“Koha kur në Shkodër të fortit kishin bajraqet e tyre ka mbaruar”, Balla: 247 persona në kërkim në qytetin verior

8 months ago 13
13:33 29/01/2024

“Një prej sfidave më të rëndësishme të Policisë së Shtetit mbetet kontrolli i territorit dhe lufta kundër çdo fenomeni kriminal apo informaliteti.”

Kështu është shprehur nga Shkodra ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili ka thënë se koha e të fortëve në qytetin verior ka përfunduar.

Gjatë fjalës së tij, Balla ka deklaruar se janë 247 persona në kërkim në Shkodër teksa ka shtuar se janë të fokusuar tek kjo listë për të shkuar një për një tek secili prej tyre, ndërsa për pjesë prej tyre tha se vazhdojnë të jenë e të fshihen në Shkodër.

Balla tha se nuk mund të ketë as lagje, as zona ku policia nuk mund të ndërhyjë apo ushtrojë dot sundimin e ligjit dhe forcën e vet.

Ministri Balla: Shkodra ka një sërë problematikash që lidhen me performancën e punës së Policisë. Dua të them prej momentit të parë se një prej sfidave më të rëndësishme tona mbetet kontrolli i territorit dhe lufta kundër çdo fenomeni kriminal apo informaliteti. Besoj që edhe ju bini dakord që një prej fenomeneve që ka mbartuar puna e Policisë së Shtetit në përballje me informalitetin dhe kriminalitetin lidhet me luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Dy në tre bimë narkotike të asgjësuara nga Policia e Shtetit gjatë viti 2023 është në Shkodër, pra nga 300 mijë lëndë narkotike 200 mijë prej tyre janë asgjësuar në Shkodër. Viti 2024 do të jetë konsolidimi i këtyre rezultateve për të garantuar Alpe të pastra, të cilat të jenë destinacion turistik, por të mos jenë më destinacion i grupeve kriminale për të kultivuar bimë narkotike, e përmes kësaj veprimtarie për të furnizuar apo financuar veprimtari të tyre kriminale.

Për sa i përket qytetit të Shkodrës, unë e di fare mirë kush është detyra ime dhe e Policisë së Shtetit, të garantojmë një Shkodër të qetë me siguri publike të garantuar. Të parandalojmë sa më shumë aktivitete kriminale, por dhe krime të rënda kundër personit. Kjo vjen edhe për pasojë të faktit të mos zbulimit në kohë të krimeve të rënda të ndodhura në vite. Kemi 247 persona në kërkim në Shkodër. Sot jemi fokusuar te kjo listë për të shkuar një për një tek secili prej tyre, një pjesë vazhdojnë të jenë e të fshihen këtu në Shkodër. Detyra e Policisë së Shtetit edhe në koordinim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me SHISH është t’i gjejë dhe t’i vendosi ata para drejtësisë. Koha kur në Shkodër të fortit kishin bajraqet e tyre, feudet e tyre, ku nuk mund të hynte dot policia ka mbaruar. Kam qenë shumë i qartë në porosinë ndaj DVP për t’i dhënë fund kësaj historie, pra këtu nuk mund të ketë as lagje, as zona ku policia nuk mund të ndërhyjë apo ushtrojë dot sundimin e ligjit dhe forcën e vet.

Kjo është një detyrë primare dhe dua të garantoj çdo qytetar të Shkodrës, sipërmarrësit e Shkodrës, të cilët kanë vuajtur problematika të “haraçeve”, të historive që ju i dini më mirë se unë. Kjo gjë nuk mund të tolerohet më, prandaj një prej objektivave të mia dhe Policisë së Shtetit është dhënia fund historisë së “të fortëve”, të “bajraqeve”, të “feudeve”. Ndërkohë po vazhdojmë të konsolidojmë forcën tonë parandaluese të çdo lloj forme kriminaliteti. Lojërat e paligjshme të fatit mbeten një sfidë tjetër ndaj së cilës po operojmë. Kemi pasur rezultate të cilat kanë qenë pjesë e vlerësimit në këtë analizë.

Po ashtu një problematikë tjetër lidhet me rolin që ka Drejtoria e Kufirit. Dua që liqeni i Shkodrës mos përmendet më për aktivitete kriminale të personave të caktuar, të peshkimit të paligjshëm, por të jetë një destinacion i bukur turistik, ku të gjithë ata që vendosin të zgjedhin Shkodrën, dhe unë e rekomandoj fuqimisht.  Kam ardhur në Shkodër edhe para pak ditësh. Jam këtu sot përsëri dhe e vërteta është që Shkodra tashmë po rilind, në njëfarë mënyre të ofertës së vet turistike. Por ne na duhet të garantojmë që këto historitë e vjetra të abuzimeve dhe karshillëkut ndaj ligjit t’i japim fund.

/tvklan.al


Read Entire Article