Kolegji i Europës në Tiranë, Rama: Do formojë njerëzit që do të kontrollojnë si bëhen gjërat. BE-ja, bekim për ne

1 year ago 12
18:16 16/10/2023

Pas samitit të Procesit të Berlinit, në ambientet pranë Piramidës është përuruar edhe Kolegji i Europës në Tiranë që do të nisë aktivitetin vitin e ardhshëm. Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh se askush nuk do ta imagjinonte dot që në atë Piramidë do të mblidheshin liderët e BE-së e aq më pak që kjo nismë të realizohej.

“Kush do ta imagjinonte ndonjëherë në atë kohë kur u konceptua dhe ndërtua kjo piramidë për një arsye krejt tjetër që armiqtë më të urryer të burrit që ishte shtysa për këtë piramidë do të vinin një ditë dhe do të bënin një pushtim kaq të hirshëm. Askush. Nga ana tjetër kujt do ia kishe marrë mendja në fund të vitit të kaluar që BE do ishte kaq i shpejtë për të kaluar nga fjalët në vepra. Më pak se 1 vit dhe ja ku jemi. Dje presidentja e KE prezantoi çeljen e aplikimeve, sot hapen dyert e zyrës së përfaqësimit dhe vitin tjetër njerëzit do të nisin mësimet e tyre në Kolegjin e Europës në Tiranë. Diçka po ndodh vërtetë dhe është kaq e mahnitshme”, u shpreh Rama.


Sa i përket Kolegjit, Rama ndau me të pranishmit një anekdotë nga një ish-kryeministër i një vendi të BE-së. Ai u shpreh se nga Kolegji i Europës do të dalin personat që do të kontrollojnë imtësisht në emër të BE-së se si e bën punën qeveria.

“Dua të ndaj me ju plotësisht atë anekdotë të takimit me një ish-kryeministër të një vendi të BE që ka qenë pjesë e ish-Perandorisë Sovjetike dhe kur e pyeta si është jeta në BE më tha, Edi në vendin tim ka mijëra njerëz jo vetëm nga kombësitë e tjera, por edhe bashkëkombas të mi që na ndjekin hap pas hapi për të kontrolluar çfarë bëjmë në emër të BE-së. Është çmenduri. I thashë po hapim Kolegjin e Europës. Tha o Zot, domethënë po formoni ata njerëz që pastaj do ju vihen mbrapa tërë kohën për të kontrolluar si bëhen gjërat. I thashë po. Më tha më beso është njësoj si një KGB transparente. Nuk mund të luash me ta se të kapin. Ndryshimi me KGB-në është se nuk të torturojnë fizikisht, por të torturojnë me një buzëqeshje. I thashë, po, po e di këtë sepse njoh dikë që quhet Mark Rutte që më mësoi se sa me hir mund ta refuzosh një kërkesë duke buzëqeshur. Por, po është një rrugë për plot mësime”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, BE-ja është bekimi më i madh për vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi ndan me to dijen se si ndërtohen institucionet.  

“Më duhet të them që Be është një bekim për të gjitha vendet tona, është një bekim i madh sepse është burimi më i thellë i dijes si të ndërtohen institucionet. Në fund të fundit janë institucionet që bëjnë dallimet.

Dija është dhurata më e jashtëzakonshme që BE na jep ne dhe të gjitha vendeve si ne. Po ne ankohemi ndonjëherë, edhe bërtasim. Po ka momente që duam të heqim dorë se nuk është e lehtë, është e dhimbshme, por është e vetmja rrugë. Dua të falenderoj me gjithë zemër të gjithë ata që janë të pranishëm këtu e nuk janë, që na kanë shoqëruar gjithë rrugës. Nuk ka nevojë që të biem dakord për çdo gjë për të jetuar mirë”, u shpreh ai./tvklan.al








Të ngjashme

Read Entire Article