Koreja e Jugut urdhëroi evakuimin e dy ishujve të saj pas veprimeve të fundit të Koresë së Veriut.
Koreja e Jugut njoftoi se fqinji verior lëshoi rreth 200 predha nga bregu i saj perëndimor.
“Koreja e Veriut gjuajti rreth 200 predha pranë ishullit Yeonpyeong”, tha një zyrtar i ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Jugut.
Zyrtarët lokalë në Jeonpyeong, shtëpia e rreth 2000 banorëve, thanë se civilëve u ishte kërkuar të evakuoheshin. Një thirrje për evakuim iu dërgua edhe banorëve të një ishulli tjetër, raporton france24.
Predhat e lëshuara mëngjesin e sotëm midis orës 9 dhe 11 të mëngjesit nuk hynë në territorin e Koresë së Jugut sepse të gjitha ranë në zonën tampon midis dy vendeve.
Shefi i shtabit të Koresë së Jugut tha se incidenti nuk shkaktoi “asnjë dëm për njerëzit apo ushtrinë”, por shtoi se akti “kërcënonte paqen në Gadishullin Korean dhe rriti tensionet”.
Koreja e Jugut dënoi bombardimet, duke e quajtur atë një “akt provokues” dhe u zotua të përgjigjet.
Kujtojmë se në vitin 2010, ushtria e Koresë së Veriut shënjestroi dhjetëra herë ishullin Yeonpyeong, duke vrarë katër persona. /Telegrafi/