Travis King hyri vullnetarisht në këtë shtet më 18 Korrik
Autoritetet në Korenë e Veriut do të dëbojnë ushtarin Travis King, i cili hyri në territorin e këtij shteti gjatë muajit korrik të këtij viti. Mediat koreane shkruajnë se procesi i marrjes në pyetje të ushtarit amerikan ka përfunduar megjithatë ato nuk kanë dhënë detaje se ku do të dëbohet.
23-vjeçari, i cili kishte shërbyer për ushtrinë amerikane në Korenë e Jugut, kaloi kufirin dhe hyri në Korenë e Veriut më 18 korrik, gjatë një turi civilësh në zonën e çmilitarizuar që ndan Korenë e Veriut me atë të Jugut duke u bërë kështu amerikani i parë që arrestohet në gati pesë vjet.
Ai ishte liruar nga burgu në fillim të korrikut pasi një gjykatë në Seul e dënoi me 5 milionë won në muajin shkurt për sulmin ndaj një individi dhe dëmtimin e një makine të policisë, sipas vendimit të siguruar nga agjencia e lajmeve “The Associated Press”.
Ushtari amerikan hyri vullnetarisht në Korenë e Veriut dhe sipas mediave të huaja ai ishte i ndjerë i diskriminuar brenda radhëve të ushtrisë për shkak të ngjyrës.
Kalimet e paautorizuara nëpër kufirin e fortifikuar të Koresë janë jashtëzakonisht të rralla. Të paktët amerikanë që kaluan në Korenë e Veriut në të kaluarën përfshijnë ushtarë, avokatë të të drejtave të njeriut ose ata thjesht kureshtarë të cilët donin të dinin më shumë për një nga shoqëritë më të mbyllura në botë.
Klan News
Të ngjashme