është çështje tjetër.

Image

Skënder Musliu.

Ai tha se kuzhtëzimet e vendosura ndaj Kosovës janë tendencioze dhe të papranueshme.

“Nga aspekti formalo juridik çështja e Asociacionit nuk mund të kushtëzohet me anëtarësimin e Kosovës në KiE, sepse dialogu dhe anëtarësimi janë dy çështje diametralisht të ndara, prandaj me të drejtë kryeministri Kurti nuk e dërgoi draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. Mbase për anëtarësimin e Kosovës në KiE ka mundur të ketë kushte të natyrës tjetër, psh. që lidhen me nënshkrimin apo ratifikimin paraprak të ndonjë traktati, ose nëse legjislacioni i Kosovës nuk është në harmoni me ato të KiE, që në rastin konkret as që bëhet fjalë, sepse siç thuhet në rekomandimin e Asamblesë Parlamentare, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet. Prandaj, ndryshimet e «rregullave gjatë lojës» janë të papranueshme, cinike dhe nënshtruese. Kryeministri Kurti, me të drejtë, nuk iu nënshtrua kushtëzimeve tendencioze dhe arrogante të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, të cilat lobuan dhe kontribuan që Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme të KE mos t’a vendos në rend dite anëtarësimin e Kosovës në KiE, kështu duke ia plotësuar dëshirën Serbisë dhe apetiteve ruse. Institucini i vetëm që ka mundur t’a kushtëzojë Kosovën, ka qenë Asamblea Parlamentare e KiE, e cila bënë filtrimin, verifikimin dhe plotësimin e kushteve eventuale, andaj çdo kushtëzim tjetër është tendencioz dhe i papranueshëm”.

“Ndërkombëtarët ishin mësuar me kastat e kaluara politike të korruptuara dhe të lidhura ngushtë me krimin e organizuar”

Gjithashtu, juristi potencoi se vendosja e kushteve nuk sjellë rezultate, për këtë mbështeti Kurtin në qëndrimet e tij për sovranitet dhe kushtetutshmëri të vendit.

“Personalisht e kam mbështetur qëndrimin e kryeministrit Kurti, sepse është obligim moral dhe kushtetues që kryeministri Kurti t’a mbrojë dinjitetin e qytetarëve, kredibilitetin, sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e shtetit të Kosovës, se sa t’iu nënshtrohet kërkesave dhe kushtëzimeve asimetrike të ndikuara nga propaganda serbo – ruse. Se kushtëzimet nuk sjellin rezultate, vërteton fakti se qeveritë e kaluara vazhdimisht iu nënshtruan kushtëzimeve dhe kërkesave të ndërkombëtarëve, të cilat, jo vetëm që nuk sollës stabilitet dhe siguri, por ato komplikuan dialogun duke shkaktuar edhe trazira në Veri të Kosovës. Ndërkombëtarët ishin mësuar me kastat e kaluara politike të korruptuara dhe të lidhura ngushtë me krimin e organizuar, që përmes shantazheve dhe kërcënimeve arrinin koncesione të liga, kurse me kryeministrin Kurti fatmirsisht kjo nuk kalon”, shpjegoi Musliu.

Më tej, ai përmendi tre faktorë kryesor që kanë ndikuar negativisht në arenën ndërkomëbtarë.

“Situatës së krijuar i kanë kontribuar tre faktorë të brendshëm: së pari, opozita, e cila është gjeneratori kryesor dhe i vetëm, që nga fillimi i mandatit të kryeministrit Kurti ka luajtur rol destruktiv për çështjet vitale të shtetësisë, sepse në vend t’a përkrahin  kryeministrin Kurti duke manifestuar unitet nacional, ajo për poena të plitikës ditore, në mënyrë të paskrupullt ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke ia mbajtur anën politikave dhe kërkesave të Vuçiqit dhe lobit serbo-rus ; së dyti, disa media të Kosovës, të paguara nga bosët e korrupsionit dhe krimit, në vazhdimësi kanë bërë propagandë gebelsiane kundër kryeministrit Kurti, të cilat kanë qenë në të njejtën linjë me mediat e pro Vuçiqit në Serbi ; së treti, Edi Rama, i cili është ndër të parët që loboi bashkë me Hashim Thaçin, Vuçiqin, Baton Haxhiun, Vlora Çitakun, dhe jo vetëm, për ndarjen e Kosovës, asnjëherë, jo vetëm që nuk e përkrahu Kosovën, por ka luajtur rol përçarës dhe destruktiv në arenën ndërkombëtare, i cili me ndjenjat e tij antikombëtare dhe qëllime karieriste, dëmtoi rëndë çështjen e Kosovës”.

“Kurti po shndërrohet në aset kombëtar që duhet përkrahur”

Ndër të tjera, juristi vlerësoi se Kurti po shndërrohet në aset kombëtar që duhet përkrahur, kjo bazuar në qeverisjen dhe politikat e tij.

Po ashtu, përmendi faktin se shteti serb nuk po i respekton marrëveshjet, dhe kësisoj tha se Kosova nuk ka kurrfarë obligimi në këto momente për Asociacionin.

“Veprimet konstruktive, sjelljet parimore, qeverisja me duar të lira dhe të pastra dhe i pashantazhuar, duke patur si udhërrëfyes Ligjin, Kushtetutën dhe shtetin e së drejtës, kredibilitetin dhe legjitimitetin, kryeministri Kurti po shndërrohet në aset kombëtar që duhet përkrahur, sepse ai nuk bënë kompromis me byrokratët e korruptuar të BE-së, të cilët kanë disa afera korruptive dhe janë nëpër proçese gjyqësore në Bruksel, e as me kriminelët e opozitës dhe bandat e tyre që zhvatën shtetin për dy dekada. Me këto veprime kryeministri Kurti ia ka bërë me dije Europës, dhe jo vetëm, se ka shtete, edhe pse të vogla, mirëpo janë me dinjitet dhe kredibilitet që nuk shantazhohen, por mbrojnë interesin e shtetit dhe qytetarëve me çdo çmim.

Derisa Serbia nuk respekton marrëveshjen e Brukselit dhe Udhërrëfyesin e Ohrit, ku përveç tjerash, kërkohet që Serbia mos t’a pengojë anëtarësimin e Kosovës nëpër organizatat ndërkombëtare, siç po bënë Serbia edhe në këto momente në Bullgari duke lobuar kundër avancimit të statusit të Kosovës nga vëzhgues në asociaues, me ç’rast Kosova e fitoi këtë avancim, atëherë edhe Kosova nuk ka kurfarë obligimi në këto momente për Asociacionin. Po ashtu derisa Serbia, javë më parë, formoi qeverinë më proruse, në të cilën ka një ministër dhe një zv.ministër që janë në listën e zeze të SHBA.së, derisa Vuçiqi ditë më parë pranoi në vizitë zyrtare kryetarin e Kinës, po ashtu takimi me Putinin, veprime që janë në kundërshtim me parimet dhe përcaktimet e BE-së,  SHBA-së dhe NATO-s, dhe nuk ka kritika dhe sanksione adekuate, atëherë pse Kosova t’iu nënshtrohet kërcënimeve dhe shantazheve të padrejta të ndërkombëtarëve”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.

Read Entire Article