Konflikti mes dy bandave në Prishtinë lë pas 1 person të vrarë e 5 të tjerë të plagosur

2 weeks ago 27
Reklamë

Mbi 100 plumba u shkrepën mbrëmjen e së dielës në Prishtinë gjatë një konflikti mes dy bandave. Si pasojë, një person është vrarë e 5 të tjerë janë lënduar dhe po marrin trajtim në QKUK.

Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë thonë se konflikti ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme. Një ballafaqim të armatosur këto dy grupe e patën edhe në muajin mars.

Një person u vra e pesë të tjerë u plagosën pas një shkëmbimi zjarri, ku u shkrepën mbi 100 plumba, në një konflikt mes dy bandave mbrëmjen e së dielës në lagjen “Aktash” të kryeqytetit.

Të arrestuar për këtë rast janë 5 personat e plagosur. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnulla Gashi, ka thënë se në bazë të video-incizimeve që posedojnë, po kërkohet edhe një person tjetër.

“Është e vërtetë se ky rast është si pasojë e mosmarrëveshjeve të mëhershme mes dy familjeve, Gashi dhe Sekiraqa”, tha Gashi.

Një konflikt të armatosur këto dy banda e patën edhe në muajin mars të këtij viti, ku u plagos një person. E prokurori Gashi konfirmoi që ndaj dy të dyshuarve është ngritur aktakuzë dhe gjenden në paraburgim.

E për rastin e së dielës, 5 të plagosurit janë duke u mjekuar në klinikat e QKUK-së.

Në hapësirat e Spitalit të hënën u vërejt një prani e madhe e policisë, sidomos në ato reparte ku po mjekoheshin të dyshuarit.

Doktor Vesel Skënderi bëri të ditur se dy nga të plagosurit po trajtohen në Klinikën Kirurgjike dhe shtoi se gjendja e tyre është stabile.

“Kanë plagë në abdomen, njëri pacient ka plagë edhe në ekstremitetet e poshtme. Pacienti tjetër ka në pjesën e kokës, por është një plagë rrëshqitëse, pra vetëm lëkurën e ka lënduar”, tha Skënderi.

E dy të plagosur të tjerë kanë plagë në këmbë, por edhe këta, sipas doktorit Xhavit Gashi, janë jashtë rrezikut për jetën.

“Gjendja e tyre është stabile, kanë lëndime nga armët e zjarrit në pjesën e ekstremiteteve të këmbëve. Edhe një pacient tjetër është operuar nga ekipi kujdestar mbrëmë, në kombinim me ekipin e kirurgjisë abdominale. Nga 5 pacientë 3 kanë pasur lëndime të aspektit ortopedik”, tha Gashi.

E i plagosuri i pestë po trajtohet në Klinikën e Kardiokirurgjisë, e, sipas mjekëve, gjendja e tij është stabile.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article