“Kosova të mos ndëshkohet, Gjermania dhe Britania kanë qasje më të drejtë ndaj Kosovës”

1 month ago 5
Reklamë

Deputetja britanike, Alicia Kearns, gjatë ditës së enjte e ka konsideruar të padrejtë ndëshkimin e Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit dhe injorimin e sulmit të Banjskës në të njëjtën kohë nga Bashkimi Evropian.

Ajo thotë se, sikurse Mbretëria e Bashkuar, edhe BE-ja duhet ta bëjnë të qartë se mbështesin ndërtimin e urave në Kosovë dhe jo bllokimin e rrugëve dhe ndarjen.

“E tmerruar kur shoh se BE-ja kërcënon Kosovën me masa të mëtejshme nëse rihapet Ura e Ibrit. Qeveria e re e Mbretërisë së Bashkuar dhe ekipi i ri i BE-së duhet të bëjnë të qartë se mbështesin ndërtimin e urave në Kosovë, jo bllokimet e rrugëve dhe ndarjen. BE-ja ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim kuptimplotë kundër Serbisë, pavarësisht provave të shumta që lidhin Milan Radoiçiqin dhe sulmuesit e Banjskës me shtetin serb. Ta ndëshkosh Kosovën për hapjen e një ure, duke injoruar Banjskën, tregon se vetë procesi është thellësisht i padrejtë dhe ka nevojë për reforma urgjente”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

Po ashtu, deputetja britaneze ka thënë se procesi i dialogimit ka nevojë për reforma urgjente.

Mirëpo, kujt duhet t’i drejtohet në këtë mënyrë, kush do ta gjykonte drejtë këtë ҫështje, derisa nga Bashkimi Evropian, Kosova është ndëshkuar disa herë. Madje janë paralajmëruar masa të reja ndëshkuese për Kosovën.

Por rasti i Banjskës, pse u hesht?

Lidhur me këtë temë, për ‘Bota sot’ kanë folur njohësit e ҫështjeve politike. Kështu analisti dhe profesori, Sulejman Mehazi thotë se, deklarata e deputetes bitanike, Alicia Kearns, tregon hapur se ndërkombëtaret, gjegjësisht, BE-ja më shumë ështe për ndarje të Mitrovicës sesa për të bashkuar, paqëruar e bashkëpunuar qytetarët e Mitrovicës me hapjen e urës së Ibrit, me një fjalë deputetja britanike ua zbardhi gjurmët djallëzore BE-së, se janë në përkrahje të Serbisë e kundër qeverisë së Kosovës.

Mehazi: Në mënyrë të turpshme injorojnë sulmet terroriste serbe në Banjskë

“Deklarata e deputetes britanike, Kearns, është shumë e fuqishme sepse ua zbulon dyfytyrësitë, hipokrizinë ndërkombëtarëve evropianë dhe amerikanë të cilët pa farë argumentesh bëjnë zhurmë djallëzore kundër hapjes së urës së Ibrit, kurse në anën tjetër gjatë sulmeve të terroristëve serbë në Banjskë në vazhdimësi heshtin si kurvat, bëhen sikur nuk ka ndodhur gjë në Banjskë. Në mënyrë të turpshme injorojnë sulmet terroriste serbe në Banjskë, kurse në anën tjetër pa farë shkasi janë çuar në këmbë gjithë diplomacia evropiane e amerikane për mos hapjen e urës së Ibrit që e ka kuptimin e prushit për të kallur një konflikt të ri në veri të Kosovës”, vlerëson ai.

Profesor Mehazi thotë tutje se, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vend që të përkrahet nga BE-ja e SHBA-të që me hapjen e urës do të nxjerr nga hendeku qytetarët e Mitrovicës, diplomatët e fuqive të mëdha me mos hapjen e urës duan që mitrovicasit të kenë para vetes hendekun e ndarjes së Mitrovicës.

“Pyesim BE-në dhe SHBA-të, pse janë ndërtuar urat, për të qenë të hapura apo të mbyllura”, përfundon ai.

Mehmeti: Kosova duhet të vazhdojë me vendosnëri të veprojë në interes të vendit, jo të pres që të jetë "mish për top" për interesa të të tjerëve

Image

Faton Mehmeti

Po ashtu për këtë temë ka folur edhe analisti Faton Mehmeti.

Ai thotë se, britanikët dhe gjermanët kanë qasje më të drejtë ndaj Kosovës sa i përket shtrimit dhe ushtrimit të sovranitetit në tërë vendin.

“Derisa BE, francezët dhe disa kukulla të saja vazhdojnë të mbrojnë Serbinë duke akuzuar qeverinë për hapjën e urës. Derisa francezët në vendin e tyre kalojnë urat dhe i hapin, Kosovës i thonë t'i mbajë të mbyllura. Kjo është e padrejtë, kështu që Kosova duhet të vazhdojë me vendosmëri të veprojë në interes të vendit, jo të pres që të jetë "mish për top" për interesa të të tjerëve. Kurti të vazhdojë me hapjen e urës, ҫdo rrugë tjetër është në interes të atyre qe Kosovën e duan të ndarë”, vlerëson Mehmeti për ‘Bota sot’.

Read Entire Article