Komentet më 18 korrik, por nuk pritet përparim në dialog deri pas zgjedhjes së përfaqësuesve të rinj të BE-së

2 months ago 6
Reklamë

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk po shkon në rrugë drejt një marrëveshjeje finale. Serbia është ajo e cila nuk po i pranon e as zbaton marrëveshjet e ‘nënshkruara’ në sy të ndërkombëtarëve.

Takimet si në nivel të lart, e po ashtu edhe në nivel negociatorësh po dështojnë, duke mos gjetur zgjidhje për asgjë.

Së fundi, këshilltari i kryenegociatorit të Kosovës Besnik Bislimi, Klisman Kadiu ka thënë se Qeveria do t’i dërgojë komentet e saj në lidhje me zbatimin e marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në afatin e paraparë më 18 korrik.

Ai ka deklaruar se Qeveria ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve.

“Në vazhdimësi, përgjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, pala jonë ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve.

Që marrëveshjet të zbatohen në plotni, duhet po e njëjta qasje dhe nga pala tjetër, gjë e cila deri më tash, fatkeqësisht ka munguar”, ka deklaruar ai.

Pantina: Varet nga përmbajtja e tyre

Zyrtarja e LDK-së, Shqipe Pantina, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se e gjitha varet nga përmbajtja e tyre, duke shtuar se shumica e propozimeve të Kurtit nuk janë pranuar sepse nuk kanë qenë në përputhje me atë për të cilën ai vet paraprakisht ka rënë dakord.

Image

Shqipe Pantina

“Nuk mund ta di se sa do merren parasysh komentet e qeverisë sepse varet nga përmbajtja e tyre dhe nëse ato janë brenda kornizës së marrëveshjeve të arritura.

Arsyeja pse shumica e komenteve të qeverisë apo propozimeve të Kurtit nuk janë marrë parasysh deri më tani është se ato nuk kanë qenë në përputhje me atë për të cilën ai vet paraprakisht ka rënë dakord”, thotë ajo.

Lama: BE-ja nuk i ka pranuar asnjë kusht kësaj qeverie

Derisa, edhe ish-ambasadorja Alma Lama, shprehet se BE tani për tani nuk do të ndryshojë dhe se deri tani nuk ka pranuar asnjë vendim të kësaj qeverie.

Image

Alma Lama

“Nuk e di për çfarë kushtesh është fjala por deri tani BE-ja nuk i ka pranuar asnjë kusht kësaj qeverie.

Më shumë kanë qenë kushte të artikuluar për audiencë të brendshme, pasi në Bruksel dialogu ka karakter tjetër, ku ndërmjetësuesi pyetet dhe kërkon zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Përsa i përket qasjes së BE-së tani për tani nuk shoh se do ndryshojë ndonjë gjë, mbetet për tu parë pas zgjedhjes së përfaqësuesve të rinj të kësaj organizate, që pritet të ndodhë nga mesi i vjeshtës”, potencon Lama për “Bota sot”.

Elezaj: Me një shtet hegjemonist ndaj Kosovës, siç vazhdon të jetë Serbia, çdo dialog fundin e ka të dështuar

Image

Rexhep Elezaj

Kurse, analisti Rexhep Elezaj, thotë se një vendim i tillë mund të jetë marrë në njërën prej takimeve mes Bislimit dhe Petkoviqit, që të shtyhet dialogu përpara, duke shtuar se e tëra kjo ka të bëjë me ballafaqimin e argumenteve për çdo pikë të Marrëveshjes.

“Sipas deklaratës së z. Klisman Kadiut, del se dërgimi i komenteve lidhur me zbatimin e marrëveshjes bazë, Planit franko-gjerman prej 11 pikave, duket të ketë qenë vendim i marrë në njërin nga takimet e kaluara të z. B. Bislimi me përfaqësuesin e palës serbe, P. Petkoviç në Bruksel, kërkesë e cila do ketë qenë e ndërmjetësuesit në dialog, z. M. Lajçak, si mënyra dhe mjeti i fundit që dialogu i shumë stërgjatur për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të shtyhet me çdo kusht përpara.

