“Komandant suprem, po të presim”, Vuçiqit i vjen paralajmërimi i fortë – ja çka i ndodhë nëse vjen në Kosovë

2 months ago 14
Reklamë

Posterat me fotografinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ishin vendosur të dielën në katër komunat në veri të Kosovës.

Të njëjtat ishin vendosur në muret e ndërtesave, shtëpive, lokaleve dhe hapësira të tjera publike.

Përveç fotografisë së Vuçiqit në to shkruhej edhe mesazhi “Komandant Suprem, ju presim”.

Vuçiq, si president i Serbisë, konsiderohet komandanti suprem i Forcave të Armatosura të Serbisë. Është në kompetencën e presidentit të komandojë ushtrinë, por edhe të emërojë, avancojë dhe shkarkojë oficerët e Forcave të Armatosura Serbe.

Përveç në Mitrovicën e Veriut, këto pamflete u shfaqën gjatë fundjavës edhe në tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Edhe pse Prokuroria e Kosovës ka nisur hetimet për këtë rast për “nxitje të urrejtjes”, Policia e Kosovës ka thënë se ende nuk dihet se kush qëndron prapa atij akti dhe se hetimet janë duke vazhduar porse nuk mund të japë më shumë detaje.

Për këtë rast, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili e ka paralajmëruar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nëse hyn në territorin e Kosovës, pa lejen e autoriteteve, do përfundojë në burg.

Ky reagim i Sveçlës, vjen pas disa raportimeve se presidenti serb Aleksandar Vuçiq mund të vijë në Kosovë, e për këtë, simpatizantët e tij vendosën gjatë natës në veri të vendit, posterë duke e cilësuar atë si ‘’Komandant suprem’’.

“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”.

Këto parulla po cilësohen si nxitëse, provokuese dhe paralajmëruese për sulme të reja.

Shala: Siguria është konstante në veri të vendit por edhe në pjesë tjera të territorit të RKS

Image

Drizan Shala

Në lidhje e me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Si fillim, ai u shpreh se këto parulla të paraqitura në veri, e të personalizuara me Vuçiqin, tregojnë hapur qëllimet e Serbisë dhe planet e saj për tensionim edhe më të madh të situatës në veri dhe raporteve me Kosovën.

“Afishet, patrullat serbe janë argument kryesor që Serbia po tenton që të bëj një analogji të veprimeve sikur siç ishin me vitin e kaluar dhe këso veprime do mund të shohim, sipas gjitha gjasave edhe në javët në vazhdim, për të mbajtur në frymë atë shpresën e fundit që kanë qytetarët serbë të Kosovës.

Këto janë mënyra e vetme deri më tani që Serbia do të mund të jetësoj interesin e saj përmes veprimeve hibride në drejtim të territorit të vendit, duke filluar që në një vjetorin e Banjskës të ndërmarr ndonjë veprim që sipas gjitha gjasave në këtë konstelacion nuk do të shohim ndonjë veprim, por është sa për ta mbajtur të tensionuar situatën e sigurisë në vend”, nënvizoi eksperti.

Krahas kësaj, ai paralajmëroi se nëse Vuçiq, ia mësyn territorit të Kosovës, do arrestohet nga Policia e Kosovës, ku më pas do i nënshtrohej të gjitha procedurave ligjore.

“Nëse Vuçiqi do të ndërmerrte një veprim të tillë, ai pa dyshim në momentin që do të hasej nga policia e Kosovës do të arrestohej dhe do t’i përfundonte gjitha procedurat hetimore ndaj tij, si dhe do të procesohet sipas normatives përmes dëbimit të tij në pikën më të përafërt dhe e cila do percjellte më një ndalesë sipas vendimit të formës se prerë të gjykatës së vendit.

Siguria është konstante në veri të vendit por edhe në pjesë tjera të territorit të RKS. Sipas zhvillimeve nuk presim ndonjë përshkallzim të sigurisë në muajt e verës, kjo për rezultat të ndryshimeve politike që kanë atakuar parlamentin evropian, komisionet evropianë, etj.

Gecaj: Kjo situatë është njëfarë paralajmërimi që organet tona të sigurisë duhet të jenë të kujdesshëm

Image

Hysen Gecaj

Kurse, njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj potencoi se këto veprimet tregojnë hapur faktin se shteti serb ka ndryshuar taktikën e saj për Kosovën.

