Koalicione të mundshme politike, a kanë filluar partitë “t’i fshijnë” vijat e kuqe?

4 months ago 8

Zgjedhjet në Kosovë, rezultatet e koalicionet e mundshme para e pas zgjedhore kanë filluar të jenë në epiqendrën e raportimeve.

Gjersa, afati i fundit i dhënë nga Partia Demokratike e Kosovës për shpërbërjen e Kuvendit nuk gjeti mbështetje të partive tjera opozitare, zgjedhjet vazhdojnë të komentohen edhe më pas.

Një darkë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Memlit Krasniqi nga PDK, ka rezultuar që të “zgjohen” zërat për një koalicion të mundshëm VV-PDK, edhe pse të dyja partitë kanë mohuar një gjë të tillë.

Përkundër mohimit të një koalicioni të mundshëm, deputeti i Listës “Guxo”, Haxhi Avdyli, ka thënë se vijat e kuqe nuk janë të mira në politikë, kështu duke nënkuptuar se nuk ka vija të kuqe për PDK-në, pasi sipas tij, të gjitha janë parti shqiptare.

Por, Avdyli ka thënë se VV-ja nuk do të ketë nevojë për PDK-në, pasi së bashku me ta (Guxo-n) dhe Alternativën do t’i arrijnë mbi 50 për qind.

“Mendoj që nuk janë të mira vijat e kuqe në politik, prapë së prapë…”, ka thënë Avdyli, teksa ka theksuar se zgjedhjet është mirë të mbahen në vjeshtë e jo në dimër.

“Ne me partnerët e koalicionit me VV-në që kemi një bashkërendim në shumë tema, edhe në këtë drejtim e shpërndarjes së Kuvendit, kemi një dakordim bashkë me VV-në dhe mendon që janë faktorë, sepse ne duhet ta përkrahim shpërndarjen Kuvendit në këtë kohë. Janë edhe çështjet praktike, duke përfshirë edhe zgjedhjet e fundit kanë qenë një kohë shumë të ftoftë, si më thënë që është shkurti, janari. Nuk është se nuk mund të bëhen, por fushata njëmujore është e lodhshme, por edhe zgjedhjet në atë periudhë. Ne parapëlqejmë si parti GUXO që zgjedhjet të jenë në vjeshtë, në një kohë të përshtatshme”, ka shtuar Avdyli.

Duke komentuar deklaratën e Avdylit dhe të pyetur nëse po “zbehen” vijat e kuqe të vendosura nga partitë politike, analistët politikë thonë se caktimi i vijave ka qenë përpjekje për të njollosur kundërshtarët politikë.

Sipas tyre, vënia dhe fshirja e vijave të kuqe pëson te votuesi.

Pse "vijat e kuqe"?

Image

Leon Duhanaj

Analisti politik, Leon Duhanaj, thotë se zgjedhjet në Kosovë kanë qenë shembull edhe për shumë shtete në regjion e më gjerë.

Sipas tij, të gjesh hapësirë për vija të kuqe, kinse duke përjashtuar mundësinë e koalicionit me subjekte të ndryshme, është manipulim populist për interesa elektorale.

“Në kuadër të një shteti demokratik, në të cilin edhe pse demokraci e re siç është Kosova. Shtet që edhe pse i ri, megjithatë është dëshmuar për qeverisje demokratike e para se gjithash me zgjedhje shembullore. Zgjedhjet në Kosovë kanë qenë shembull edhe për shumë shtete në regjion dhe me gjerë. Shtet me shumicë absolute shqiptare, të gjesh hapësirë për vija të kuqe, kinse se duke përjashtuar mundësinë e koalicionit me subjekte të ndryshme, nuk është asgjë tjetër por manipulim populist, për interesa elektorale. Caktimi i vijave të kuqe, ka qenë përpjekje për t'i njollosur kundërshtarët politik”, deklaron Duhanaj.

Sipas tij, subjektet politike duhet ta sfidojnë njëra- tjetrën.

Ai shton se gara politike duhet të fokusohet në program për zhvillim dhe mirëqenie.