Prandaj, dërgimi i komenteve, apo prezantimi i qëndrimeve nga secila palë për çdo pikë të sekuencimit veç e veç deri me 18 korrik, nënkupton ballafaqim të argumenteve për çdo pikë të Marrëveshjes, përfshirë pikën 7, e cila flet për vetë menaxhim (Self Management) të serbëve lokalë në veri, dmth. formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, obligim ky të cilit qeveria Kurti i ka ikur me të drejtë, madje me çmim të acarimit të raporteve të tij me zyrtarët amerikan”, deklaron ai.

Më tej, ai thotë se kjo nuk është kurrfarë konstruktiviteti, veçse obligim i marrë në takimet e Brukselit, duke theksuar se pala serbe vazhdon të mos zbatojë asnjë pikë të marrëveshjes siç ka vepruar deri më tani duke bërë propagandë kundër anëtarësimit ë Kosovës në KiE.

“Në fakt, paraqitja e komenteve dhe qëndrimeve për çdo pikë nga pala kosovare, siç paska deklaruar z. K. Kadiu, nuk është kurrfarë konstruktiviteti, veçse obligim i marrë në takimet e Brukselit dhe në praninë e z. M. Lajçak, meqë fjala është për një proces negociues me karakter ndërkombëtar, dhe jo bisedime miqësore me armikun tonë shekullor. Siç nuk ka të bëjë as me vullnetin e palës kosovare që ta zbatojë marrëveshjen bazë, sepse bëhet fjalë për një Marrëveshje (Planin franko-gjerman) e miratuar nga kryeministri i Kosovës, z. A. Kurti, implementimi i të cilës është obligim për të dyja palët në dialog.

Ndërsa, fakti se pala serbe nuk po e zbaton asnjë pikë të kësaj marrëveshjeje, përveç disa çështjeve teknike, siç është pranimi i targave të makinave me shkurtesën RKS, njohja e letërnjoftimeve personale, etj., këtë fakt pala kosovare është dashur ta ngritë në nivelin më të lartë të diplomacisë ndërkombëtare, duke e alarmuar faktin, se nuk mund të ketë dialog me një shtet i cili çdo ditë e kërcënon Kosovën me ushtri, siç ishte sulmi terrorist në Banjskë, pas të cilit sulm pala kosovare është dashur ta kushtëzojë dialogun me Serbinë me njohje “de-juro dhe de-fakto”. Përndryshe, një dialog i cili nuk përfundon me njohje reciproke, është vetëm një kohë e humbur për Kosovën.

Se, sa do të merren parasysh në takimin e radhës në Bruksel me 18 korrik, komentet dhe qëndrimet e palës tonë, mbetet të shihet, por një gjë është më shumë se e sigurt, se pala serbe, është ajo e cila nuk do të pranojë dhe as nuk do të implementojë asgjë nga marrëveshja bazë, siç ka vepruar deri më tani duke bërë propagandë kundër anëtarësimit ë Kosovës në KiE, përjashto këtu disa çështje teknike, sepse dihet botërisht se regjimi fashist i Beogradit në krye me “Sheshelin e vogël” (A.V.), qe 25 vite vazhdon të mos heq dorë nga ripushtimi i Kosovës, vazhdon të mos u kërkojë falje 2 milion shqiptarëve për gjenocidin dhe dëmet që Serbia ia ka bërë Kosovës gjatë viteve 1990-99, si dhe duke deklaruar kudo nëpër Evropë dhe botë, se ai dhe Serbia kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Pra, se me një palë të tillë në dialog si dhe me një shtet hegjemonist ndaj Kosovës, siç vazhdon të jetë Serbia, çdo dialog fundin e ka të dështuar”, përfundon ai për “Bota sot”.

Read Entire Article