Mirëpo, sipas tij parullat e paraqitura në veri, konfirmojnë se grupet kriminale ende janë në veri dhe ato do të vazhdojnë të jenë aty deri sa nuk ka një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Aty nuk ka, dyshim. Kemi pas një paralajmërim diku para një viti, nëse nuk gaboj. Ka qenë edhe që nuk i është dhënë shumë pompozitet në mediat në Kosovë, ku serbë paralajmërojnë një ndërrim të taktikës për të vepruar në Kosovë dhe pjesë e asaj taktike ishte edhe rezistenca paqësore, diçka e ngjashme, sikur ajo që e kemi bërë dikur në raport me Serbinë.

Mirëpo, këta nuk e kanë eliminua edhe atë pjesën tjetër, ku do të ketë edhe akte terroriste dhe kërcënime të tjera, demonstrata të dhunshme dhe kështu me radhë. Kështu që këta i kanë të dyja komponentet dhe kjo më së miri tregon tani me këto parulla dhe na dërgohet një mesazh, ku qartë na thotë se grupet kriminale ende janë në veri dhe ato do të vazhdojnë të jenë aty deri sa nuk ka një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, këto grupe do të jenë aty dhe do të veprojnë”.

Gjithashtu, Gecaj në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, tregoi vështirësinë që ekziston në eliminimin e këtyre grupeve terroriste serbe.

Për këtë, ai kërkoi që organet e drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë, ta kenë parasysh që grupet kriminale janë këtu, ato nuk kanë shkuar në Beograd.

“Sepse e dimë fare mirë, sidomos ne që dikur kemi qenë edhe profesionistë, po edhe kemi punu në grupe guerile në vitet e hershme para përgatitjes për luftë. E dimë që është shumë vështirë me u kapë ato grupe dhe prirësit e tyre shpesh mund të jenë edhe jashtë territorit. Por, ata sot i kanë mundësitë shumë më të mëdha sesa në dikur për t'i kontrolluar këto grupe dhe për të udhëheqë, sepse komunikimi ua mundëson një gjë të tillë. Komunikimi, plus lëvizja e lirë, e cila ju mundëson lirshëm me shku në Beograd apo deri në Rashkë apo kudo qoftë, për të marrë instruksione e udhëzime për t'u kthyer këtu dhe për të kryer punën e pjesës tjetër operacionale që u duhet në territor.

Kështu që, shteti jonë, organet tona të ndjekjes, sigurisë dhe të mbrojtjes duhet të jenë vigjilente, unë besoj që ato edhe janë vigjilente dhe ta kenë parasysh që grupet kriminale janë këtu, ato nuk kanë shkuar, ka shkuar Radoiçiqi. Ka shkuar edhe ndonjë tjetër me të, por bërthama e atyre grupeve është ende e pranishme në Kosovë”, shpjegoi ai.

Më tej, eksperti u shpreh jo i kënaqur me komoditetin tej shtuar të policëve tanë, pasi duhet ende të jenë shumë vigjilent, pasi armiku i shfrytëzon më së miri, këto momentet e sigurisë dhe heshtjes.

“Unë para disa dite, në një nejt të rastit me disa policë, kuptova një gjë që në fakt nuk më pëlqeu, sepse ajo ndikon në vigjilencën e policëve. Derisa njihen komod, njihen sigurt, kur kanë arritë një rezultat shumë të madh atje, armiku ato momente i shfrytëzon më së miri. Dhe, kjo gjë duhet të merret parasysh edhe prej komandantëve, të cilët punojnë në terren dhe t'u thonë policëve të vet që të kenë kujdes maksimal. E thashë ma herët edhe pse kemi pasur një heshtje të përkohshme të këtyre grupeve, në fakt, kjo ka qenë ndërrim i taktikave të veprimit dhe nuk është se është kry puna. Ata po shihet që nuk janë tërheqë janë aty, kanë dërgu mesazh përmes këtyre parullave Dhe sigurisht kjo situatë është njëfarë paralajmërimi që organet tona të sigurisë duhet të jenë të kujdesshëm, e sidomos ata që janë në teren atje, sepse kanë të bëjnë me jetën e tyre drejtpërdrejt”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.

Read Entire Article