Gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar të PD, e zhvilluar sot me dyer të mbyllura ka pasur edhe kritika për mënyrën e organizimit të partisë.
Deputeti Bujar Leskaj ka propozuar që të zhvillohen zgjedhjet për pozicionet vakante e të mbetura bosh më Grupit Parlamentar, duke kërkuar që gara të bëhet vetëm mes grave, pasi sipas tij partia është shndërruar në “parti burrash”.
E këtij mendimi ka qenë edhe deputetja Dhurata Çupi, e cila ka theksuar se partia është kthyer në parti burrash sipas asaj që ka zbuluar gazetari i News24, Osman Stafa për BalkanWeb.
Ajo artikuloi se është e kuptueshme që 4 nënkryetarët të jenë burra, por u shpreh e paqartë se përse pjesa tjetër ishte po ashtu e përbërë nga gjinia mashkullore dhe asnjë grua.
Pjesë nga diskutimi:
Bujar Leskaj: Ne duhet të flasim në media dhe ku ta qartësojmë se duam të rikthejmë koalicionet parazgjedhore. Po ashtu të shprehemi se duam lista të hapura, votën e emigrantëve pa kushtet që vë qeveria, që të kapim një bazë të gjërë emigrantësh, jo vetëm 18 që janë regjistruar në portalin e qeverisë dhe votimin elektronik. Dhe votimi elektronik nuk është aq i thjeshtë sa duket, duhet të mos biem në gracka dhe të sigurojmë që të mos biem pre e manipulimeve.
Ndërkohë propozoj që të zhvillohen zgjedhjet për pozicionet vakante e të mbetura bosh më Grupit Parlamentar E kam bërë këtë propozim edhe përpara disa javësh por e përsëris prap. Dhe unë sugjeroj që gara për këto poste të bëhet vetëm mes grave, sepse jemi shndërruar në parti burrash. Pra unë po e shpreh qëndrimin tim se do të marr pjesë në votimet për këto poste, vetëm nëse kandidatet do të jenë zonja.
Gazment Bardhi: Nuk kam pasur kohë të merrem me këtë, pasi kam pasur shumë çështje me të cilat jam marrë. Por shumë shpejt do të merrem dhe do të zgjidhet, do të vij me një propozim. Aministia dhe mbështetja që Arbi Agalliu dhe Orjola Pampuri i bënë Olta Xhaçkës, i bën automatikisht të shkarkuar nga pozicionet që mbajnë në grup. Është e papranueshme që po duan ta varrosin atë çështje njëlloj si Edi Rama. Kam patur respekt, por kjo është vijë e kuqe, janë bërë bashkë me Edi Ramën për ti dhënë pandëshkueshmëri Olta Xhaçkës. E papranueshme.
Dhurata Çupi: Kam një shqetësim që e ngriti edhe Bujari. E keni kthyer këtë parti në parti burrash. Shkoni nëpër qarqe bisedoni me demokratët dhe aty dalin burri 1, burri 2, burri 3, burri 4, etj. Asnjë grua. Mirë 4 nënkryetarët, sepse duhet, por pjesa tjetër, pse vetëm burra dhe asnjë grua?
Gazment Bardhi: Partia ka ngritur ato dy grupe pune, mund të shtohem me të tjerë padiskutim. Shqetësim i drejtë do ta vlerësojnë strukturat drejtuese te partisë.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb