Komentohen datat që Vuçiq përmendi për hapjen e Urës së Ibrit – zbulohen prapaskenat, ja çfarë po planifikon Serbia!

1 month ago 7
Reklamë

Hapja e Urës së Ibrit ka arritur të jetë një nga temat më të përfolura këto ditë.

Autoritetet e Kosovës kanë nisur procedurat për testimin e fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve.

Ky insistim është përballur me kundërshtim të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kanë kërkuar edhe një hap shtesë, një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi.

Të papranushëm hapjen e Urës së Ibrit e shohin serbët, në krye me Vuçiqin.

Për këtë iniciativë, pati protesta nga serbët e Kosovës në veri të vendit, të cilët po e kundërshtojnë hapjen e urës.

“Ne jemi të sulmuar si popull, ne jemi nën agresion që të largohemi nga Kosova”, tha gjatë protestës Nikolla Kabashiq, ish-gjyqtar serb nga Kosova.

Po këtë ditë, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës tha se hapja e urës është çështje kohe dhe “nuk është fare çështje e dialogut.

Mirëpo, në panik po vazhdon të jetë Vuçiqi i cili së fundmi u deklarua në lidhje me këtë situatë duke dhënë dy data për hapjen e Urës.

Ai ka thënë se pret që Ura e Ibrit të hapet më datë 14 ose 15 të këtij muaji.

Këtë deklaratë Vuçiq e dha gjatë një konference për media me ç’rast siç tha ai “pret provokime të reja”

Ai theksoi se bashkësia ndërkombëtare do të përpiqet të vendosë liderë të rinj serbë, të cilët në fakt do të përpiqen të negociojnë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Kreu i shtetit serb, i bëri thirrje KFOR-it që të mos lejojë hapjen e urës.

Mirëpo, sa të mundshme mund të jenë këto dy data për hapjen e Urës së Ibrit?

Halimi: Për datat nuk jemi të informuar

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.

Image

Armend Halimi

Ai thotë se nuk ka ende data se kur mund të ketë hapje të Urës së Ibrit, mirëpo nëse kjo gjë mund të ndodhë atëherë duhet ta mendojmë si Vuçiq e di këtë gjë.

“Për datat nuk jemi te informuar, dhe nëse janë ato data, është interesant si i shkuan në vesh Vuçiqit, edhe pse ai di të propagandojë me qëllim të nxitjes së ndonjë rezistence apo mobilizimi për të protestuar qytetarët serbë të asaj ane”, u shpreh ai.

Halimi më tej theksoi që, hapja e Urës së Ibrit do të ndodhë, mund të ketë vetëm vonesë.

“Ndryshe, hapja e Urës së Ibrit do duhej ndodhte kohë më parë, e në fakt as të mbyllej, por pasi gjendja është e tillë, mirë do të ishte që bashkësia ndërkombëtare ta bënte hapjen e saj, që të jetë më e pranuar, por sidoqoftë, ajo do duhet hapur”, foli Halimi për “Bota sot”.

Qarri: Beogradi tenton t’i mbyllë edhe urat dhe pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve në Republikën e Kosovës

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha se hapja e Urës së Ibrit duhej të ndodhte kohë më parë, kjo sepse nuk e pengon askënd.

Image

Gani Qarri

Sipas tij, qytetarët duhet të ngrihen në këmbë dhe të mbrojnë vendimin për hapjen e Urës së Ibrit.

“Në kohën kur tanimë, janë në përfundim e sipër edhe testimet e fundit për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve, përderisa ajo ka kohë që është e lirë për lëvizjen e këmbësorëve, biçikletave dhe motoçikletave, hapja e saj edhe për qarkullimin e veturave, tanimë ka peshë vetëm simbolike, dhe nuk pengon askënd. Madje vet BE, në vend se të kthehet në pengesë, do duhej t’i paraprinte hapjes së saj, derisa e mbanë veten për gardiane "në letër" të respektimit të lëvizjes së lirë, si pjesë avangarde e rregullores së BE-së, për të drejtat e njeriut!

Të gjithë qytetarët e Kosovës, duhet të ngriten në këmbë, të dalin në rrugë e sheshe dhe të protestojnë në mënyrën më të ashpër, kundër kësaj padrejtësie, që po insistohet t’i bëhet Kosovës, në shekullin XXI nga vet BE, njerëz të caktuar të së cilës, duket se kanë për qëllim, nxitjen e një revolte mbarëqytetare dhe përsëritjen e vitit 2004 në Kosovë”, u shpreh ai.

Hapja e Urës së Ibrit, është zvarritur nga BE

Analisti tregoi një kronologji të ngjarjes, duke filluar nga marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë e deri tek zvarritja e hapjes së Urës së Ibrit nga BE.

