Konflikt i ri? Biserko vjen me një paralajmërim - priten përpjekje të reja nga Serbia për ndarjen e Kosovës

1 month ago 8
Reklamë

Analistja e zhvillimeve në Ballkan, Ivana Stradner, së fundmi ka paralajmëruar se qeveria e Serbisë po përgatitet për një përshkallëzim të ri në Ballkan.

Ajo ka thënë se kërcënimi për një përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës “është i madh dhe i vërtetë”.

“Rusia po kërkon pika të cenueshme në Perëndim dhe pika më e cenueshme aktualisht në Evropë është Ballkani, më konkretisht Bosnje e Hercegovina dhe Kosova”, ka deklaruar ajo.

Këtë e ka pohuar edhe kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Ajo për gazetën “Bota sot”, ka thënë se mund të priten përpjekje të reja nga Serbia për ndarjen e Kosovës.

“Për këtë sigurisht që po flitet shumë, duke filluar nga aktivitetet e Beogradit në vendet fqinje, Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova. Deklarata për asamblenë panserbe ka alarmuar gjithë rajonin dhe BE-ja, SHBA-ja dhe Përfaqësuesja e Lartë në Bosnje kanë reaguar shumë ashpër. Pra, fakti është se rajoni është i brishtë dhe se objektivisht ekziston mundësia e konfliktit. Kur bëhet fjalë për Kosovën, është realiste të priten përpjekje të reja për ndarje, si ajo në Banjskë”, është shprehur Biserko.

Së fundmi edhe kryeministri i Kosovës Kurti dhe gjenerali amerikan Wesley Clark, paralajmëruan se Aleksandar Vuçiq mund të hyjë në Kosovë siç bëri Vladimir Putini në Ukrainë.

Edhe sipas Biserkos, kjo është e mundur.

“Kjo është e mundur, por është gjithashtu fakt që NATO ka rritur praninë e saj në rajon, ka rritur numrin e trupave të EUFOR-it dhe KFOR-it dhe ka hapur baza të reja në Rumani dhe Shqipëri. Në samitin e NATO-s në Uashington, Rumania, Bullgaria dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje që lejon lëvizjen e shpejtë ndërkufitare të trupave dhe armëve në krahun lindor të NATO-s”, ka thënë më tej Sonja Biserko.

Ajo ka shtuar se “nga njëra anë, Perëndimi po përpiqet ta tërheqë Serbinë në kampin perëndimor, ndërsa nga ana tjetër, po monitoron Serbinë dhe sjelljen e saj ndaj fqinjëve”.

Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, ka thënë gjatë një interviste në CNN se nëse ka problem në Ukrainë, mund të vijë problemi edhe në Ballkan.

Clark ka thënë se presidenti serb Vuçiq, përkundër se përdor dy anët, perëndimin e Rusinë, ai në një moment dëshiron ta bëjë atë që presidenti rus Vladimir Putin po bën në Ukrainë.

“Dora e Rusisë ndihet në Ballkan, Serbia është dora e Rusisë në Ballkan dhe i shërben interesave të Rusisë. Vuçiq është i mençur, dëshiron të duket sikur po luan në dy anët, por kur të vjen koha ai do të bëjë atë që do Putini që ai të bëjë”, ka thënë ai.

Ndërsa, sipas Kurtit, Serbia dhe Rusia po e imitojnë njëra-tjetrën./Botasot

Read Entire Article