Konsensus në Kuvend për Reformën Zgjedhore, shtyhet me 6 muaj afati i komisionit

11 months ago 21
Reklamë
15:40 21/09/2023

Shumica dhe opozita kanë dakordësuar për të shtyrë edhe me 6 muaj mandatin e Komisionit të Reformës Zgjedhore i bashkëdrejtuar nga Damian Gjiknuri dhe Enkeled Alibeaj.

Të dy kanë bashkëfirmosur një kërkesë ku kërkojnë më shumë kohë për të ndryshuar ligjin elektoral, ndërkohë që mbledhja e fundit publike e këtij komisioni është zhvilluar Dhjetorin e vitit të shkuar.

Por pavarësisht se për të vijuar punën e këtij komisioni bipartizan palët janë dakord, ajo që i ndau dhe shkaktoi debate në seancë ishte kërkesa e Gazment Bardhit për të miratuar dhe ndryshimet në përbërjen e përfaqësuesve të opozitës në këtë komision.

Gazment Bardhi: Përfshijeni këtë pikë në rendin e ditës që të kemi mundësi të nisim menjëherë punën.

Por shumica insistoi që votimin për ndryshimet e përbërjes së komisionit të kalojnë në seancën e radhës.

Bledi Çuçi: Nuk jemi ne ata që i zgjedhim përfaqësuesit e opozitës në një komision. Larg qoftë. Marrim vendimin e shtyrjes sot, seancën tjetër sigurisht shkojmë me ndryshimet.

Për Sali Berishën arsyeja e këtij qëndrimi absurd nga ana e shumicës është një pazar që kanë bërë me deputetë që mbështesin Bashën, t’i mbajnë në drejtimin e Komisionit të Reformës në këmbim të votave për rritjen e pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses, projektligj që kërkon shumicë të cilësuar.

Sali Berisha: Ju doni të merrni peng persona këtu që duhet të votojnë për rrogën e bashkëshortes. Ish-bashkëkryetarin, që opozita e ka shkarkuar, e mbani peng deri sa të votojë.

E lidhur me rritjen e pagave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetueses, Berisha vazhdon të pretendojë se bëhet nga qeveria për të “ blerë” vendimet e tyre. Ndërkohë që sipas tij pensionistët marrin pagesa qesharake me pagën e rivlerësuar të një anëtari të kësaj gjykate paguhen afro 100 pensionist.

Sali Berisha: Po juve s’ju interesojnë dhimbjet e njerëzve.

Por ndryshe mendon shumica e cila sot në Kuvend kishte sjellë për votim projektligjin për fondet e pensioneve private, një alternative ligjore sipas tyre që rrit pensionet.

Tonin Gogu: Pensionistin më të mirëpaguar të cilin ja u nxorrën në pension politik aleatët tanë strategjik kaq shumë e deshët pensionin e tij sa tani jeni rimartuar me të.

Sali Berisha: Sado që të sulmosh Sali Berishën, kryetar grupi parlamentar nuk të bëjnë. Se nuk kanë besim përfundimtar tek tij, janë ateist.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article