Kosovë/ Gërvalla pas takimit me David Cameron: Perëndimi ka nevojë për qasje të re ndaj Ballkanit

10 months ago 42
10:17 04/01/2024

“Perëndimi ka nevojë për një qasje dhe strategji të re. Pyetja qëndrore këtu për shkak të gjeografisë është se kush është me Perëndimin e kush jo?”, ka thënë Gërvalla.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron.

Pas takimit, ata kanë mbajtur një konferencë për media, Gërvalla ka theksuar se Perëndimit i nevojitet që të ketë një qasje të re ndaj Ballkanit.

“Gjatë bisedës e njoftova rreth zhvillimit të jashtëzakonshëm të Kosovës në fusha të ndryshme, e sidomos në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. Duke vënë në pah sfidat që u përballëm, e falenderova për mbështetjen britanike. Kosova do të jetë mirënjohëse për jetë”, ka thënë Gërvalla.

Tutje, ajo ka thënë se ka shprehur mirënjohjen e thellë për reagimin e shpejtë të Mbretërisë së Bashkuar pas sulmit të 24 shtatorit dhe dërgimin e trupave shtesë.

“Kosova është e hapur dhe e gatshme për biznes. Që Kosova është pjesë e Perëndimit për këtë nuk ka asnjë dilemë”, ka shtuar ajo.

“Perëndimi ka nevojë për një qasje dhe strategji të re. Pyetja qendrore këtu për shkak të gjeografisë është se kush është me Perëndimin e kush jo”, ka thënë ajo tutje.

Sipas saj, recetat e vjetra të para sulmit të Rusisë kundër Ukrainës nuk funksionojnë më.

“Perëndimi ka qenë i suksesshëm atëherë kur ka pasur një qëndrim të përbashkët. Mbretëria e Bashkuar për Kosovën është një partner i veçantë strategjik”, ka potencuar Gërvalla.

Më tej, ajo e ka treguar se gjatë takimit me Cameron, e ka falenderuar atë për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka ofruar Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Ndërsa ish-kryeministri britanik tha se ata vazhdojnë të mbeten mbështetës të mëdhenj të Kosovës, dhe që periudha aktuale në botë që po karakterizohet me konflikte të mëdha bën që Britania të jetë sa më përkrahëse ndaj miqve të saj.

“Ne jemi mbështetës të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, të sovranitetit të Kosovës, dhe të së drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët”, ka thënë Cameron në konferencë për media.

“Mendoj që njëra prej gjërave që e dëgjova e që është shumë e rëndësishme është rëndësia e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Kjo është diçka në të cilën po investon Britania e Madhe. Është diçka tepër e rëndësishme për interesin tonë kombëtar. Mendoj që diskutimet që i patëm e rrokin një strukturë më të përgjithshme pasi siç shohim nëpër lajme sot, jetojmë në një botë me pasiguri të mëdha, me konflikte të mëdha, dhe është një periudhë ku shtetet si ne Britania duhet t’i përkrahim miqtë tanë, të punojmë për së afërmi në aleancat tona”.

Kjo është dita e dytë e Cameronit në Kosovë dhe vizita e parë e tij jashtë vendit që nga fillimi i vitit 2024. Gjatë ditës së djeshme, ai është takuar me kryeministrin Albin Kurti, ku i ka konfirmuar mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.  /klankosova


Read Entire Article