Kosova ngjitet në radhët e NATO-s: Një hap i madh drejt anëtarësimit të plotë

4 months ago 10

Sot është mbajtur mbledhja a Asamblesë Parlamentare e NATO-s ku u miratua rekomandimi për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.

Shumica e vendeve votuan për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që u mbajt në Sofje të Bullgarisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur mirë, duke thënë falënderuar vendet anëtare që e kanë miratuar avancimin e pozitës së Kosovës dhe ka thënë se e ardhmja e vendit që udhëheq ajo është në NATO.

“Ky vendim do të garantojë se do të dëgjohet zëri i popullit më pro-NATO në gjithë botën. Ne do t’i vazhdojmë përpjekjet tona, bashkë me aleatët, që të avancojmë në rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, ka thënë Osmani përmes një postimi në X.

Shala: Avancimi i Kosovës në çdo mekanizëm të sigurisë ndërkombëtar padyshim që forcohet dhe stabilizohet siguria politike e Kosovës

Image

Drizan Shala

Eksperti i sigurisë Drizan Shala, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se me avancimin e Kosovës në çdo mekanizëm të sigurisë ndërkombëtar, padyshim që forcohet dhe stabilizohet siguria politike e saj në arenën e bashkërendimit ndërkombëtarë.

"Në nivelin nacional mund të themi që spektri politik në vend nuk kanë as ide as hapësirë në rezonin e tyre që do të duhet të jenë në harmoni të plotë brenda spektrit të tyre për të avancuar pozitën e Kosovës në këto mekanizma.

Në bazë të draft-raportit që ka dalë në publik, aty goditet fortë pozicionimi i Kosovës në nivelin politik sa i përket ofrimit të sigurisë dhe marrjen e vendimeve adekuate në harmoni të plotë me partnerët tanë strategjik”, thotë ai.

Elezaj: Kosova do jetë e barabartë me vendet tjera

Image

Rexhep Elezaj

Kurse, analisti Rexhep Elezaj, në një përgjigje për “Bota sot” thotë se avancimi i statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar, është një lajm i mirë.

Sipas tij, në realitet është hera e parë që vendi ynë po bëhet anëtare e barabartë në një organizatë kyçe ndërkombëtare.

“Duke marrë parasysh bllokadën të cilën ndaj Kosovës po e bëjnë në vazhdimësi 5 shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës; Spanja, Rumunia, Greqia, Qipro dhe Çekia, kur është në pyetje anëtarësimi i saj në KiE, Interpol, UNESCO, UNDP, ËHO, etj., del se avancimi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga vëzhguese në anëtare të asociuar, përveç se përbën lajm tepër të mirë për Kosovën, në realitet është hera e parë që vendi ynë po bëhet anëtare e barabartë në një organizatë kyçe ndërkombëtare”, shprehet ai.

Nga ana tjetër, Elezaj kritikon edhe qeveritë e mëparshme, duke thënë se është një dështim i tyre që Kosova nuk u anëtarësua në organizata ndërkombëtare.

“Është kështu për faktin, ngase nuk ka si të shpjegohet fakti i hidhur, se Kosova për 16 vite si shtet i pavarur nuk arriti që të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare, e që është një dështim i madh politik i të gjitha qeverive të deritanishme që kanë qeverisur me Kosovën, që nga viti 2008 e deri më sot, duke shënuar dështim pas dështimi në planin e politikës së jashtme, siç ndodhi para një jave me dështimin për t’u anëtarësuar në KiE, ekskluzivisht me fajin e qeverisë aktuale, e cila hezitoi që Draft-Statutin e AKS ta dërgojë në Gjykatën kushtetuese, siç kërkuan ndërkombëtarët, duke ndërmarrë hapa në dëm të anëtarësimit të saj në këtë organizatë kyçe të Evropës, për shkaqe krejtësisht të pajustifikueshme, politikisht dhe juridikisht.

Këtu duhet patjetër të ceket edhe fakti, se dështimi i të gjitha qeverive të Kosovës për ta anëtarësuar Kosovën në organizatat e cekura më lartë, qëndron kryesisht në neglizhencën dhe angazhimin jo të mjaftueshëm të tyre në planin e lobimit, sidomos në mos aktivizimin e komisioneve gjegjëse parlamentare për të lobuar në vendet evropiane dhe ato tej-atlantike, por edhe për shkak të mos-koordinimit të duhur me SHBA-të, duke mos qenë të vetëdijshëm se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizata kërkon punë shumë intensive si dhe lobim të planifikuar me ekspert të fushës diplomatike.

Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, veçse një shtet në ndërtim e sipër, pavarësia e të cilit akoma varet nga vullneti i shteteve veç e veç, e jo nga BE-ja si tërësi kolektive e 27 shteteve anëtare".

Në fund, Elezaj thotë se avancimi i Kosovës, është pa dyshim hap i rëndësishëm e cila falë mbështetjes amerikane nga nesër do jetë e barabartë me vendet tjera.

“Prandaj, avancimi i Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, që ndodhi në Sofje, është pa asnjë dyshim, hap i rëndësishëm për Kosovën, e cila falë mbështetjes amerikane nga nesër do jetë e barabartë me vendet tjera, anëtare në këtë Asamble të NATO-s, madje si hap drejt anëtarësimit të plotë të saj në NATO, përderisa në anën tjetër anëtarësimi në organizatat tjera ndërkombëtare, si dhe në vetë BE-në, duket të jetë shumë i largët për Kosovën.

Mjerisht, por kjo është e vërteta e pozicionit aktual ndërkombëtar të Kosovës, shtet i pavarur po, por edhe jo anëtar në asnjë organizatë kyçe ndërkombëtare.

Një dështim ky, i cili në asnjë shtet të botës nuk do kalonte pa e marrë dënimin e merituar paria në pushtet nga votuesit e saj/tij në zgjedhjet e radhës..!?”, përfundon ai për “Bota sot”.

Read Entire Article