“Në fakt Kosova dhe Serbia që më 2015, e më vonë edhe më 2016, janë pajtuar edhe në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, që kjo urë të hapet për lëvizjen e makinave në të dy anët. Ndaj mbetet enigmë e pa zbërthyer, se pse është shtyrë hapja e saj deri më tani, e për aq më tepër habit shumë kërkesa absurde e faktorit ndërkombëtar, që serish, po kjo urë të bëhet temë e dialogut me Serbinë, kur dihet mirëfilli nga të gjithë faktorët relevant vendor e ndërkombëtar, se marrëveshja për hapjen e saj, është arritur qysh më 2016, çështja e hapjes së Urës së Ibrit, është çështje e brendshme e Republikës së Kosovës dhe është turp, të flitet për bllokimin e një ure, në shekullin XXI, madje këtë ta bëj edhe vet BE!?

Përndryshe nëse një marrëveshje e arritur qysh në vitin 2016, pas 8 vitesh u dashka rikthyer edhe një herë si temë në dialog, lind pyetja se si mund ti besohet Bashkimit Evropian, nëse BE shkel vet, marrëveshjet e veta dhe si mund ti besohet kësaj BE-je që të vazhdohet më tej, dialogu me ndërmjetësimin e saj, kur jo vetëm Serbia hegjemoniste, që shpreh pretendime të hapura territoriale, por as vet BE, nuk respekton marrëveshjet e veta, e të ndërmjetësuara nga vet BE, para shumë vitesh në Bruksel?!.

Çuditërisht, siç dihet, hapja e Urës së Ibrit, është zvarritur nga BE,disa herë, por se do të insistohet me kaq këmbëngulje nga faktori ndërkombëtar, që kjo çështje, përsëri të rikthehet si temë, në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, këtë lloj turpi, mund ta bëjnë vetëm ndërmjetësues të llojit, të deklaruar proserb si Lajçak e Borell, në fund të mandatit të tyre, në sinqeritetin e të cilëve as vet BE, më nuk mund të besojë”, shpjegon ai.

Analisti tutje vazhdon argumentet duke përmendur përafrimin e qytetarëve dhe asnjëherë largimin apo pengimin e qytetarëve në atë pjesë.

“Qeveria e Kosovës ka kohë që ka deklaruar publikisht se pas hapjes për këmbësor e biçikleta, synon ta hapë Urën e Ibrit edhe për qarkullim të automjeteve akt i cili ka të bëjë me përafrimin e qytetarëve dhe garantimin e lëvizjes së lirë për të gjithë, që është edhe e drejtë parësore e inkorporuar në vet rregulloren e Bashkimi Evropian.

Ndaj përderisa në gjithë botën, urat shërbejnë për lidhjen e njerëzve, pse vetëm në Kosovë, vet BE insiston që Ura mbi lumin Ibër, të kthehet në pengesë të lëvizjes së lirë dhe të mbajë të bllokuara lidhjet e njerëzve me njëri-tjetrin”, thotë ai.

Në fund, analisti cek që me hapjen e Urës së Ibrit nuk mund të ketë rezultate negative.

Ndërsa, sa i përket datave që Vuçiq ka përmendur, sipas analistit janë vetëm spekulime pasi ato data i di vetëm Qeveria e Kosovës.

“Institucionet e shtetit të Kosovës, duke qenë se në kuadër të misionit të KFOR-it, në urë qëndrojnë disa ushtarë italian bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, nuk kanë nevojë të kërkojnë as largimin e tyre dhe në vend të kësaj, vetëm të dakordohen paraprakisht me KFOR-in, që ushtarët e NATO-së, të vazhdojnë edhe më tej, qëndrimin në afërsi të urës, për kujdesin, bashkë me Policinë e Kosovës në mbarëvajtjen e lëvizjes së lirë dhe parandalimin e ndonjë akti kriminal apo shkaktimin e ndonjë pengese a problemi të qëllimtë nga ekstremistët e organizatave të ndaluara terroriste serbe.

Kështu që Qeveria e Kosovës i ka planet dhe datat e veta, të përcaktuara në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, edhe për hapjen e Urës mbi Ibër dhe kur ajo e konsideron të arsyeshme, do ti bëjë të njohura paraprakisht edhe për qytetarët dhe opinionin vendor e ndërkombëtar. As që ka nevojë kush të merret me spekulimet e kriminelit Vuçiq, ish ministrit të informatave të Sllobodan Millosheviqit, i cili njëjtë siç mbyllte dikur mediat dhe shkollat e universitetin në gjuhën shqipe, tash e mbi 25 vite, nga Beogradi tenton t’i mbyllë edhe urat dhe pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve në Republikën e Kosovës, fatkeqësisht duke u mbështetur edhe nga disa vende ndërkombëtare, të cilat në shtetet e veta, as që mund ta paramendonin mbylljen e urave dhe pengimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.

Read Entire Article