Kriminelë, vrasës dhe terroristë, politikani jep emrat e krahut të zgjatur të pushtetit diktatorial serb/ Ja kush mund t’i parandalojë ata

2 months ago 15
Reklamë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka vendosur kushtet e tij për ta takuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Kurti pas 26 qershorit, datë kjo e supozuar për një takim trepalësh i ka vendosur tri kushte.

Kryediplomati i BE-së Joseph Borrell në një konferencë për media ka treguar arsyet e dështimit të takimit Kurti-Vuçiq.

“Sepse Kurti paraqiti tri kushte, dhe po e citoj atë “së pari, formalizimi i marrëveshjes bazike përmes nënshkrimit nga qeveritë përkatëse, kjo kërkesë e vjetër. Tërheqjen e letrës së Brnabiqit 13 në dhjetor të vitit të kaluar, po flasim pra për gjëra që kanë ndodhur para gjashtë muajsh, dhe 3, që të dorëzojë Radojçiqin dhe ushtarët para ushtarak në Kosovë.” – ka thënë Borell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se tri kushtet që ai vendosi në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, janë ato që garantojnë procesin e normalizimit me Serbinë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti u shpreh se pa dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, që kreu sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, tek autoritetet e Kosovës s’mund të ketë mirëbesim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Tridhjetë e nëntë persona të atij grupi, nga 47 të identifikuar qartë ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtar nga INTERPOL-i. Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, deklaroi Kurti.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Në sulm mbeti i vrarë një rreshter, ndërkaq gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Radoiçiq besohet se ndodhet në Serbi.

Terroristi Radoiçiq përveç sulmit terrorist në Kosovë, ai po shfrytëzohet nga autoritetet serbe edhe për të realizuar akte brutale kundër atyre që mbrojnë Kosovën dhe kërkojnë paqe.

Politikani serb, Nikola Sandulovic është rrahur në ambientet e BIA-s serbe pas homazheve pranë komandatit Adem Jashari në Prekaz dhe ky i fundit ka deklaruar se prapa aktit brutal fshihet Rakiç, por ka arritur të identifikojë edhe Radoiçiqin, Veseloviçin dhe Zeneloviçin.

Të gjitha personat që fshihen prapa aktit brutal të politikanit janë në liri, madje emrat e tyre përveç që përmenden për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ata vazhdojnë të ushtrojnë njerëz për sulm të ri.

Rreth asaj se kush do të duhej të merrej me këta persona, politikani serb, Nikola Sandulovic, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se duhet të merret INTERPOL-i.

Sipas tij, ata janë krahu i zgjatur i pushtetit diktatorial serb.

“Me këta kriminelë, vrasës dhe terroristë duhet të merret INTERPOL-i dhe të gjithë faktorët ndërkombëtarë që luftojnë krimin e organizuar dhe terrorizmin. Është e qartë se ata janë krahu i zgjatur i pushtetit diktatorial serb dhe se nuk do të mbajnë përgjegjësi në Serbi për çfarëdo dhe kujtdo që të bëjnë keq”, deklaron Sandulovic.

Tutje, ai thotë se është në dorë të BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe t’i sjellë ata para drejtësisë.

“Besoj se tani është në dorë të BE-së, SHBA-së dhe Britania e Madhe t'i sjellë ata kriminelë para drejtësisë dhe t'i parandalojë ata nga krimet e tyre të reja të mundshme”, shton politikani serb.

Rikujtojmë se Serbia mohon se ka gisht në sulmin terrorist dhe ndonjë masë ndëshkuese ndaj saj nuk është marrë.

Read Entire Article