Komandanti i KFOR-it: Në rast përshkallëzimi, jemi të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat

8 months ago 14
Reklamë

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major, Özkan Ulutaş, ka deklaruar se synimi i këtij misioni të NATO-s është të parandalojë përshkallëzimin.

Por në rastin se kjo veç ndodh, ai u shpreh se janë të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin e tyre.

Në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv, ai ka theksuar se pas agresionit të grupit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe sulmeve ndaj trupave të KFOR-it nga protestat e serbëve në fillim të majit, NATO-ja ka dislokuar forca rezervë shtesë me kapacitete shtesë.

Sipas tij, KFOR tani është duke zhvilluar më shumë aktivitete, duke e katërfishuar praninë në veri të Kosovës dhe trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe ato përgjatë vijës kufitare.

Këto ai i konsideron si hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij.

I pyetur se nëse mobilizimi ushtarak i Serbisë është një paralajmërim për luftë në Kosovë, dhe në rast të ndonjë sulmi direkt nga ushtria serbe në territorin e Kosovës, Ulutaş është shprehur: “Siç e kam thënë më parë, nuk dua të spekuloj për një skenar të ardhshëm. KFOR-i komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare dhe vendore dhe unë e kam bërë prioritet timin të nxis komunikimin dhe koordinimin e bazuar në besim”.

“Jemi në kontakt të ngushtë me shefin e mbrojtjes së Serbisë, si dhe me institucionet në Kosovë dhe me organizatat e sigurisë të Kosovës. Kjo është e rëndësishme për të shmangur keqkuptimet, veçanërisht në kohë krize dhe kur tensionet janë të larta”.

Ndër tjera,  Ulutaş ka theksuar se situata në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi është e qetë, por sipas tij, mbetet e brishtë, pas rritjes së tensioneve në muajt e fundit.

Intervista e plotë e Gjeneral Major, Özkan Ulutaş, për Klankosova.tv:

Ju sapo e keni marrë mandatin e drejtimit të KFOR-it. Si e shihni situatën e sigurisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi?

Gjeneral Major, Özkan Ulutaş: Në përgjithësi, situata është e qetë, por mbetet e brishtë. Pas një rritjeje të tensioneve në muajt e fundit, NATO-ja ka vendosur 1,000 trupa shtesë. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë ato përgjatë vijës kufitare administrative. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni i KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Më 24 shtator të këtij viti, në Banjskë të Zveçanit ndodhi një sulm i armatosur ndaj një patrulle policore nga një grup i madh serb i armatosur, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor. Ndonëse si ngjarje ndodhi rreth dy javë para marrjes së detyrës suaj, si e komentoni këtë ngjarje dhe zhvillimet pas saj? Çfarë  ka ndërmarr KFOR-i diçka specifike pas këtij zhvillimi?

Gjeneral Major, Özkan Ulutaş: Pas incidentit të dhunshëm të 24 shtatorit dhe sulmeve të papranueshme ndaj trupave të KFOR-it në fillim të majit, NATO-ja ka dislokuar forca rezervë shtesë me kapacitete shtesë.

Tani jemi duke zhvilluar më shumë aktivitete. Ne kemi katërfishuar praninë tonë në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe ato përgjatë vijës kufitare administrative. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij të OKB-së, plotësisht dhe në mënyrë të paanshme.

Synimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin, por në rast përshkallëzimi, ne jemi të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin tonë.

KFOR-i mbetet reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX). Pra, koordinimi ynë i vazhdueshëm është kyç për të garantuar siguri të qëndrueshme për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

A mendoni se një ngjarje e ngjashme mund të përsëritet dhe a është KFOR-i i gatshëm të parandalojë sulme të tilla në të ardhmen? A mendoni se kanë dështuar strukturat e sigurisë (Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i) në parandalimin e një sulmi të një përmase të tillë? A jeni të kënaqur me aksionin e njësisë speciale të Policisë së Kosovës për të neutralizuar grupin terrorist serb?

Gjeneral Major, Özkan Ulutaş: Nuk do të spekuloj për ndonjë skenar të ardhshëm. Ne jemi duke monitoruar nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë në rajon. KFOR-i ka një prani të shkathët, fleksibile dhe të dukshme në mbarë Kosovën. Ne mbetemi vigjilentë dhe të fokusuar në zbatimin e përditshëm të misionit tonë të mandatuar nga OKB-ja. Ne jemi të pajisur mirë dhe të gatshëm për të trajtuar çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe vazhdojmë të operojmë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

Ne i marrim shumë seriozisht këto ngjarje të fundit dhe sulmet e mëparshme ndaj trupave të NATO-s. Këto janë të papranueshme dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi, siç e bëri të qartë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në komentet e tij për mediat gjatë vizitës së tij të fundit në rajon, këtë nëntor.

Këtë vit, shtete anëtare të NATO-s kanë dërguar trupa shtesë në Kosovë, por ka pasur edhe të tillë që kanë paralajmëruar dërgim të trupave në vitin 2024. Sa planifikohet të jetë numri total i pjesëmarrësve në misionin e NATO-s në Kosovë në të ardhmen?

Gjeneral Major, Özkan Ulutaş: NATO është fuqishëm e përkushtuar për sigurinë në Kosovë dhe KFOR-i do të qëndrojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Misioni ynë në Kosovë ka qenë gjithmonë i bazuar në kushte dhe jo i kalendarizuar, që do të thotë se çdo ndryshim në numrin e personelit do të bazohet në vlerësimin e kushteve në terren pasuar me vendim të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

KFOR-i do të vazhdojë të krijojë kornizën e sigurisë për të mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm për të mirën e të gjitha komuniteteve dhe stabilitetin rajonal.

A e shihni FSK-në të gatshme që të anëtarësohet në NATO? A është në nivelin e duhur, sipas jush? Kur, sipas jush, mundet FSK-ja të bëhet pjesë e familjes së NATO-s?

Gjeneral Major, Özkan Ulutaş: Që nga gushti i vitit 2016, Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s – i cili është një entitet i veçantë nga KFOR-i – ka mbështetur zhvillimin e mëtutjeshëm të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Kosovë nën mandatin e tij fillestar, përmes ngritjes së kapaciteteve, edukimit dhe koordinimit të trajnimit.

Pozicionimi i ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, në disa raste gjatë këtij viti, ka bërë që bashkësia ndërkombëtare të reagojë ashpër. Sipas jush, ky mobilizim ushtarak nga Beogradi, a është paralajmërim për një luftë në Kosovë? Në rast të një sulmi ushtarak direkt nga ushtria e Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, cili do të jetë reagimi i KFOR-it?

Gjeneral Major, Özkan Ulutaş: Siç e kam thënë më parë, nuk dua të spekuloj për një skenat të ardhshëm. KFOR-i komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare dhe vendore dhe unë e kam bërë prioritet timin të nxis komunikimin dhe koordinimin e bazuar në besim. Jemi në kontakt të ngushtë me shefin e mbrojtjes së Serbisë, si dhe me institucionet në Kosovë dhe me organizatat e sigurisë së Kosovës. Kjo është e rëndësishme për të shmangur keqkuptimet, veçanërisht në kohë krize dhe kur tensionet janë të larta.

Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide, duke e përshtatur qëndrimin tonë sipas nevojës dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in./Klankosova.tv

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article