“Subjektet politike, duhet të mësohen ta sfidoj njëra tjetrën përmes ideve inovative programore, e assesi duke bërë përpjekje për njollosjen e tyre. Me përjashtim të PDK-së, pothuaj se të gjitha subjektet, e kanë përdorur këtë kartë në të kaluarën, por që të gjitha e kanë dëshmuar se nuk bëjnë asnjë dallim për mirë, përkundrazi. Prandaj është mirë që sot për sot, nuk kemi një aversion ndaj njëri tjetrit dhe se gara politike duhet të fokusohet në program për zhvillim dhe mirëqenie, për të cilin ka nevojë Kosova dhe qytetarët e saj”, pohon Duhanaj.

Krijimi i koalicioneve

Në anën tjetër, analisti politik Gani Qarri, thotë se pasiguria për fitimin e votave të mjaftueshme, po “zbeh” edhe vijat e kuqe të deritanishme të partive politike.

Image

Gani Qarri

Sipas tij, edhe në të kaluarën ka qenë e vështirë përafrimi i qëndrimeve dhe veçanërisht krijimi i koalicioneve parazgjedhore.

“Në fakt partitë politike në Kosovë, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për gjetjen e një konsensusi ndërpartiak për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në vend, me debatet e deritanishme, jo vetëm që nuk kanë sjellë asnjë rezultat, por ato vazhdojnë të përshkohen edhe me mospajtime të paafrueshme dhe në këtë mënyrë s`ka se si të arrihet as konsensusi për zgjedhjet e parakohshme. Përderisa VV dhe PDK janë për shpërndarjen e Kuvendit me mocion, LDK dhe AAK, janë kundër mocionit për shpërndarjen e Kuvendit, diskutime koti që vazhdojnë akoma, ani pse dihet mirëfilli që tanimë, po ikën edhe mundësia e fundit kohore, për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në vend. Kurse segmentet e reja dhe të pasigurta, në qëndrueshmërinë e tyre elektorale, propozojnë që të hiqen të gjitha vijat e kuqe ndërmjet partive politike shqiptare siç u shpreh deputeti i Listës "Guxo", Haxhi Avdyli, i cili ka thënë se vijat e kuqe nuk janë të mira në politikë. Madje ai, la për të nënkuptuar se nuk ka vija të kuqe për PDK-në, e sipas tij, as për partitë tjera shqiptare, gjë që dëshmon, se pasiguria për fitimin e votave të mjaftueshme, po “zbeh” edhe vijat e kuqe të deritanishme të partive politike në Kosovë, sado që mungesa e një pajtimi të gjerë ndërpartiak në të kaluarën, edhe kësaj radhe e bënë mjaft të vështirë, përafrimin e qëndrimeve dhe veçanërisht krijimin e koalicioneve parazgjedhore ndërmjet segmenteve të ndryshme politike”, deklaron Qarri.

Fillimisht vendosja e vijave të kuqe, pastaj “fshirja” e tyre, sipas Qarrit, nuk është mirë për votuesin.

“ Shto kësaj faktin se ishin shumë të rralla rastet kur partitë politike vendore, pa ndërmjetësim ndërkombëtarë, të kenë arritur të përafrojnë qëndrimet dhe ndërtojnë një konsensus, për çfarëdo qoftë, andaj përderisa gjërat zhvillohen në frymë, kaq refuzuese, edhe mospajtimet e fundit, na bëjnë mjaft skeptik, se vërtetë partitë politike do të arrijnë pajtimin dhe merren vesh, ndërmjet veti, për qëndrim të përbashkët, të paktën sa i takon mënyrës për të shkuar në zgjedhje! Për aq më tepër, duke pasur parasysh kritikat e ashpra, të shprehura në vijimësi nga partitë rivale, kundër njëra-tjetrës, përafrimi i qëndrimeve apo edhe krijimi i aleancave dhe koalicioneve, nuk mund te jenë të besueshme as për votuesit, të cilët nuk mund të ëndërrojnë për një qeverisje më të mirë, pikërisht nga partitë që fillimisht kritikojnë e vendosin vija te kuqe, ndaj njëra tjetrës, ndërsa po sa të afrohen zgjedhjet, pastaj “i fshijnë” të gjitha ato dhe shprehen edhe për formim koalicionesh?!”, përfundon Qarri.

Theksojmë se mandati i Qeverisë Kurti përfundon në fillim të vitit 2025.

Read Entire Article