Komentohen rrëfimet tronditëse nga ish të burgosurit politikë/ Zbërthehen mesazhet – ky ishte qëllimi i UDB-së!

1 month ago 7
Reklamë

Ish të burgosurit politikë janë një nga temat më të ndjeshme, çdoherë kur përfshihen në debat.

Sfidat, torturat dhe sakrificat e tyre janë gjithmonë në interes të publikut të dëgjohen.

E së fundmi në emisionin “Debat plus”, po jepen shumë intervista nga ish të burgosurit politikë të viteve ’80-ta.

E njëri nga ish të burgosurit politikë, është Kadri Kryeziu, i cili ka zbuluar emrat e dy shqiptarëve që ishin pjesë e Drejtorisë/Agjencisë së Sigurimit Shtetëror Jugosllav, e njohur si UDB.

Kryeziu ka përmendur Vesel Krasniqin që sipas tij e arrestoi atë në Prizren, e rrahu, pastaj e transferoi në Prishtinë.

Vesel Krasniqi ka qenë një nga figura e tyre. Ai më ka marrë. Tri ditë kam ndejt në Prizren dhe pastaj jam transferuar në Prishtinë. Ka qenë traditë dhe si metodë me të lidhë para radiatori. Më ka dhënë disa shpulla dhe pas tri dite m’kanë transferuar në Prishtinë”, ka rrëfyer Kryeziu.

Gjatë rrëfimit të tij, Kryeziu ka përmendur edhe Asllan Sllamnikun që siç thotë ai si pjesëtar i UDB-së, ishte njeri më i besueshëm i Serbisë.

Gjithashtu, një tjetër rrëfim ishte ai i të burgosurës, Naime Maqastena-Sherifi.

Ajo ka rrëfyer se tortura nuk i ishte ndalur, por kryesisht përmes mungesës së gjumit dhe marrja në pyetje natën.

Nuk na linin të flinim, natën pjesa më e vështirë ishte marrja në pyetje natën, e gjatë ditës ishte e ndalume me fjetë, krejt kjo ka qenë me të lodhë”, tha ajo.

“Zymer Zymeri më i keqi i sigurimit shtetëror”, ish e burgosura politike rrëfen për torturat që përjetoi nga shqiptarët e UDB-së

Maçastena tregon se UDB-ashët, Bajram Munishi dhe Blerim Olloni ishin ata që e kishin rrahur fortë.

E të gjendur në këto mori rrëfimeve a i duhet Kosovës ligji për lustracion?

Po ashtu, në vazhdimësi ka pasur akuza se institucionet e Kosovës janë të mbushura qoftë me UDB-ash apo pasardhës të tyre.

Burjani: Ligji për Lustracion duhet të hartohet

Image

Blerim Burjani

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Ai e sheh të gabuar që kanë kaluar 25 vite dhe Kuvendi i Kosovës nuk ka marrë asnjë veprim për të dënuar këto veprime.

Sipas tij, duhet të arrestohen të gjithë ata që kanë bërë këto krime.

Është humbje kohe e konsiderushme 25 vjet pas luftës, Kuvendi i Kosovës asnjëherë përgjatë kësaj kohe as formalisht nuk ka një rezolutë për të dënuar krimet e komunizmit. UDB-ashët kanë qenë pjesë e një sistemi diktatorial komunistë, ata kanë zbatuar urdhra politik nga qarqet e ngushta komuniste, puna e tyre është ushtruar nga politikanët komunistë. Nuk janë të zhytur vetëm këta persona, por ata që kanë dhënë urdhra për vrasje, arrestime, persekutime të njerzëve që janë cilësuar si kundërshtarë të sistemit komunistë, sigurimi shtetëror ka qenë pjesë e pandashme e marrjes dhe zbatimi të urdhrave të niveleve të larta komuniste”, u shpreh ai.

Më tej, juristi shton që përmendja se ka UDB në institucionet e Kosovës, atëherë duhet të shtjellohet kjo situatë dhe se ligji për Lustracion duhet të hartohet.

Pra natyrisht se duhet të nxjerret ligji për Lustracion. Në institucione nëse ka është dasht të dihen, kur po thonë ka, atëhere ata si kanë arritur aty, pse? Dhe kush është përgjegjës për ata njerëz, pasardhësit e tyre familjar janë diçka tjetër përgjegjësia është individuale gjithmonë, asnjëherë kolektive, pra duhet të trajtohen ligjërisht personat e tilla.

Ligji për Lustracion duhet të hartohet nga ekspertë të njohur të fushës ligjore dhe të bëhen krahasimet edhe me ligje të ngjashme të Kroacisë apo vendeve tjera komuniste. Modelet analizohen dhe hartohet një ligj në përputhje me ngjarjet dhe individët të asaj kohe, pra të një modeli unik që i përgjigjet Kosovës dhe është i mundshëm të zbatohet”, foli Burjani për “Bota sot”.

Duhanaj: Fatkeqësia më e madhe është se ne edhe sot e kësaj dite, në njëfarë forme, me gjasë kontrollohemi nga njerëz të tillë të ish sistemit

Image

Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim për “Bota sot”, thotë që këto deklarata janë dëshmi e fortë e vuajtjes së shqitparëve ndër breza.

Duke vazhduar bisedën analisti shton që ka pasur edhe njerëz të cilët kanë qenë thuaj se të asimiluar në sistem dhe si të tillë janë munduar të shiten edhe më jugosllav se vetë serbët.

Deklaratat e ish të burgosurve politikë, të cilët po rrëfejnë mbi përjetimet të tyre nëpër burgjet e ish Jugosllavisë, janë edhe një dëshmi e fortë e vuajtjes së shqiptarëve ndër breza. Këto deklarata gjithashtu janë një pasqyrë e asaj që quhej "popull jugosllav" apo"jugosllaveni" i mbuluar me ombrellën e komunizmit dhe internacionalizmit socialist, e që në fakt ka qenë veç pansllavizëm klasik

Natyrisht që brenda atij sistemi, ka pasur njerëz që kanë punuar në sektor të shumtë dhe ndershëm. Ka pasur edhe edhe njerëz që nuk e kanë pranuar sistemin si të tillë dhe kanë qenë të përjashtuar dhe persekutuar. Mirëpo, ka pasur edhe njerëz të cilët kanë qenë thuaj se të asimiluar në sistem dhe si të tillë janë munduar të shiten edhe më jugosllav se vetë serbet të cilët kanë qenë edhe bartës të sistemit”, shpjegon analisti.

Në fund, analisti tregon edhe historinë e tij personale të marrjes në pyetje nga njerëz të sistemit dhe se njerëz të ish sistemit, duhet ta kenë të ndaluar me ligj punësimin nëpër institucione publike dhe vende kyçe.

Nga kjo kastë kanë vuajtur me së shumti ish të burgosurit dhe ish të persekutuarit. Edhe vetë personalisht në atë kohë si fëmijë 15 vjeçar e kam provuar arrestimin dhe "marrjen në pyetje" nga njerëz të sistemit. Fatkeqësia më e madhe është se ne edhe sot e kësaj dite, në njëfarë forme, me gjasë kontrollohemi nga njerëz të tillë të ish sistemit, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë përmes trashëgimtarëve të tyre. Prandaj, është më së i rëndësishëm ligji i Lustracionit, dhe të ndahet njëherë e mirë "shapi prej sheqerit". Njerëz të ish sistemit, duhet ta kenë të ndaluar me ligj punësimin nëpër institucione publike dhe vende kyçe. Sepse të tillët akoma vazhdojnë të jenë bashkëpunëtorë të Serbisë”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

Read Entire Article