Kryeministri britanik njofton një formë të re të Shërbimit Kombëtar të detyrueshëm për të rinjtë

3 months ago 16
Reklamë

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka thënë se do të prezantojë një formë të re të Shërbimit Kombëtar të detyrueshëm për të rinjtë, nëse konservatorët i fitojnë zgjedhjet e përgjithshme.

Në njoftimin e parë të fushatës, Sunak ka shpalosur një plan që do t’u jep 18 vjeçarëve mundësinë për zgjedhjen e një pozicioni ushtarak me kohë të plotë për 12 muaj, ose një skemë për punë vullnetare çdo fundjavë të një muaji, për një vit.

Bëhet e ditur se vendosja e tyre do të realizohet me anë të testeve për të vendosur se kush është i përshtatshëm për forcat e armatosura.

Ndërsa opsioni i vullnetarizmit do të bëjë që të rinjtë të kalojnë kohë me policinë, zjarrfikësit, ose organizata bamirëse, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Sipas Sunak, modeli i ri do t’u ofrojë të rinjëve “një mundësi për të ndryshuar jetën” dhe do t’i lejojë ata të mësojnë “aftësitë e botës reale”.

“Atyre që ankohen se ta bësh shërbimin të detyrueshëm është e paarsyeshme, unë u them se shtetësia sjell me vete detyrime, por edhe të drejta. Të jesh britanik ka të bëjë më shumë sesa thjesht radhën në të cilën futesh në kontrollin e pasaportave”, tha kryeministri britanik.

Gjithashtu, pritet që shërbimet të ndikojnë edhe në uljen e krimit, pasi vullnetarizmi thuhet të rrisë përgjegjësinë sociale.

Siç raportohet, specifika të tjera do të vendosen nga një Komision Mbretëror, i cili do të vendosë edhe se kush përjashtohet nga skema.

Ndryshe, Shërbimi Kombëtar hyri në fuqi në Britaninë e Madhe në janar të vitit 1949 dhe nënkuptonte se të gjithë meshkujt e përgatitur fizikisht të moshës 17-21 vjeç duhej të shërbenin në një nga forcat e armatosura për një periudhë 18-mujore.

Konservatorët vlerësojnë se programi do t’i kushtojë vendit 2.5 miliardë paund në vit deri në vitin 2029-2030 . /Telegrafi/

Read Entire Article