Kosova bashkoi në një pikë PD dhe PS, seanca e veçantë sot në Kuvend

1 year ago 21
09:09 12/10/2023

Në Kuvend, këtë të Enjte do të zhvillohet një seancë e veçantë pasi do të votohet Rezoluta e Kosovës për ngjarjen e rëndë të 24 Shtatorit në Banjskë ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën 3 të tjerë.

Opozita dhe mazhoranca, ndryshe nga herët e tjera, ditën e djeshme ranë dakord për një rezolutë të përbashkët. Vendimi u mor pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit.

Rezoluta që bëri bashkë dy partitë kryesore në vend, mbështet plotësisht atë të Kuvendit të Kosovës ku përgjegjëse për këtë ngjarje bëhet Serbia.

Një pikë tjetër e rezolutës inkurajon qeverinë e Kosovës që së bashku me faktorin ndërkombëtar t’i bashkohet procesit për arritjen finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Pavarësisht se kjo çështje e rëndësishme i bashkoi opozitarët dhe mazhoritarët në një pikë, PD ka kërkuar që në seancë të jenë të pranishëm dhe deputetët e përjashtuar.

8 deputetët e PD-së janë përjashtuar një javë më parë pasi në seancën e kaluar bllokuan karrigen e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla. Mes të përjashtuarve për plot 10 ditë, është dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi./tvklan.al








Të ngjashme

Read Entire Article